This isn't an official website of the European Union

BE dhe UNDP vazhdojnë të promovojnë rolin e grave në paqe dhe siguri

Në mbështetje të Forumit të parë për Gratë, Paqen dhe Sigurinë (WPS), të organizuar këtë fundjavë në Prishtinë me nismën e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, Bashkimi Evropian dhe UNDP-ja organizuan bashkërisht sot një panel diskutimi përkitazi me nevojën për integrimin e fuqizimit ekonomik të grave në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike në kontekstin e Agjendës Globale për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

 

Kjo temë po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme pasi që ndryshimet klimatike dhe efektet e këtyre ndryshimeve si thatësira, përmbytjet dhe sëmundjet shkaktojnë çrregullime të rënda në ekonomitë në mbarë botën, duke i vendosur gratë në një pozitë edhe më të pafavorshme, shpesh më të varfër sesa burrat, më të ekspozuara ndaj rreziqeve mjedisore ndaj shëndetit, dhe më të varur nga burimet natyrore.

Paneli bashkoi disa folës të nivelit të lartë.

“Fuqizimi dhe përfshirja e barabartë e grave në vendin e punës do të thotë produktivitet dhe zhvillim më i lartë dhe një shoqëri më e drejtë. Unë dhe e gjithë Qeveria jonë jemi të vendosur që të vazhdojmë të hapim shtigje të reja për të gjitha gratë dhe vajzat”, tha ministri i Ekonomisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, duke hapur diskutimin.

“Të drejtat ekonomike dhe fuqizimi i grave kanë marrë shumë më pak vëmendje deri më tani në krahasim me shtyllat e tjera të Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë dhe përqendrimi vetëm në pjesëmarrjen e grave në operacionet paqeruajtëse është i pamjaftueshëm për të siguruar paqe dhe siguri të qëndrueshme për gratë dhe shtetet”, theksoi Viola Von Cramon, deputete e Parlamentit Evropian dhe raportuese për Kosovën. 

“Pasojat e ndryshimeve klimatike dhe pandemisë COVID-19 na nxisin të rimendojmë se si duhet të duket zbatimi i ardhshëm i shtyllës së ndihmës dhe rimëkëmbjes së Agjendës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, për t’i mbrojtur më së miri gratë dhe për të siguruar rimëkëmbjen ekonomike përmes aktiviteteve ekonomike të udhëhequra nga gratë’, vazhdoi ajo.

Në plotësim të kësaj, Clare Hutchinson, ish përfaqësuese speciale e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, theksoi se “roli i grave në vijën e parë duhet të përdoret për të siguruar përfshirjen e grave në politika, investime dhe ndërhyrje lokale të cilat i trajtojnë efektet negative të ndryshimeve klimatike”.

“Ndryshimet klimatike dhe Gratë, Paqja dhe Siguria shpesh trajtohen si dy çështje të ndara, të ndryshme dhe të pa ndërlidhura. Megjithatë, të dyja këto janë të ndërlidhura ngushtë pasi që vendet që shënojnë pikët më të mira në Indeksin WPS janë më pak të cenueshme ndaj efekteve të ndryshimeve klimatike dhe janë të pajisura më mirë për të reaguar ndaj pasojave. Ato gjithashtu gëzojnë paqe dhe stabilitet më të madh”, theksoi Dr. Laura Altinger, udhëheqëse e Ekipit Rajonal për Natyrën, Klimën dhe Energjinë nga Byroja për Politika dhe Mbështetje të ë Programeve e UNDP-së.

Paneli në të cilin morën pjesë, përmes një video-adresimi, edhe Lucy Maycox, hulumtuese për Paqen dhe Sigurinë e Grave në Universitetin e Oksfordit, si dhe Carline Scheele, Drejtore e Institutit Evropian për Barazi Gjinore, arriti në përfundimin se të drejtat ekonomike të grave dhe fuqizimi i tyre janë shtylla kurrizore e shoqërive paqësore dhe të sigurta dhe se duhet të jenë prioritet në tërë botën. 

BE-ja dhe UNDP-ja në Kosovë do të vazhdojnë të kontribuojnë në konsolidimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, duke përfshirë nxitjen e pjesëmarrjes së grave në ekonomi dhe në vendimmarrje politike në përputhje me acquis të BE-së dhe me Agjendën 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm.