Intervistë me ish-presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga për Gratë, Paqen dhe Sigurinë
1. Kanë kaluar dhjetë vjet që nga viti 2012, kur keni qenë nikoqire e Samitit Ndërkombëtar të Grave “Partneriteti për Ndryshim: Fuqizimi i Grave” dhe e miratimit të Parimeve të Prishtinës, si e shihni të ketë evoluar situata e grave në Kosovë që nga atëherë?
Samiti Ndërkombëtar i Grave “Partneriteti për Ndryshiml05: Fuqizimi i Grave” u mbajt në Prishtinë, kryeqytetin e kombit të parë në Evropën Juglindore që zgjodhi një grua si Udhëheqëse të Shtetit dhe ofroi një mundësi të madhe për Kosovën që të mbledhë gra lidere nga sektorë të ndryshëm dhe nga e gjithë bota për të diskutuar dhe kërkuar mënyra për të avancuar parimet e përcaktuara në Rezolutën 1325 të OKB-së, duke promovuar rolin e grave në vendimmarrje, ekonomi, siguri, si dhe duke sjellë në pah barazinë gjinore të vonuar prej kohësh, e që është thelbësore për zhvillimin e çdo shoqërie.
Miratimi i Parimeve të Prishtinës ishte një moment i rëndësishëm, pasi vuri në lëvizje një sërë ndryshimesh që kanë ndihmuar në përmirësimin e pjesëmarrjes së grave në jetën publike, jo vetëm në Kosovë. Më bën jashtëzakonisht krenare të di se ky komb i vogël – një komb që shpesh gjykohet ashpër dhe padrejtësisht, ka hapur rrugën dhe ka shërbyer si shembull i mirë për gratë e tjera në rajon dhe më gjerë.
Që nga miratimi i Parimeve të Prishtinës, skenës publike të Kosovës i janë bashkuar më shumë gra; ne kemi zgjedhur një grua tjetër si udhëheqëse të shtetit, kemi pasur një grua Kryetare të Kuvendit, një grua Kryetare të Gjykatës Kushtetuese, dy nga tre zëvendëskryeministrat e vendit janë aktualisht gra, kemi pasur një grua kryetare komune, gjeneral major në Forcën e Sigurisë së Kosovës, dhe e fundit por jo më pak e rëndësishme, kemi tejkaluar kuotën për përfaqësimin e grave në Kuvendin e Kosovës. Gratë kanë qenë më shumë të përfshira edhe në politikën partiake, duke mbajtur pozita të larta brenda shumicës së partive politike në Kosovë, në pozita të ndryshme nga zëvendëskryetare deri te sekretare organizative.
Nga ana ekonomike, më shumë gra janë bërë ndërmarrëse. Më shumë biznese drejtohen apo menaxhohen nga gratë si kurrë më parë në historinë e Kosovës. Dhe kjo është e një rëndësie të veçantë sepse rruga e barazisë kalon së pari përmes pavarësisë financiare.
Në planin arsimor, statistikat tregojnë se më shumë gra se burra po e kryejnë arsimin e lartë, dhe kjo tregon për të ardhmen e ndritur të këtij vendi.
Më e rëndësishmja, ne kemi qenë në gjendje të shtyjmë përpara njohjen ligjore për të mbijetuarit e dhunës seksuale të lidhur me konfliktin gjatë luftës në Kosovë, duke krijuar një komision qeveritar dhe duke vendosur një proces që konsiderohet si rast i mirë nga vendet e tjera në mbarë botën për mënyrën si trajtohen dhe dëmshpërblehen të mbijetuarit. Megjithatë, duhet bërë shumë më tepër në lidhje me qasjen në drejtësi.
Për më tepër, ka ende shumë për t’u bërë, veçanërisht në zonat rurale, ku gratë vazhdojnë të mos gëzojnë liri të plota, në krahasim me ato që jetojnë në zonat urbane. Kjo është arsyeja pse ne nuk duhet të kënaqemi me atë që është arritur deri më tani, kur ende kemi segmente të shoqërisë sonë që nuk mund të gëzojnë mundësi të barabarta dhe ku gratë trajtohen si diçka më e ultë se burrat.
Dhuna në familje dhe ajo seksuale paraqesin një sfidë tjetër – një sfidë që kërkon vëmendjen e menjëhershme të qeverisë qendrore, skenës politike në përgjithësi, institucioneve të zbatimit të ligjit, shoqërisë civile dhe shoqërisë në tërësi. Duhet bërë më shumë në ofrimin e mbrojtjes për të abuzuarit dhe duhen shqiptuar dënime më të rrepta për abuzuesit.
Ne kemi shumë gjëra për të qenë krenarë dhe shumë për të festuar, pasi kemi arritur shumë; por derisa të trajtojmë çështjet e pabarazisë dhe sigurisë fizike për të gjitha gratë në Kosovë nuk duhet të ndalemi në luftën tonë.
2. Ju keni përfaqësuar Kosovën në mbarë botën në diskutimet për rolin e grave në proceset e paqes dhe demokratizimit. Si mendoni se Kosova ka kontribuar dhe mund të kontribuojë në zbatimin e Agjendës së Grave, Paqes dhe Sigurisë?
Kam pasur nderin jetësor të përfaqësoj Kosovën në faza të ndryshme si udhëheqëse e shtetit duke sjellur shembullin e Kosovës në këto diskutime. Pas luftës, nevoja për të ndërtuar gjithçka nga e para, pavarësisht se ishte e dhimbshme dhe e lodhshme, i ka dhënë Kosovës mundësinë për të ndërtuar institucione më të mira duke mësuar nga praktikat më të mira nga e gjithë bota. Në këtë kuptim, Kosova është mjaft unike. Si rrjedhojë, prania ndërkombëtare na ka ndihmuar të ecim përpara fqinjëve tanë në disa fusha jetike. Përveç kësaj, legjislacioni i miratuar në Kosovë ka qenë modern dhe në pajtueshmëri me Acquis të BE-së.
Prandaj, ky karakter unik i shtetndërtimit tonë i mundëson Kosovës që përmes shembullit të saj të kontribuojë në pjesët e tjera të botës; ku nevojiten reforma dhe ku Agjenda e Grave, Paqes dhe Sigurisë ende duhet të përdoret si platformë për të çuar përpara politikat e përfshirjes që përfaqësojnë çdo grup në shoqërinë tonë.
Fakti që Kosova nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe pavarësia e saj nuk njihet plotësisht në mbarë botën, ndonjëherë paraqet sfidë që fjala jonë të dëgjohet. Megjithatë, përkundër sfidave të tilla, Kosova do të vazhdojë t’u hapë rrugën vendeve të tjera duke udhëhequr përmes shembullit. Veprimet flasin më shumë se fjalët dhe ne duhet të vazhdojmë të bëjmë më të mirën për të zbatuar plotësisht Agjendën dhe për t’u bërë shembull të cilin e ndjekin pjesa tjetër e botës.
3. Nga lufta në Ukrainë po raportohen akuza shqetësuese për përdorimin e dhunës seksuale ndaj grave si armë lufte. Angazhimi juaj i palodhur në kërkim të drejtësisë për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë rezultoi në ngritjen e një komisioni të specializuar, i cili edhe sot po zbaton mandatin e tij. A mund të jetë ky komision shembull për Ukrainën dhe vendet e tjera?
Fatkeqësisht, përdorimi i dhunës seksuale si armë lufte mbetet një praktikë që vazhdon të prekë shoqëritë në mbarë botën. Vetëm kohët e fundit kemi dëgjuar për një rrëfim të tmerrshëm të abuzimeve seksuale edhe ndaj fëmijëve në luftën në Ukrainë. Është një praktikë e papranueshme dhe çnjerëzore, prandaj një pjesë të madhe të angazhimit dhe presidencës sime publike ia kam kushtuar vënies së drejtësisë për gratë dhe burrat që përjetuan këtë përvojë të tmerrshme, si dhe parandalimit që gratë, burrat dhe fatkeqësisht fëmijët në pjesë të tjera të botës të kalojnë nëpër përvoja të tilla të tmerrshme.
