Rusia: BE-ja thërret Ambasadorin për pushtimin e Ukrainës
Në kuadër të reagimit të BE-së ndaj pushtimit rus të Ukrainës, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell udhëzoi Sekretarin e Përgjithshëm të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm, Stefano Sannino, që të thërrasë sot në Bruksel ambasadorin e Federatës Ruse në Bashkimin Evropian, Vladimir Chizhov.
Në takimin e tyre, Sekretari i Përgjithshëm Sannino përcolli dënimin më të fortë të BE-së për pushtimin e paprovokuar dhe të pajustifikuar të Ukrainës nga forcat e armatosura të Federatës Ruse, si dhe kërkesën ndaj Presidentit rus Vladimir Putin që t’i ndërpresë menjëherë operacionet ushtarake dhe t’i tërheqë pa kushte të gjitha forcat dhe pajisjet ushtarake nga i gjithë territori i Ukrainës.
Kjo u shpreh në deklaratën e PLZP Borrell në emër të Bashkimit Evropian dhe në deklaratën e përbashkët të Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen.
Sekretari i Përgjithshëm Sannino e informoi ambasadorin Chizov se përgjigja e prerë e BE-së ndaj agresionit rus do të vendoset në takimin e sotëm të jashtëzakonshëm të Këshillit Evropian, dhe do të përfshijë një paketë të re dhe të ashpër me masa kufizuese, sektoriale dhe individuale, të koordinuara plotësisht nga BE-ja me Partnerët transatlantikë dhe ata që ndajnë të njëjtin mendim.