This isn't an official website of the European Union

Si kandidat i mundshëm për anëtarësim në BE, dhe duke pasur parasysh historinë e fundit të Kosovës, marrëdhëniet e saj me BE-në janë komplekse dhe shumëplanëshe. Në këtë faqe do ta gjeni një përmbledhje të të gjithë komponentëve të ndryshëm të këtyre marrëdhënieve.  

Marrëdhëniet politike

Bashkimi Evropian ka luajtur rol udhëheqës në përpjekjen ndërkombëtare për ta ndërtuar një të ardhme të re për Kosovën që nga viti 1999. Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane si pjesë e rajonit më të gjerë të Ballkanit Perëndimor. 

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë luan një rol kryesor në zbatimin e agjendës së BE-së në territor, veçanërisht promovimin e normave Evropiane. Zyra siguron dialog të përhershëm politik dhe teknik ndërmjet Kosovës dhe institucioneve të BE-së.  

BE është gjithashtu aktive në Kosovë përmes Përfaqësuesit të saj Special (PSBE), i cili ofron këshilla dhe përkrahje për Qeverinë e Kosovës, koordinon praninë e BE dhe promovon të drejtat e njeriut dhe liritë themelore. 

Për më tepër, Politikat Evropiane të Sigurisë dhe Mbrojtjes (ESDP) Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), siguron përkrahje për institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugën e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, multietnicitetit dhe përgjegjësisë, pa ndërhyrje politike dhe në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe praktikat më të mira evropiane. 

BE është gjithashtu e pranishme përmes ambasadave dhe zyrave ndërlidhëse të shteteve anëtare. 

Procesi i stabilizimit dhe asocimit

Procesi i Stabilizim-Asociimit (SAP) është korniza e politikës evropiane për marrëdhëniet në mes të BE dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor, deri në anëtarësimin e tyre eventual në Bashkim. Partneriteti në mes të BE dhe Ballkanit Perëndimor është në interes të të gjitha palëve, që promovon paqen, stabilitetin, lirinë, sigurinë dhe drejtësinë, prosperitetin dhe cilësinë e jetës. SAP promovon stabilizimin dhe kalimin në një ekonomi tregu, bashkëpunim rajonal dhe përgatitje për pranimin në BE. 

BE ka kryer takime të rregullta me autoritetet kosovare si pjesë e Dialogut të Procesit të Stabilizim-Asociimit (SAPD). Ai e monitoron progresin në procesin e zgjerimit të BE (shih seksionin e Marrëdhënieve Ekonomike më poshtë). Me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) në mes të BE-së dhe Kosovës më 1 prill 2016, korniza e dialogut zhvillohet brenda kornizës së MSA-së, në nën-komitete

BE dhe autoritetet kosovare diskutojnë një gamë të gjerë të çështjeve të politikave dhe bien dakord për veprimet përcjellëse në koncesionet e takimit. Takimet plenare mbahen një herë në vit. Para çdo Dialogu të Procesit të Stabilizim-Asociimit, BE diskuton të njëjtat çështje me shoqërinë civile lokale. Raportet vjetore të vendit vlerësojnë gatishmërinë e shteteve të Ballkanit Perëndimor për t’u afruar me BE. 

Dialogu i përhershëm në mes të Komisionit dhe OShC-ve nga shtetet e zgjerimit u vendos në vitin 2008.   

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë angazhohet për një dialog të rregullt me organizatat e shoqërisë civile gjatë procesit të hartimit të Raportit të Progresit. Para hartimit të Raportit të Progresit, organizatat e shoqërisë civile u ftuan që ta japin kontributin e tyre në takimet sektoriale të Dialogut të Stabilizim Asociimit. 

Marrëdhëniet ekonomike

Bashkimi Evropian - si shtetet anëtare ashtu edhe institucionet e saj, posaçërisht Komisioni Evropian - ka luajtur dhe vazhdojnë të luajë një rol të rëndësishëm në rindërtimin dhe zhvillimin e Kosovës. BE-ja është donatori i vetëm më i madh që ofron asistencë për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor. 

Në kuadrin e IPA I, IPA II dhe instrumenteve të tjera të BE-së, nga 2007 në 2020, BE ka investuar në Kosovë më shumë se 1.5 miliarda € në rindërtim, reformë të administratës publike, sundim të ligjit, reformë të qëndrueshme ekonomike, arsim, bujqësi, sociale zhvillimi, shoqëria civile dhe media dhe në shumë fusha të tjera kyçe në Kosovë.  

Ndërsa asistenca e BE-së fillimisht fokusohej në veprimet emergjente dhe rindërtim, tani ajo përqendrohet në promovimin e institucioneve të Kosovës, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik dhe të ardhmen evropiane të Kosovës.  

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë punon përkrah trembëdhjetë ambasadave të shteteve anëtare të BE-së në Kosovë, shumë prej së cilave menaxhojnë programe të konsiderueshme të asistencës financiare. Edhe katër shtete tjera anëtare kanë zyra përfaqësuese. Organizata të shumta joqeveritare nga shtetet e BE-së janë aktive në Kosovë. 

Në kontekstin e Procesit të Stabilizimit dhe Asociimit (SAP, shih më lart) që synon sjelljen e Kosovës në përputhje me normat Evropiane, BE ka disa mekanizma për ta promovuar zhvillimin ekonomik si shtesë e asistencës sonë financiare, të tilla si koncesionet tregtare dhe traktatet (Marrëveshja e Stabilizim Asociimit). 

Bashkëpunimi teknik dhe financiar

Zotimi politik dhe financiar i Bashkimit Evropian për Kosovën është i dyfishtë. BE ofron asistencë për t’i përmbushur nevojat e Kosovës për ndërtimin e institucioneve dhe zhvillimin socio-ekonomik, dhe siguron një kontribut të konsiderueshëm në praninë ndërkombëtare në Kosovë. 

Asistenca financiare dhe teknike e BE-së ndërton kapacitetet e institucioneve gjatë gjithë procesit të pranimit, duke rezultuar në zhvillime progresive, pozitive në Kosovë dhe rajon. Për periudhën 2014-2020, Instrumenti për Asistencës Para-Anëtarësimit II i dedikoi 11.7 miliarda € për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë. IPA III është vendosur që t’i jep € 14.5 miliarda për këto shtete. 

Kosova - asistenca financiare nën IPA II  

Kosova - asistenca financiare nën IPA III 

IPA III paraqet një qasje solide të drejtuar nga politika, me zbarkimin strategjik dhe dinamik të asistencës, duke i vendosur 'fundamentet' në bërthamë: sundimi i ligjit dhe respektimi i vlerave themelore; forcimi i institucioneve demokratike dhe reforma e administratës publike; promovimi i qeverisjes ekonomike dhe reformat drejt konkurrencës.  

Instrumenti i ri do ta rrisë nivelin e drejtimit nga Bashkimi, me programimin e bazuar në prioritetet tematike në vend të zarfeve për shtetin. Kjo mundëson shpërblimin e performancës dhe progresit drejt prioriteteve kryesore dhe një fleksibilitet të shtuar për t'iu përgjigjur nevojave në zhvillim të partnerëve në rrugën e tyre drejt anëtarësimit. 

Kosova gjithashtu përfiton nga instrumente të ndryshme: TAIEX , Instrumenti Evropian për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut, Instrumenti që kontribuon në Stabilitetin dhe Paqen (IcSP) dhe Instrumenti i politikës së jashtme (FPI), dhe disa Programe të BE-së  përfshirë Erasmus+, COSME, Europe for Citizens, Creative Europe, Fiscalis, Doganat dhe IPA III Horizon Europe.   

Asistenca e mëparshme 

Në të kaluarën, BE-ja i ka dhënë përkrahje Kosovës nën një larmi të instrumenteve financiare, duke përfshirë Asistencën e Komunitetit për Rindërtim, Zhvillim dhe Stabilizim (CARDS), asistenca makro-financiare (MPJ) dhe ndihma humanitare. 

Për më shumë informata në lidhje me Bashkëpunimin Teknik dhe Financiar të BE-së me Kosovën, vizitoni Uebsajtin Projektet e Kosovës.

Fondi për zhvillim 

Fondi për Zhvillim për komunat në veri të Kosovës u krijua si rezultat i Dialogut të lehtësuar nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë. 

