Marrëveshja e Gjelbër e BE-së – Një perspektivë globale
Jam i lumtur që dje u pajtuam për një arritje të rëndësishme të BE-së në luftën kundër ndryshimeve klimatike: kemi aprovuar komunikatën e Komisionit Evropian për "Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së". Marrëveshja zotohet të neutralizojë lirimin e karbonit në Evropë deri në vitin 2050, e kjo do të na bëjë ne kontinentin e parë në botë me një klimë neutrale. Ky cak ambicioz thekson që BE-ja do të vazhdojë të jetë palë udhëheqëse globale në këtë aksion për klimën.
Ndryshimi klimatik është një nga sfidat më të mëdha gjeopolitike me cilën ballafaqohemi. Kjo shkakton probleme me rishpërndarje, brenda dhe përtej BE-së, dhe shkakton jostabilitet dhe presion nga migrimi. Kjo gjithashtu shkakton probleme me drejtësi shoqërore, tensionim dhe rreziqe nga konflikti dhe kërcënon të drejtat e njeriut. Trajtimi i këtyre kërcënimeve të shumëfishta duhet të jetë në qendër të politikës së jashtme.
Javën e kaluar mora pjesë në hapjen e COP 25 në Madrid që ishte aktiviteti im i parë në cilësinë e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së. Siç theksova atje, BE-ja është duke marrë përgjegjësi: Marrëveshja e Gjelbër paraqet masat transformuese për ta luftuar ndryshimin klimatik. Ambicia e saj është e pashembullt.
https://twitter.com/eu_eeas/status/1201466434884395008
Por, për të arritur ndikim global, na nevojitet veprimi kolektiv. BE-ja është përgjegjëse për vetëm 9% të emetimeve globale, dhe kjo përqindje është në rënie e sipër; kurse, vendet G20 që nuk janë në BE janë përgjegjëse për më tepër se 70% të emetimeve dhe kjo përqindje është duke u rritur te shumica e vendeve. Dua që veprimi klimatik të jetë prioriteti kryesor i bashkëpunimit tonë me vendet partnere. Duhet të punojmë me të gjithë – nga emetuesit më të mëdhenj ne Azi, të cilët duhet të jenë më ambicioz për këtë, deri tek emetuesit e mundshëm të mëdhenj në Afrikë, të cilët do t’i mbështesim në përpjekjet e tyre për të siguruar tranzicion të qëndrueshëm ekonomik. Duhet të punojmë në çdo nivel, me partnerë shumëpalësh, siç janë Kombet e Bashkuara, si dhe me komunitete lokale dhe shoqëri civile.
Gjatë mandatit tim do të bëj gjithçka që kam në dispozicion për ta përforcuar ndikimin tonë dhe për ta krijuar një bashkëpunim të sinqertë global për klimën. Përforcimi i diplomacisë për klimë nënkupton punën në partneritete. Nuk është e lehtë për askënd, por në BE kemi mjaft përvojë për të ndarë – të kalohet nga emetimi në ndihmën që rajonet t’i përshtaten largimit nga thëngjilli; dhe kemi mundësi të ndihmojmë, si donatori më i madh për klimën së bashku me ndihmën e shteteve anëtare me mbi 40% të financave publike botërore për klimën.
Prandaj, derisa e fillojmë këtë fazë të re të diplomacisë për ‘Marrëveshjen e Gjelbër’, delegacionet e BE-së do ta shtojnë angazhimin me vendet përkatëse për ta mbështetur vizionin e BE-së për tranzicion drejt një të ardhmeje të qëndrueshme. Do t’i përdorim të gjitha mjetet në dispozicion – prej politikave për tregti dhe asistencë teknike deri te zhvillimi i kapaciteteve dhe i bashkëpunimit, si dhe mjetet për menaxhim të krizës. Kjo është fryma e Komisionit gjeopolitik. Nëse e realizojmë Marrëveshjen e Gjelbër për Evropën dhe kështu ta bëjmë BE-në shembull për një tranzicion të drejtë e të qëndrueshëm, atëherë do të kemi kredibilitet për të bërë presion dhe për të kërkuar të njëjtën nga të tjerët. Atëherë me të vërtetë do të bëjmë një ndryshim për të ardhmen e planetit tonë.
MORE FROM THE BLOG
“A Window on the World” – by HR/VP Josep Borrell
Blog by Josep Borrell on his activities and European foreign policy. You can also find here interviews, op-eds, selected speeches and videos.