This isn't an official website of the European Union

Njoftim për median: Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Josep Borrell udhëton në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut për Këshillat dypalëshe të Stabilizim-Asociimit

13.03.2023

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë/Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Josep Borrell, do të udhëtojë në Shqipëri më 15-16 mars dhe në Maqedoninë e Veriut më 16-17 mars. Këto vizita do të jenë një mundësi për të shqyrtuar marrëdhëniet dypalëshe BE-Shqipëri dhe BE-Maqedonia e Veriut në kuadër të Marrëveshjeve të tyre përkatëse të Stabilizim-Asociimit, si dhe për të diskutuar zhvillimet e fundit në të dy vendet dhe në Ballkanin Perëndimor. Është hera e parë që Këshillat përkatëse të Stabilizim-Asociimit mbahen në Tiranë dhe Shkup.

Duke nisur me Shqipërinë më 15 mars, Përfaqësuesi i Lartë Borrell do të takohet me Kryeministrin Edi Rama përpara se të kryesojë Këshillin e 12-të të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri në Tiranë, më 16 mars. Shqipëria do të përfaqësohet nga Kryeministri Edi Rama. Komisioni Evropian do të përfaqësohet nga Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Oliver Várhelyi. Pas Këshillit, Përfaqësuesi i Lartë Borrell, Kryeministri Rama dhe Komisioneri Várhelyi do të mbajnë rreth orës 12:00 një konferencë të përbashkët për shtyp, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në EBS.

Pasdite, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Borrell do të marrë pjesë në përurimin e Kullës Veneciane në Durrës, restaurimi i së cilës është financuar nga BE-ja, si dhe do të zhvillojë një bisedë me përfaqësues të rinisë.

Përfaqësuesi i Lartë Borrell do të udhëtojë më pas në Maqedoninë e Veriut. Më 16 mars, ai do të takohet me Kryeministrin Dimitar Kovaçevski, përpara se të udhëheqë delegacionin e BE-së në Këshillin e 16-të të Stabilizim-Asociimit BE-Maqedonia e Veriut, të premten, më 17 mars. Maqedonia e Veriut këtë herë do të kryesojë Këshillin dhe do të përfaqësohet nga Kryeministri Kovaçevski, ndërsa Komisioni Evropian nga Komisioneri Várhelyi. Këshilli do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp rreth orës 11:30, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në EBS.

Gjatë vizitës së tij, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Borrell do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe, përfshirë me Presidentin Stevo Pendarovski, Ministren e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska dhe Kryetarin, Zëvendëskryetarët, koordinatorët e partive politike dhe kryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian - Komisioni për Çështjet Evropiane i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut.

Takimet me shtypin gjatë vizitave do të transmetohen në EBS, mbulimi audio-vizual i misionit do të jetë gjithashtu i disponueshëm në EBS, dhe komentet e deklaratave për shtyp do të publikohen në faqen e internetit të EEAS-së.

Ndiqni gjithashtu @JosepBorrellF dhe @eu_eeas për informacione dhe përditësime të mëtejshme.

Peter Stano
Lead Spokesperson for Foreign Affairs and Security Policy
+32 (0)460 75 45 53
Zoi Muletier
Press Officer for Neighbourhood and Enlargement/Foreign Affairs and Security Policy
+32 (0)2 29-94306
+32 (0)460794306