Bashkëpunimi për COVID-19 

BE u përfshi menjëherë për ta demonstruar solidaritetin e saj dhe për ta përkrahur Kosovën gjatë COVID-19, me qëllim të lehtësimit të ndikimit pandemik. 

BE i ka dhënë qeverisë 7.03 miliona EUR për blerjen e afërsisht 700,000 dozave të vaksinave Covid-19 përmes marrëveshjes të ri-shitjes që përfshinë Shtetet Anëtare të BE-së. Marrëveshja e parë e tillë u nënshkrua me Austrinë, e cila po siguron shpërndarjen e 95,000 dozave. BE gjithashtu siguroi përkrahje direkte për Sektorin shëndetësor të Kosovës përfshirë shpërndarjen e pajisjeve dhe mallrave për parandalimin, mbrojtjen dhe trajtimin e Covid-19 në shumë prej 5 milion EUR.  

Për sa i përket përkrahjes direkte financiare, BE ka dhënë Asistencë makro-financiare prej 100 milion EUR në formën e huasë.  

BE gjithashtu ri-programoi pjesë të programeve vjetore të planifikuara për 2019 dhe 2020 për ta krijuar një paketë financiare prej 50 milion EUR për rimëkëmbjen ekonomike dhe sociale, përfshirë këtu:  

  • 26.5 milion EUR në përkrahje direkte buxhetore përmes projektit të sapo zhvilluar “Rezilienca EU4”, i cili filloi në dhjetor me transhen e parë prej 20 milion EUR disbursuar në buxhetin e Kosovës.
  • 11.9 milion EUR për “EU4 Mbrojtja sociale”, e cila është në vazhdim.
  • 11.6 milion EUR për përkrahje për bizneset e vogla dhe nevoja të tjera të menjëhershme të cilat janë duke u zhvilluar.

Përveç 150 milion euro të asistencës së re ose të riprogramuar financiare, BE arriti t’i shpejtojë disbursimet e 13 milion EUR në programet për përkrahje të vazhdueshme direkte buxhetore për Reformën e Administratës Publike dhe Menaxhimin e Financave Publike. 

Përkrahja për Shoqërinë Civile 

Organizatat e shoqërisë civile luajnë rol jetësor në reformat e kryera tek kandidatët dhe kandidatët e mundshëm për anëtarësim në BE. Puna e tyre mund të jetë kruciale në përcaktimin e ritmit dhe cilësisë së procesit të pranimit, si dhe gjenerimin e përkrahjes publike për pranim. 

BE vlerëson larminë dhe specifikat e OShC-ve. Ajo angazhohet me OSHC transparente dhe të përgjegjshme, të cilat ndajnë zotimin për përparimin shoqëror dhe vlerat themelore të paqes, lirisë, të drejtave të barabarta dhe dinjitetit njerëzor. 

Krahas asistencës financiare, Komisioni synon të përmirësojë konsultimet me përfaqësues të shoqërisë civile dhe punë drejt masave tjera për ta forcuar shoqërinë civile. 

Në fillim të secilit vit, publikohet kalendari indikativ i konsultimeve me shoqërinë civile uebsajtin e BE-së në Kosovë.

Përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian

Sipas mandatit të tij, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian (EUSR) ofron këshillat dhe mbështetjen e Bashkimit në procesin politik, siguron koherencën e veprimit të BE-së në Kosovë, kontribuon në zhvillimin dhe konsolidimin e respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore në Kosovë. dhe forcon dukshmërinë e Unionit përmes komunikimit publik dhe aktiviteteve të komunikimit.

Koordinimi i politikës dhe i politikave 

Në përputhje me mandatin e EUSR-së, Seksioni u ofron autoriteteve të Kosovës këshilla dhe përkrahje të BE-së në proceset politike dhe në monitorimin dhe nxitjen e progresit të Kosovës në prioritetet politike të lidhura me BE-në. Seksioni gjithashtu kontribuon në zhvillimin ekonomik të Kosovës duke ofruar përkrahje dhe këshilla lidhur me politikat për autoritetet e Kosovës në përmbushjen e kritereve ekonomike, siç është ekonomia funksionale e tregut dhe kapaciteti për t’u përballur me konkurrencën dhe forcat e tregut. Përveç kësaj, seksioni koordinon praninë e BE-së në Kosovë dhe ofron udhëzime politike lokale për Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë. Seksioni, duke bashkëpunuar me kolegët tjerë në zyrë, gjithashtu e përkrahë Dialogun e lehtësuar nga BE-ja në koordinim me PSBE-në për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor. 

