This isn't an official website of the European Union

Si përgjigje në ftesën nga Presidentja e Kosovës, Bashkimi Evropian (BE) ka dërguar Mision të Vëzhgimit të Zgjedhjeve për t’i vëzhguar zgjedhjet lokale të planifikuara më 17 tetor, 2021.

Mbi misionin

Ky mision udhëhiqet nga Shefi i Misionit, Lukas Mandl, anëtar i Parlamentit Evropian nga Austria, dhe përbëhet nga rreth 70 vëzhgues nga shtetet e ndryshme anëtare të BE-së, bashkë me Norvegjinë dhe Zvicrën.

Një ekip bazë i përbërë nga 10 ekspertë të zgjedhjeve është vendosur në Prishtinë nga data 5 shtator, e 22 vëzhgues afatgjatë do të dërgohen nëpër Kosovë më 16 shtator për t’i mbuluar komunat e ndryshme të Kosovës. Misionit do t’i bashkohen vëzhgues afatshkurtër për ditën e zgjedhjeve.

EU EOM do të qëndrojë në Kosovë deri në përfundim të procesit zgjedhor, përfshirë procesin e mundshëm të balotazhit të zgjedhjeve lokale, i paraparë më 14 nëntor.

Në përputhje me metodologjinë e vëzhgimit të zgjedhjeve nga BE, misioni do të lëshojë një deklaratë preliminare dhe do të mbajë një konferencë për shtyp në Prishtinë menjëherë pas zgjedhjeve.

Raporti përfundimtar, i cili do t’i përfshijë një sërë rekomandimesh për proceset e ardhshme zgjedhore, do të prezantohet dhe do të ndahet me palët e interesuara afërsisht dy deri tre muaj pas përfundimit të tërë procesit zgjedhor.

Misioni do t’i vlerësojë të gjitha aspektet dhe fazat e procesit zgjedhor, duke përfshirë:

  • kornizën ligjore dhe respektimin e saj
  • performancën e administratës zgjedhore
  • rolin e institucioneve shtetërore
  • regjistrimin e votuesve
  • aktivitetet e fushatave dhe financat e fushatave
  • ambientin e përgjithshëm të zgjedhjeve, përfshirë respektimin e lirive themelore, të drejtave civile dhe politike
  • pjesëmarrjen e grave dhe grupeve të margjinalizuara
  • rolin e mediave, duke përfshirë burimet e informatave online dhe mediat sociale
  • rolin e shoqërisë civile
  • procesin e votimit, numërimit dhe nxjerrjes së të dhënave
  • procesin e ankesave dhe apeleve
  • shpalljen e rezultateve

Prapavija e Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga BE

BE ka një metodologji të themeluar prej kohësh për vëzhgimin e zgjedhjeve. Vëzhguesit nuk ndërhyjnë në procesin zgjedhor dhe nuk kanë autoritet për të ndryshuar ose korrigjuar ndonjë mangësi. Të gjithë vëzhguesit e zgjedhjeve të BE-së operojnë nën një kod strikt të sjelljes dhe udhëzimeve etike që garantojnë neutralitetin dhe paanësinë e tyre.

EU EOM funksionon në përputhje me "Deklaratën e Parimeve për Vëzhgimin Ndërkombëtar të Zgjedhjeve" të miratuar nga Kombet e Bashkuara në vitin 2005 nga një numër i organeve ndërkombëtare të përfshira në vëzhgimin e zgjedhjeve.

EU EOM janë të pavarur në gjetjet e tyre nga Zyra e BE-së në Kosovë, nga shtetet anëtare të BE-së nga dhe të gjitha institucionet tjera të BE-së.