This isn't an official website of the European Union

Maratona e koronës e BE-së: lëvizje në të gjitha drejtimet

U bë më shumë se një muaj që koronavirusi e ka kapluar Evropën. Ndërkohë që çdo ditë punojmë mirë për të adresuar krizën në të gjitha aspektet e saj, është mirë të ndalemi dhe të reflektojmë se çfarë do të thotë të jetosh me COVID19, për jetën tonë të përditshme, për Evropën, për botën më të gjerë dhe si do të ndikojë në shoqërinë tonë.

 

Si shumë të tjerë, këto javë i kam kaluar i mbyllur brenda, në shtëpi ose në zyra të shkretuara në Bruksel, duke kaluar nga një video-konferencë ose telefonatë në një tjetër. Kjo është më mirë se asgjë, por edhe acaruese, pasi telefonatave, madje edhe video-konferencave, u mungon një përbërës kyç që diplomacia të funksionojë: bashkëveprimi njerëzor. Që të farkëtosh marrëveshje, duhet që njerëzit t’i shohësh në sy, të angazhohesh drejtpërdrejt dhe të shkëmbesh dy fjalë të qeta në një qoshe. Diplomacia shumëpalëshe, në kuadër të BE-së dhe globalisht, është e vështirë edhe në kohët më të mira. Tani kjo është veçanërisht e vërtetë pasi besimi - ai përbërës magjik dhe i domosdoshëm që njerëzit të arrijnë në kompromis - është më e vështirë të ndërtohet mbi një linjë video me audio të dobët. Nga ana tjetër, për disa takime, video-konferencat mund të jenë mjaft të mira. Dhe me siguri kursejmë shumë kohë dhe para.

Kohë të sprovës

Nuk ka kuptim të mohohet se këto janë kohë të sprovës, apo edhe ekzistenciale për BE-në. Andaj, është thelbësore që evropianët ta shohin dhe ta ndiejnë vlerën e shtuar të bashkimit të tyre. E dimë se nuk ka qenë gjithmonë kështu, dhe që kjo të ndodhë, institucionet evropiane duhet t’i prekin zemrat e njerëzve, si dhe mendjet e tyre. Presidentja Ursula von der Leyen bëri mirë kur këtë javë kërkoi falje në emër të BE-së në Parlamentin Evropian për të gjithë ata, kryesisht në Itali dhe Spanjë, që ndjeheshin të braktisur, me spitale të mbipopulluar, me mungesa të pajisjeve mjekësore dhe mbrojtëse, dhe numrin e të vdekurve duke arritur pothuajse 1000 në ditë në secilin vend.

Marrë parasysh mënyrën e krijimit të BE-së, nuk ishte befasuese që vendimet kombëtare mbizotëruan në fillimin e krizës. Shëndeti ka qenë një përgjegjësi kombëtare, dhe aftësia për veprim të shpejtë dhe ekzekutiv është shumë më e madhe në nivel kombëtar sesa në atë evropian. Por për shumë evropianë kjo ishte sidoqoftë zhgënjyese. Kjo krijoi përshtypjen se BE-ja jo vetëm që ishte e ngadaltë dhe e ndarë, por edhe ofroi pak solidaritet konkret për njerëzit në orën e nevojës maksimale. Këto perceptime mund të jenë të padrejta ose jo të plota. Por ato janë reale në pasojat e tyre. Disa nga kritikët e Evropës, brenda dhe jashtë, u vërsulën kundër dinamikës së fazës së parë, dhe disa nuk përtuan t’i fryjnë flakëve.  

Përgjigjja e brendshme e BE-së

Por pastaj, shumë shpejt, filloi një fazë e dytë, me vendime të përbashkëta për qarkullimin e mallrave përmes kufijve të mbyllur dhe prokurimin e përbashkët të pajisjeve mjekësore. Kur njerëzit flasin ose kritikojnë “BE-në”, duhet të jemi të qartë se kujt i drejtohet. Komisioni ka bërë gjithçka që është e mundur me instrumentet që ka në dispozicion, duke pezulluar menjëherë zbatimin e rregullave të Paktit të Stabilitetit dhe të Rritjes, si dhe duke i rritur mundësinë e shteteve anëtare të përdorin ndihmën shtetërore. Edhe Banka Qendrore Evropiane reagoi shumë shpejt, shumë më shpejt sesa gjatë krizës së euros, duke siguruar mbi 750 miliardë euro për blerjet e borxheve dhe duke i drejtuar blerjet e veta atje ku ato janë më të nevojshme. Komisioni ka propozuar edhe të ofrojë 100 miliardë euro kredi për Shtetet Anëtare për t’u ndihmuar të financojnë skemat e mbrojtjes së punës. Ky nuk është ende një sigurim plotësues i papunësisë në nivelin Evropian, por është një hap i rëndësishëm kur rrezikojmë papunësinë masive.

Këto ditë janë të shumtë ata që flasin për nevojën e një “plani Marshall”, si një burim frymëzimi. Por sigurisht e dimë që nuk ka një Xhorxh Marshall që vjen nga ana tjetër e Atlantikut. Për më tepër, nga ana historike plani i tij kishte për qëllim rindërtimin e një kontinenti të shkatërruar nga lufta. Edhe nëse disa e krahasojnë pandeminë me një luftë, nuk ka shkatërrim të kapitalit fizik. Pas një tërmeti, duhen rindërtuar infrastrukturat dhe kapacitetin e prodhimit. Por nuk është kjo situata jonë. Tani ne duhet të përqendrohemi në nevojat e menjëhershme të sistemeve shëndetësore, në sigurimin e të hyrave për ata që nuk mund të punojnë, duke zgjatur garancitë dhe shtyrjet e pagesave për firmat për të shmangur falimentimet.

Banka Evropiane e Investimeve (BEI) do të ofrojë 200 miliardë euro kredi veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Për më tepër, Mekanizmi Evropian i Stabilitetit (MES) do të vërë në dispozicion kredi, me norma interesi që janë pothuajse zero dhe kushte të shlyerjes së gjatë, për të financuar shpenzimet që shkaktohen drejtpërdrejt ose tërthorazi nga pandemia, pa kushtëzim specifik. Përtej kësaj, po ballafaqohemi me çështjen e krijimit të instrumenteve të reja, shtesë.  Thelbi i çështjes është se si evropianët e organizojnë solidaritet mes tyre dhe cilët janë kufijtë e këtij solidariteti. Këtu, është e rëndësishme të mos flasim vetëm për solidaritetin në nivelin makro dhe të politikave. Por, edhe të tregojmë rastet konkrete të solidaritetit brenda BE-së: miliona maska janë dërguar në Itali dhe Spanjë nga Franca, Austria, Çekia dhe të tjerë. Këto ishin shumë më tepër sesa ato të dërguara nga Rusia ose Kina, edhe pse e gjithë ndihma është e mirëpritur. Pacientët po trajtohen në spitalet e njëri tjetrit, me ekipet mjekësore që fluturojnë nga Rumania dhe gjetkë. Pra, kjo është një krizë mbarë Evropiane në mënyrën se si njerëzit e përjetojnë, edhe në mediat sociale, duke shpërndarë histori pozitive. Kjo tregon se ekziston një vetëdije evropiane edhe nëse duhet ta ndërtojmë këtë tregim dhe ta shpjegojmë më shumë dhe më mirë çka po bëjmë.  

Përgjigjja e jashtme e BE-së

Nga ana e jashtme, përmes video-konferencave me ministrat e Punëve të Jashtme, Mbrojtjes dhe Zhvillimit të BE-së, jemi dakorduar për veprime të përbashkëta në disa drejtime: duke punuar me Shtetet Anëtare në operacionin më të madh të riatdhesimit të realizuar ndonjëherë, duke i rikthyer në atdhe mbi gjysmë milioni evropianë të bllokuar. Ne u dakorduam për përdorim të plotë të ushtrive tona për ta luftuar virusin dhe pasojat e tij dhe për të kundërvepruar së bashku ndaj dezinformimit.

Një prioritet kyç ka qenë gjetja e një qasjeje të përbashkët evropiane për të ndihmuar personat e cenueshëm dhe ata të janë prekur më të shumtë, veçanërisht në Afrikë, rajonin e fqinjëve tanë dhe gjetkë. Edhe pse nevojat tona janë masive, është thelbësore që t’u ndihmojmë të tjerëve. Jo vetëm për shkak të solidaritetit, por edhe sepse është në interesin tonë që lufta kundër COVID-19 të jetë e suksesshme në të gjithë botën. Ne mund të jemi të sigurt nga virusi vetëm nëse edhe fqinjët tanë janë të sigurt.

Kjo është arsyeja pse e kemi riorientuar ndihmën tonë të jashtme për të ridrejtuar 20 miliardë euro të buxhetit të BE-së dhe kredive të BEI-t me qëllim të ndihmës për partnerët tanë për trajtimin e pandemisë. Kjo nuk janë mjete të reja monetare. Por është një mënyrë për t’u dhënë përparësi nevojave më urgjente. Dhe ne e kemi bërë këtë nën një kornizë të re, duke përdorur etiketën “Team Europe”, që do të thotë se Shtetet Anëtare dhe institucionet evropiane punojnë së bashku. Kjo duhet të përdoret në të ardhmen.

Pasojat më të thella të COVID-19

Javët e para të krizës sollën shumë vështirësi për politikëbërësit. Kur gjithçka ishte komplekse, urgjente dhe e pasigurt, atyre u duhej të merrnin  100% vendime bazuar në 50% informacion. Ajo që është pozitive është se ne shohim respekt për shkencën dhe ekspertizën, dhe njerëzit që kërkojnë gazetari cilësore. Populistët ende e shfrytëzojnë frikën dhe promovojnë sloganet e tyre nacionaliste. Sidoqoftë, politikat e bazuara në fakte dhe bashkëpunimi janë dukshëm mënyra më e mirë për t’i mbajtur njerëzit të sigurt.

Me çdo ditë që kalon, ne dimë më shumë rreth virusit dhe përgjigjja jonë po bëhet më e mirë. Kemi humbje të madha të jetës, por masat kanë filluar të funksionojnë. Pranimet në spital dhe rastet e kujdesit intensiv po bien. Ngadalë, por po bien. Pas fazës së menjëhershme të menaxhimit të krizës, puna e radhës do të jetë se si mund të dalim nga karantina dhe të fillojmë rimëkëmbjen ekonomike. Rruga do të jetë e gjatë dhe e vështirë, por kemi më shumë njohuri sesa kur filloi kriza. Dhe faza vijuese ka nevojë për një përgjigje të koordinuar - në Evropë dhe globalisht.

Lufta kundër koronavirusit ka sjellë një debat të madh për meritat e modeleve të ndryshme në vende dhe rajone të ndryshme. Dani Rodrik ka shkruar se kriza po forcon tendencat në vende dhe rajone, të cilat po kthehen në ‘versione të ekzagjeruara të vetes (vegëz e jashtme)’. Natyrisht, janë të shumtë ata që projektojnë ideologjitë e veta në këtë krizë.

Me shumë gjasa, kriza po përshpejton historinë duke forcuar trendet ekzistuese. Kjo do të thotë më shumë konkurrencë gjeopolitike dhe tensione më të mëdha SHBA-Kinë. Kjo nga ana tjetër do të ndikojë në nivelin e mundshëm të përgjigjes bashkëpunuese dhe shumëpalëshe nga OKB-ja dhe G20. Do të jetë kryesisht barrë e Evropës dhe atyre që ndajnë mendime të njëjta që ta udhëheqin këtë përpjekje: të shtyjë, të bindë dhe të farkëtojë përgjigjen shumëpalëshe që është tepër e domosdoshme. Mobilizimi i të gjitha instrumenteve multilaterale ekzistuese, reformimi i tyre aty ku është e nevojshme, dhe gatishmëria për të ndërtuar instrumente të reja dhe më të mira

Ndërkohë që kalojmë në fazën tjetër, është e rëndësishme të shtrojmë pyetje më të thella. Çfarë roli do të ketë për shtetin, për ndërhyrjen dhe mbrojtjen në rimëkëmbjen pas krizës? Çfarë do të thotë kriza për sistemin e mëparshëm të globalizmit ekonomik? Një ‘de-globalizim’ i plotë duket i pamundur, por me siguri kemi nevojë për më shumë theks në siguri - dhe shëndetin e përfshirë në atë kategori - çka do të thotë ndërtimin e rezervave të materialeve strategjike dhe krijimin e zinxhirëve më të shkurtër dhe më të larmishëm të furnizimit. E gjithë kjo është një shtysë e re për t’u marrë seriozisht me autonominë strategjike të Evropës.

Ne gjithashtu duhet të mendojmë thellësisht për pasojat për sistemet tona demokratike. Kriza mund të përdoret për të centralizuar kompetencat dhe për t’i dobësuar kontrollet demokratike - dhe ne duhet të mbrohemi prej kësaj. Duhet të jemi të qartë se forma më reziliente e qeverisjes është ajo me kontrolle dhe ekuilibra, ku qytetarët janë të fuqizuar dhe jo nën urdhra. Kërkohet një veprim balancues për të siguruar mbrojtjen e vlerave demokratike dhe të drejtave dhe liritë individuale, kundrejt masa të nevojshme për të luftuar virusin dhe për t’i mbyllur karantinat. Në këtë kontekst, është inkurajuese të shohim shkencëtarët evropianë që bashkëpunojnë për teknologjinë e gjurmimit që është në përputhje me privatësinë.

Evropa e mobilizuar plotësisht tashmë

Trajtimi i krizës së koronës është maratonë, jo sprint. Ata që dukeshin si ‘fitimtarë’ në fillim, mund të rrëzohen më vonë. Dhe e kundërta është gjithashtu e vërtetë. Pas një fillimi të lëkundur, BE-ja tani është plotësisht e mobilizuar në të gjitha drejtimet. Nevoja për solidaritet dhe veprim të përbashkët pranohet në të gjithë kontinentin. Dhe zgjedhjet tona parimore për multilateralizëm dhe partneritet janë duke gjetur jehonë në mbarë botën.

Bota pas pandemisë do të jetë më e fragmentuar. Me shumë kërcënime që do të mbeten. Muaji im i dytë i jetesës me krizën e koronavirusit do të përdoret për adresimin e tyre, me shpresë se do të rivendoset diplomacia e stilit të vjetër me kontakte personale.

 

More blog posts by EU High Representative Josep Borrell

 

HR/VP box
HR/VP Josep Borrell cartoon

“A Window on the World” – by HR/VP Josep Borrell

Blog by Josep Borrell on his activities and European foreign policy. You can also find here interviews, op-eds, selected speeches and videos.