Dita e të Drejtave të Njeriut: loja online rrit ndërgjegjësimin, teston njohuritë - dhe tregon rezultate të mira
E luajtur mbi 50,000 herë, me një mesatare prej 70% të pyetjeve të përgjigjura saktë, loja online NAVIGATOR ka dëshmuar njohuritë e konsiderueshme të të rinjve për çështjet e të drejtave të njeriut – që është e rëndësisë së madhe për një brez që do të formësojë të ardhmen tonë. Loja u zhvillua për të testuar - dhe përmirësuar - njohuritë e qytetarëve për të drejtat e njeriut gjatë një periudhe dy javore, duke filluar nga 10 dhjetori, Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut.
Rreth 300 pyetje përfshinin nëntë tema: shëndeti, mjedisi, të drejtat e fëmijëve, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, diskriminimi, trafikimi i qenieve njerëzore, të drejtat e konsumatorëve, azili dhe migrimi si dhe mbrojtja e të dhënave. Qëllimi ishte rritja e ndërgjegjësimit për rëndësinë e të drejtave të njeriut, veçanërisht në kohëra të konflikteve në rritje dhe tendencave autoritare në mbarë globin, dhe edukimi i të rinjve, në veçanti, se respektimi i të drejtave të njeriut - në mënyrë të plotë - është kusht për një shoqëri paqësore dhe progresive.
BE-ja përmes rrjetit të saj të Europe House e krijoi lojën NAVIGATOR në partneritet me Zyrën e OKB-së, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, ambasadat e shteteve anëtare të BE-së dhe aktivistët e rinj maqedonas. Shoqata Maqedonase e Juristëve të Rinj i përpiloi pyetjet, ndërsa komuniteti i lojërave Galactic Omnivores e projektoi lojën.
Fituesit, të cilët ishin nga të gjitha anët e vendit, u përcaktuan me short më 25 dhjetor. Kishte lloj-lloj shpërblime, duke përfshirë një kupon për pajisje teknike si çmim i parë dhe çanta shpine me dhurata të ofruara nga ambasadat e shteteve anëtare të BE-së. Fitues i çmimit kryesor ishte një nxënës i shkollës së mesme nga Shkupi.