Ne kemi krijuar Komisionin e specializuar të përbërë nga ekspertë profesionistë duke marrë përvojat më të mira nga e gjithë bota. Ky Komision u krijua me ndihmën dhe përvojën e aleatëve tanë dhe rrethanat fatkeqe në të cilat ndodhet Ukraina, e bëjnë të nevojshme që ata të krijojnë një Komision të tillë sa më shpejt që të jetë e mundur. Unë besoj se në këtë drejtim, Kosova ka për të dhënë kontribut shumë të vlefshëm dhe për të shkëmbyer njohuri solide. Përveç formimit të Komisionit, në Kosovë ka disa organizata të shoqërisë civile, që merren me viktimat e dhunës seksuale si armë lufte, të cilat mund t’i ndihmojnë institucionet dhe shoqërinë civile të Ukrainës në përballje me këtë pjesë mjaft delikate dhe tejet të dhimbshme të luftës.
Efektet e dhunës seksuale gjatë kohës së luftës vazhdojnë shumë më gjatë se data e saktë e përfundimit të luftës. Të mbijetuarit përballen me traumën dhe jetojnë me të çdo ditë. Disa nga kryesit e krimit do të kapen dhe do të ndëshkohen, ndërsa disa mund të mos gjenden apo të dënohen kurrë. Kosova ka vuajtur jashtëzakonisht shumë në këtë drejtim dhe vendi e populli ynë nuk do të dëshironin kurrë të shihnin një përvojë aq traumatike te popujt tjerë në asnjë vend tjetër.
4. Kur flasim për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, nuk mund të mos mendojmë për gratë në uniformë. Para se të bëheshit Presidente, keni shërbyer si Gjeneral Major dhe Zëvendës Drejtoreshë e Përgjithshme e Policisë. Çfarë ju motivoi për t’iu bashkuar policisë? A ishte e vështirë për ju si grua në një institucion të dominuar nga burrat? Si do t’i bindnit të rejat sot se puna në polici apo forcat e sigurisë është një zgjedhje e mirë për një grua në Kosovë?
Shërbimit Policor të Kosovës iu bashkova në një kohë shumë të vështirë, menjëherë pas luftës, në kohën kur kjo forcë ishte duke u themeluar. Populli i Kosovës ka pasur një përvojë mjaft të tmerrshme me policinë, veçanërisht në vitet e 90-ta, kur shkeljet e të drejtave të njeriut janë bërë rregullisht nga personat në uniformë – pikërisht nga ata që kanë për detyrë t’i mbrojnë ato të drejta. Kjo jo vetëm që ishte një veprimtari sistematike e dominuar nga burrat, por ishte edhe e frikshme dhe e urryer.
Megjithatë, kur po formohej SHPK-ja, ne ishim të vendosur që ta ndryshonim këtë perceptim negativ që njerëzit kishin për këtë forcë policore. Dhe një mënyrë për ta bërë këtë ishte të kishim gra në uniformë. Isha ndër gratë e para që iu bashkua SHPK-së, dhe shpejt u ngrita në grada, duke mbajtur disa pozita të rëndësishme fillimisht brenda SHPK-së dhe pas shpalljes së pavarësisë brenda asaj që u riemërtua si Policia e Kosovës. Sigurisht, nuk ishte gjithmonë e lehtë, pasi kishte shumë stigmë dhe paragjykime me të cilat përballeshin gratë. Megjithatë, kishte solidaritet në mesin e vetë grave, shumë mbështetje nga udhëheqja e policisë e dominuar nga burrat si dhe shumë përkrahje nga organizatat ndërkombëtare që bashkëpunuan ngushtë me SHPK-në dhe PK-në.
Kur u largova nga PK, kisha gradën Gjeneral Major dhe siç thatë ju, isha Zëvendës Drejtoreshë e Përgjithshme e PK-së.
