This isn't an official website of the European Union

 Instrumenti i Asistencës së Para-Aderimit

Bashkimi Evropian më vete është ofruesi më i madh i fondeve dhe ndihmës financiare në Kosovë. 

BE-ja përdor një sërë instrumentesh financiare, nga të cilat më i gjithanshmi është Instrumenti i Asistencës së Para-Aderimit ose IPA. Fondet e BE-së për qëllime të para-aderimit janë një investim i shëndoshë në të ardhmen e vendeve të zgjerimit dhe të vetë BE-së. Ato ndihmojnë përfituesit të bëjnë reforma politike dhe ekonomike, duke i përgatitur ata për të drejtat dhe detyrimet që vijnë me anëtarësimin në BE. Këto reforma njëkohësisht ofrojnë mundësi më të mira për qytetarët dhe mundësojnë zhvillimin e standardeve të barabarta me ato që gëzojnë qytetarët e BE-së.

Në kuadër të IPA I, IPA II dhe instrumenteve të tjera të BE-së, nga viti 2007 deri në vitin 2020, BE-ja ka investuar më shumë se 1.5 miliardë euro në Kosovë. Faza e radhës e IPA – IPA III – do të mbulojë vitet 2021-2027. Gjithsej, IPA III do të ketë një buxhet prej mbi 14 miliardë euro, nga i cili do të përfitojnë Ballkani Perëndimor dhe Turqia. Kosova do të përfitojë nga IPA III në rrugën e saj drejt përmbushjes së kritereve të aderimit në BE përmes reformave të thella dhe gjithëpërfshirëse. BE-ja gjithashtu implementon programe në Kosovë në kuadër të instrumenteve të tjera si, Instrumenti që kontribuon në Stabilitet dhe Paqe (IcSP), Instrumenti Evropian për Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR), Instrumenti i Politikës së Jashtme dhe instrumente të tjera të BE-së që janë të hapura për Kosovën ose sektorët e tjerë.
Kosova gjithashtu përfiton nga pjesëmarrja në Programet e BE-së, siç janë: Erasmus+, COSME, Evropa për Qytetarët, Evropa Kreative, Fiscalis, Dogana dhe gjatë IPA III, Horizonti Evropa.  

Për informacion më të detajuar mbi projektet IPA dhe financimet në Kosovë, vizitoni bazën e të dhënave të projekteve tona këtu
 

Infrastruktura, mjedisi, veprimi për klimën dhe energjia

Mbështetja e ofruar për mjedisin, veprimin për klimën, energjinë dhe infrastrukturën përbën pjesën më të madhe të portofolit tonë të projekteve në Kosovë dhe këta sektorë gjithashtu përfshijnë projektet më të mëdha më vete. 

Në sektorin e energjisë, BE-ja ka kontribuuar në zhvillimin institucional dhe promovimin e reformave duke përfshirë zhvillimin e kuadrit rregullues të tregut të energjisë, përafrimin e kuadrit ligjor me acquis, planifikimin strategjik për efiçiencën e energjisë dhe burimet e ripërtëritshme të energjisë. Aktualisht ne jemi duke investuar deri në 78 milionë euro në instalimin e filtrave të rinj në termocentralin Kosova B që do të çojnë në një reduktim të emetimeve të pluhurit dhe NOx deri në fund të vitit 2023. 

Mbështetja kushtuar menaxhimit të mbeturinave përfshin asistencën teknike për të forcuar kapacitetin institucional dhe kuadrin institucional për menaxhimin e mbeturinave, duke përfshirë qasjen e përmirësuar në shërbimet e menaxhimit të mbeturinave nga popullata në zonat rurale dhe urbane. Mbështetja e planifikuar gjithashtu përfshin ndërtimin e deponive, mbështetjen e stacioneve të transferimit, blerjen e kamionëve të rinj të plehrave dhe mbështetjen e komunave për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave.

BE-ja ka mbështetur gjithashtu përmirësimin e infrastrukturës arsimore, duke projektuar dhe ndërtuar shkolla dhe kopshte të projektuara për të përmbushur standardet moderne të arsimit dhe për të ofruar një mjedis të shëndoshë për fëmijët, nxënësit dhe mësimdhënësit, duke përfshirë përmes efiçiencës së energjisë dhe ngrohjes efiçiente.  

Sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore

Mbështetja për sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore është ndërtuar mbi rezultatet dhe rekomandimet e projekteve të mëparshme të financuara nga BE-ja dhe donatorët e tjerë, të cilët janë përqendruar në reformat kyçe institucionale dhe ngritjen e kapaciteteve të hisedarëve në sektorin e drejtësisë. Mbështetja u dha për të forcuar kapacitetet administrative, politikëbërëse dhe ato të hartimit të ligjeve brenda Ministrisë së Drejtësisë dhe për të zvogëluar numrin e lëndëve të prapambetura në gjykata, si dhe për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. 

Për këtë qëllim, ekspertët ndërkombëtarë kanë mbështetur Gjykatën Kushtetuese. Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovës u ndihmuan me qëllim të krijimit të një gjyqësori të pavarur dhe të paanshëm. U dha gjithashtu mbështetje për edukimin juridik, mjekësinë ligjore dhe drejtësinë për të miturit. Mbështetja e vazhdueshme gjithashtu përfshin ndërtimin e një Sistemi Qendror të Evidencës Penale të Kosovës (SQEPK), mbështetjen për Institucionin e Avokatit të Popullit dhe mbështetjen e ri-kodifikimit të një Kodi Civil për Kosovën. 