Fushat tjera të angazhimit të Seksionit përfshijnë: 

  • Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës (AKKVP): Udhëheqësi i Seksionit është anëtar i Bordit Mbikëqyrës i mandatuar që ta mbikëqyrë punën e Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës dhe t'i ofrojë asaj udhëzime për politikat dhe drejtim të përgjithshëm. Agjencia merret me rastet pronësore të lidhura me konfliktin.  
  • Java e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë: Java vjetore e Zhvillimit të Qëndrueshëm në Kosovë e udhëhequr nga PSBE-ja bashkon pjesëmarrës nga të gjithë sektorët përkatës me qëllim të nxitjes së dialogut publik dhe kërkimit të mënyrave efektive për ta nxitur zhvillimin e qëndrueshëm dhe rritjen ekonomike të gjelbër. Në vitin 2021, ajo u fokusua në Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor. 
  • Komunitetet, Trashëgimia Fetare dhe Kulturore dhe Veriu: Seksioni kontribuon në zhvillimin dhe konsolidimin e respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave themelore të komuniteteve joshumicë në mbarë Kosovën në përputhje me legjislacionin në fuqi. Seksioni është gjithashtu përgjegjës për nxitjen e mbrojtjes së të drejtave të komuniteteve fetare dhe të trashëgimisë fetare dhe kulturore të Kosovës.  

Këshilli për Implementim dhe Monitorim 

PSBE bashkë-kryeson takimet e Këshillit për Implementim dhe Monitorim së bashku me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Anëtarët përfshijnë gjithashtu Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, OSBE-në dhe Kishën Ortodokse Serbe. Ky është i vetmi mekanizëm ekzistues në fushën e trashëgimisë fetare dhe kulturore ku Kisha Ortodokse Serbe takohet me autoritetet e Kosovës për të zgjidhur rastet që rrjedhin nga konflikti i armatosur dhe trazirat e vitit 2004. Këshilli punon në përputhje me Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura.  

Fondi për zhvillim 

Fondi për Zhvillim për katër komunat në veri të Kosovës (Leposaviq, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok dhe Zveçan) u krijua si rezultat i Dialogut të lehtësuar nga BE-ja në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Fondi menaxhohet nga një Bord i përbërë nga PSBE si Kryesues, Ministri i Financave në emër të autoriteteve të Kosovës dhe një përfaqësues i komunitetit serb të Kosovës nga komunat veriore. 

Sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut dhe çështjet ligjore  

Seksioni ofron kontribut të përditshëm në zhvillimin e sektorit të sundimit të ligjit dhe avancimin e të drejtave të njeriut dhe barazisë gjinore në Kosovë. Në mënyrë të veçantë, ai ofron këshilla të konsoliduara lidhur me acquis të BE-së për Qeverinë dhe Kuvendin gjatë gjithë procesit legjislativ dhe lehtëson asistencën e ndërsjellë juridike dhe bashkëpunimin gjyqësor ndërmjet Kosovës dhe homologëve të saj të jashtëm.  

Mekanizmi i Rishikimit Legjislativ 

Seksioni drejton Mekanizmin e Rishikimit Legjislativ që ka për synim të sigurojë koordinimin dhe konsolidimin e ekspertizës së familjes së BE-së për legjislacionin e Kosovës. Përmes këtij Mekanizmi, Seksioni jep udhëzime në kohë dhe efektive për institucionet vendore për përafrimin e projektligjeve me acquis të BE-së, praktikat më të mira evropiane dhe dokumentet që numërojnë standardet e përcaktuara për Kosovën, siç janë Raportet e Progresit, Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave dhe Procesi i Stabilizim Asociimit. 