Pjesëmarrja e grave në polici dhe në forcat e sigurisë është element thelbësor në luftën për barazi gjinore. Kjo mundëson më shumë besim nga publiku në vetë institucionet e zbatimit të ligjit, dhe në të njëjtën kohë gratë sjellin një perspektivë të rëndësishme për të gjitha çështjet, përfshirë ato që lidhen me dhunën në familje dhe dhunën me bazë gjinore. Kjo është arsyeja pse të paktën një nga pikat e Parimeve të Prishtinës ishte nevoja për pjesëmarrje aktive të grave në çështjet e sigurisë, zbatimit të ligjit dhe zgjidhjen e konflikteve. Rrjedhimisht, në çdo mundësi që më jepet i inkurajoj gratë që t’i bashkohen policisë dhe forcave të sigurisë, pasi jam thellësisht e bindur se shoqëria në tërësi do të përfitojë nga shërbimi i tyre.
5. Pjesëmarrja dhe përfaqësimi i grave në nivelet e larta politike nuk është qëllimi i vetëm i planit të Grave, Paqes dhe Sigurisë, por është megjithatë një objektiv i rëndësishëm. 20 vjet pas Rezolutës 1325 të KS të OKB-së, përse mendoni se ka ende kaq pak gra në pozita vendimmarrëse, si qeveritarë, si kryenegociatore për paqe?
Ne të gjithë jemi dëshmitarë të ndryshimeve të përditshme që mundësojnë pjesëmarrje më të madhe të grave në jetën publike, megjithatë shpeshherë ne e konsiderojmë këtë ndryshim si jo mjaft të shpejtë. Vendimmarrja politike, qoftë në nivel kombëtar apo ndërkombëtar, kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e grave, mund t’i drejtojë gjërat, megjithatë kërkohet kohë. Kështu që ne duhet t’i vazhdojmë përpjekjet tona dhe të thyejmë të gjitha barrierat e padukshme të mbetura, rendet sociale dhe sfidat strukturore që pengojnë pjesëmarrjen dhe vendin e barabartë të grave dhe vajzave në tryezë. Kjo është arsyeja pse është thelbësore të punohet me fëmijët e vegjël dhe t’u mësohet atyre që nga momenti kur hyjnë në institucionet e tyre arsimore, se ata janë të gjithë të barabartë pavarësisht nga gjinia.
Pritshmëritë nga gratë janë më të larta se ato nga burrat. Dhe kjo u vë një barrë shumë të rëndë të gjitha këtyre grave udhëheqëse.
Kjo është arsyeja pse besoj se është e rëndësishme që ne të mbështesim njëra-tjetrën, përtej kufijve, që të heqim një pjese të kësaj barre që rëndon mbi gratë e të cilën burrat thjesht nuk janë të detyruar ta mbajnë. Në të njëjtën kohë, ne duhet të inkurajojmë gratë që të jenë më pak të prira të shmangen nga rreziku. Edhe kur një grua përmbush të gjitha kriteret për një pozitë pune, statistikisht, ajo dekurajohet për të aplikuar si rezultat i vetëbesimit më të ulët. E kundërta ndodh te burrat, te të cilët vetëbesimi më i lartë i inkurajon të aplikojnë për punë dhe të ndërmarrin rreziqe.
Megjithatë, tani ka më shumë se kurrë gra udhëheqëse në mbarë botën. Kemi më shumë gra udhëheqëse shtetesh, udhëheqëse qeverish, parlamentare etj. Dhe kjo është një shenjë e ndryshimit që po ndodh anembanë shoqërive dhe më jep shpresë të madhe se e ardhmja do të jetë e ndritshme.
6. Sot ju vazhdoni ta keni në qendër të punës suaj fuqizimin e grave. A mund të na tregoni për Fondacionin Jahjaga? Sa e rëndësishme është pavarësia ekonomike për gratë? Për sa i përket qëllimit të programit të sigurisë së Fondacionit, si punoni për krijimin e kushteve për integrimin e atyre që janë në pozitë të cenueshme?
Fondacioni Jahjaga është një organizatë që e kam themeluar menjëherë pasi kam përfunduar mandatin tim si Presidente e vendit tim. Synimi ishte që organizata të fokusohej në vazhdimin e punës që kisha bërë në avancimin e pozitës së grave dhe grupeve të margjinalizuara të shoqërisë gjatë mandatit si Presidente e vendit.
Vizioni i Fondacionit Jahjaga është konsolidimi i një vendi demokratik dhe gjithëpërfshirës me mundësi të barabarta për çdo qytetar të Kosovës, në harmoni me vendet e rajonit, si parakusht për siguri dhe mirëqenie sociale.
Misioni i Fondacionit Jahjaga është të kontribuojë në procesin e demokratizimit në Kosovë përmes përfshirjes sociale, mbështetjes për grupet e margjinalizuara dhe krijimit të kushteve për paqe në rajon, duke shërbyer si mekanizëm për: a) mbështetjen strategjike për këto çështje, b) mobilizimin dhe fuqizimin e grupeve të margjinalizuara, dhe c) lehtësimin dhe koordinimin e marrëdhënieve ndërmjet organizatave të shoqërisë civile dhe këtyre të fundit me institucionet shtetërore dhe rajonale.
Fondacioni punon me dhe për gratë, të rinjtë dhe komunitetet e margjinalizuara anembanë Kosovës. Së bashku me fondacionin kemi arritur të realizojmë projekte që i kanë fuqizuar këto grupe në nivel arsimor, ekonomik dhe social. Prej këtyre, fuqizimi ekonomik është komponenti më i rëndësishëm, pasi ne e shohim atë si elementin kryesor që të çon në çlirim. Disa projekte në Fondacion i janë kushtuar fuqizimit financiar të grave, ndër të cilat janë:
“Një në Tri” - një nismë për fuqizimin ekonomik përmes një marke veshjesh të prodhuara nga gratë e margjinalizuara. Marka synon gjithashtu të rrisë ndërgjegjësimin për dhunën me bazë gjinore duke përfshirë në emër të markës statistikën globale se një në tri gra përjetojnë dhunë. Fondacioni Jahjaga ka hapur punëtorinë “Një në Tri” ku punojnë 6 gra, duke përfshirë minoritetet etnike dhe të mbijetuarat e dhunës dhe deri më tani ka lansuar tri koleksione.
“Elava” – ka mbështetur tetë gra nga pakicat në Klinë, Kosovë, në hapjen e një biznesi profesional pastrimi dhe ne vazhdojmë t’i mbështesim në forcimin dhe rritjen e iniciativës së tyre. Ato kanë pasur një sërë trajnimesh për tema të ndryshme duke përfshirë zhvillimin e biznesit, metodat e pastrimit profesional, marketingun dhe menaxhimin financiar. Nga marsi 2022, kur është hapur biznesi, vëllimi i punës dhe kërkesat për shërbimet e tyre janë rritur.
7. Për fund, Forumi për Gratë, Paqen dhe Sigurinë i organizuar me iniciativë nga Presidentja Osmani do të mbahet nga data 21 deri më 23 tetor, çfarë përshtypjesh për Kosovën do të dëshironit që pjesëmarrësit të merrnin me vete kur të shkojnë?
Dëshiroj që të gjithë pjesëmarrësit që vijnë në Kosovë të shohin se përkundër të kaluarës së vështirë, ne arritëm të ndërtojmë një shoqëri moderne dhe gjallëruese dhe se po bëhen përpjekje të vazhdueshme që gratë dhe vajzat të marrin vendin e tyre në tryezë. Shpresoj që ata të shohin se Kosova është burim progresi për rajonin dhe më gjerë, një vend që i ka hapur rrugën mbarë Evropës Juglindore në dhënien e mundësive për gratë.
Ne kemi ende një rrugë të gjatë përpara për të arritur potencialin tonë të plotë si shoqëri - dhe besojmë se kjo mund të arrihet vetëm përmes përfshirjes gjinore dhe barazisë gjinore.
Njëkohësisht, do të doja që pjesëmarrësit të merrnin me vete ndjenjën e solidaritetit feminist mes njëri-tjetrit dhe veçanërisht midis grave. Bashkimi për një qëllim të përbashkët na bën të gjithëve më të fortë dhe më pak të cenueshëm. Rrjedhimisht, unë do të doja të shihja se miqësitë dhe rrjetet e krijuara në këtë Forum të rriten dhe të forcohen përgjatë viteve në vijim. Jam e bindur se zhvillimi i një Forumi tjetër të këtij niveli do të forcojë përkushtimin tonë për të luftuar padrejtësitë dhe pabarazitë sociale.