Për më tepër, BE-ja gjithashtu ka ofruar mbështetje të konsiderueshme për grupet minoritare dhe të cenueshme, duke kontribuuar për një shoqëri të qëndrueshme shumetnike në Kosovë duke mundësuar jetesën e qëndrueshme dhe integrimin e qëndrueshëm të personave të zhvendosur. BE-ja gjithashtu mbështet barazinë gjinore duke forcuar pjesëmarrjen e grave në politikë, duke promovuar të drejtat ekonomike dhe shoqërore të grave, vajzave dhe grupeve të pafavorizuara, duke forcuar kapacitetet institucionale si dhe duke integruar aspektet gjinore në ndërhyrjet, ligjet dhe politikat në nivel vendi. 

Arsimi, shoqëria civile dhe zhvillimi shoqëror

Gjatë viteve të fundit, sektorët e arsimit, punësimit dhe çështjeve sociale kanë marrë ndihmë të konsiderueshme nga BE-ja dhe donatorët e tjerë (në nivel dypalësh dhe shumëpalësh) duke  synuar zhvillimin e sistemit arsimor dhe përmirësimin e mirëqenies sociale. Kosova u mbështet për përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit të shërbimeve të arsimit dhe aftësimit duke integruar teknologjinë e informacionit dhe komunikimit në proceset e mësimdhënies dhe mësimnxënies, duke përmirësuar kështu perspektivat e mësimit gjatë gjithë jetës dhe punësimit. 

Asistenca e BE-së kontribuoi në uljen e varfërisë përmes rritjes së mundësive ekonomike për popullatën e Kosovës, veçanërisht për grupet më të margjinalizuara. Mbështetja e BE-së ka përfshirë grante që u janë dhënë organizatave vendase (komunave, universiteteve, OJQ-ve) për të mbështetur aftësimin profesional dhe në vend të punës, punësimin e parë, vetëpunësimin dhe ndërmarrësinë, veçanërisht për grupet e cenueshme, siç janë gratë dhe të rinjtë. 

BE-ja ka ofruar mbështetje të konsiderueshme për Organizatat e Shoqërisë Civile në Kosovë, të cilat kanë të përbashkët zotimin ndaj përparimit shoqëror dhe vlerave themelore të paqes, lirisë, të drejtave të barabarta dhe dinjitetit njerëzor. Përveç ndihmës financiare për shoqërinë civile në kuadër të Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA) dhe Instrumentit Evropian për Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut (EIDHR), Komisioni synon që të përmirësojë dialogun ndërmjet qeverisë dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe të punojë për një shoqëri civile më proaktive dhe angazhuese. 

Demokracia dhe qeverisja

Në sektorin e demokracisë dhe qeverisjes, Asistenca e BE-së përqendrohet në forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës, kryesisht të administratës publike. Mbështetja e BE-së është kanalizuar drejt reformimit të shërbimit civil (përmirësimi i besueshmërisë, transparencës, llogaridhënies), sigurimit të ofrimit të shërbimeve publike më efikase, krijimit të institucioneve demokratike, si dhe forcimit të demokracisë ekzistuese (pushteti lokal, Kuvendi dhe organet e pavarura mbikëqyrëse). 

Ndërhyrjet tona më të mëdha u bënë në fushat e reformës së administratës publike dhe menaxhimit të financave publike. BE-ja gjithashtu ndihmon institucionet për transpozimin, aplikimin dhe implementimin e acquis të BE-së, veçanërisht në fushat që mbulohen nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.  

Zhvillimi ekonomik

Asistenca e BE-së për zhvillimin ekonomik, duke u përqendruar ndër të tjera te konkurueshmëria dhe novacioni, synon rritjen e konkurrueshmërisë së sektorit privat, përmes digjitalizimit, rritjes së qasjes në financa dhe mbështetjes së biznesit. Mbështetja për zhvillimin ekonomik përqendrohet gjithashtu te përmirësimi i tregut të brendshëm dhe aftësisë eksportuese të Kosovës në drejtim të rajonit, tregut unik të BE-së dhe më gjerë.

BE-ja ka mbështetur vazhdimisht sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, tash e shumë vjet. Mbështetja është përqendruar te ndërtimi i një kapaciteti të qëndrueshëm të sektorit agro-rural, si dhe te përmirësimi i menaxhimit të burimeve natyrore dhe zhvillimi dhe implementimi i një qasjeje të integruar ndaj sigurisë ushqimore.  

Bashkëpunimi ndërkufitar

Bashkëpunimi ndërkufitar është pjesë përbërëse e IPA-s, me bashkëfinancim nga vendet bashkëpunuese. BE-ja mbështet përfituesit dhe u mundëson të bashkëpunojnë me vendet fqinje në fushat ekonomike, shoqërore, mjedisore dhe kulturore.

Kosova aktualisht është e angazhuar në bashkëpunim ndërkufitar me tre fqinjët e saj: