Misioni i i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve prezanton raportin e tij përfundimtar me 23 rekomandime
"Këto në përgjithësi ishin zgjedhje të organizuara mirë, në të cilat u respektuan liritë themelore dhe votuesve iu dha mundësia reale për të zgjedhur, me përjashtim të komunave serbe të Kosovës ku konkurrenca ishte e kufizuar. KQZ-ja i zhvilloi përgatitjet zgjedhore në mënyrë profesionale dhe gëzoi nivel të lartë besimi midis palëve të përfshira,” tha zoti Mandl në një konferencë për media sot në Prishtinë dhe shtoi: “Ndër çështjet shqetësuese mund të veçoj mungesën e transparencës dhe llogaridhënies që po vazhdon që një kohë të gjatë në lidhje me financimin e fushatave të kandidatëve. Përveç kësaj, që një kohë të gjatë ekzistojnë disa mangësi në kornizën ligjore që përfundimisht duhet të adresohen dhe tani është koha për reforma thelbësore.”
Raporti jep 23 rekomandime që duhet të merren parasysh. Këto përfshijnë gjashtë rekomandime me prioritet, përmbledhja e të cilave është si më poshtë: (1) të modernizohet metoda e regjistrimit si votues jashtë Kosovës me qëllim të mbrojtjes nga mashtrimi dhe veprimi në emër të dikujt tjetër; (2) të sigurohet një mekanizëm i pavarur për mbikëqyrje efektive të financave të partive dhe të fushatës; (3) të përfshihen dispozita për reklamimin zgjedhor në platformat online dhe të zgjerohen në mënyrë specifike rregullat ekzistuese të fushatës edhe në sferën digjitale; (4) të emërohen me kohë të gjithë anëtarët e KPM-së dhe të Bordit të Ankesave të KPM-së përmes një procesi përzgjedhës konkurrues dhe transparent; (5) të ridizajnohen fletëvotimet e zgjedhjeve për kuvendin komunal që të kuptohen më mirë nga votuesit dhe të shtohen informacionet se si votuesit të shënojnë fletëvotimin si duhet; dhe (6) të përfshihen dispozita për kontestimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të publikuara nga KQZ-ja dhe të sqarohen paqartësitë në procesin e ankesave dhe parashtresave.
“Rekomandimet tona duhet të lexohen së bashku me ato që tashmë janë propozuar nga misionet e mëparshme të BE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë. Disa prej tyre kërkojnë ndryshime legjislative, të tjerat mund të adresohen përmes rregulloreve të miratuara nga KQZ-ja dhe institucionet e tjera. Dëshiroj të inkurajoj të gjitha palët e interesuara që të marrin parasysh rekomandimet tona, të cilat po i paraqesim me mirëbesim, dhe në fund të shndërrojnë fjalët në veprime konkrete.” përfundoi zoti Mandl.
Më 8 shkurt, EU EOM-ja do të mbajë një tryezë të rrumbullakët me palët përkatëse të interesit për t’i diskutuar në detaje rekomandimet e misionit se si të përmirësohen proceset e ardhshme zgjedhore.EU EOM-ja ishte e vendosur në Kosovë nga 5 shtatori deri më 5 dhjetor 2021; gjithsej rreth 100 vëzhgues nga 22 vende anëtare të BE-së si dhe nga Norvegjia dhe Zvicra i vëzhguan këto zgjedhje.Për më shumë informata, ju lutem kontaktoni zyrtarin për media të EU EOM-së Kosovë 2021.Marek Mracka, Zyrtar për Media, EU EOM Kosovë 2021, [email protected] +383 48 798 326