Bashkëpunimi i ndërsjellë juridik në çështjet penale dhe civile  

Seksioni lehtëson ndihmën e ndërsjellë juridike dhe përkrahë bashkëpunimin gjyqësor ndërmjet Kosovës dhe homologëve të saj të jashtëm, si dhe shteteve që nuk e njohin Kosovën. Seksioni gjithashtu jep këshilla ligjore për bashkëpunimin ligjor për Ministrinë e Drejtësisë duke shqyrtuar dhe këshilluar për legjislacionin, marrëveshjet ndërkombëtare dhe dokumentet strategjike që lidhen me bashkëpunimin juridik në çështjet civile dhe penale. 

Të drejtat e njeriut 

Seksioni kontribuon në zhvillimin dhe konsolidimin e të drejtave themelore dhe lirive të njeriut në përputhje me standardet e BE-së dhe standardet ndërkombëtare. Seksioni jep këshilla teknike dhe përkrahje të politikave për institucionet e Kosovës për një sërë çështjesh, duke përfshirë por pa u kufizuar në drejtësinë tranzicionale, të drejtat e fëmijëve dhe personave me aftësi të kufizuara, lirinë e shprehjes dhe mediave, lirinë e tubimit, të drejtat e LGBTI, të drejtat pronësore dhe mosdiskriminimi.  

Barazia gjinore 

Seksioni ndihmon PSBE-në në promovimin e barazisë gjinore si një vlerë thelbësore për të siguruar stabilitet politik dhe për ta arritur zhvillimin ekonomik në Kosovë në përputhje me standardet e BE-së dhe ato ndërkombëtare.  

Në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, Seksioni e përkrahë EUSR-në në monitorimin, këshillimin dhe mentorimin e institucioneve të Kosovës për avancimin e të drejtave të grave, përkatësisht Agjencinë për Barazi Gjinore, zyrtarët gjinorë, Koordinatorin Kombëtar kundër Dhunës në Familje dhe Grupin e Grave në Kuvendin e Kosovës. 

Seksioni i Komunikimit 

Përpjekjet komunikuese të Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë synojnë ta afrojnë punën e EUSR-së me popullin e Kosovës përmes mediave tradicionale dhe digjitale, si dhe ngjarjeve informuese dhe llojeve të tjera të aktiviteteve të komunikimit. Ne ofrojmë mbështetje komunikimi për angazhimin e PSBE-së me autoritetet e Kosovës, shoqërinë civile, akademinë, komunitetet joshumicë dhe fetare, komunitetin e biznesit, prezenca të tjera të BE-së në Kosovë dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, në përputhje me mandatin e PSBE-së. Për pyetje mediatike në lidhje me BE-në në Kosovë, ju lutemi kontaktoni Ioanna Lachana, shefe e Seksionit të Komunikimit dhe Zëdhënëse, në adresën [email protected], në numrin e telefonit: +383 (0) 49784441.

Seksioni i Financave dhe Administratës 

Seksioni është i ngarkuar për të siguruar funksionimin efektiv operacional të zyrës së PSBE-së. Është përgjegjës për planifikimin e ardhshëm strategjik të resurseve të PSBE-së, zhvillimin dhe zbarkimin e tyre, menaxhimin e buxhetit, menaxhimin financiar, kontrollimin dhe raportimin, rekrutimin dhe menaxhimin e resurseve njerëzore, prokurimin e shërbimeve dhe projekteve, dhe përkrahjen logjistike. Seksioni jep këshilla të përditshme për menaxhimin e stafit, duke marrë iniciativa dhe duke ofruar përkrahje aktive për PSBE-në për forcimin e efektivitetit të brendshëm operacional të zyrës dhe sigurimin e cilësisë, strukturën e saj dhe praktikat operative. 

Sigurimi  

Teksti: Zyrtari i Sigurimit të Misionit udhëheqë, drejton dhe menaxhon sigurimin dhe sigurinë e anëtarëve të stafit të PSBE-së. Zyrtari i Sigurimit të Misionit gjithashtu monitoron dhe vlerëson situatën e sigurisë në Kosovë dhe i jep PSBE-së dhe menaxhmentit të lartë analiza dhe këshilla rreth sigurisë për të gjitha çështjet e lidhura me sigurinë që e prekin zyrën, pasurinë dhe personelin e saj. Zyrtari i Sigurimit të Misionit është i lidhur ngushtë me agjencitë kombëtare të zbatimit të ligjit, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare, institucionet e BE-së dhe përfaqësuesit diplomatikë në fushën e sigurisë.