Kosovë: Përfaqësuesi i Lartë Borrell flet me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq pas sulmit kundër Policisë së Kosovës
Pas sulmit qyqar dhe burracak terrorist të kryer sot kundër policëve të Policisë së Kosovës, Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell foli me kryeministrin Albin Kurti.
Ai e dënoi agresionin e sotëm me shprehjet më të forta.
Përfaqësuesi i Lartë Borrell shprehu ngushëllimet e tij për familjen, kolegët dhe të afërmit e zyrtarit policor që humbi jetën në krye të detyrës dhe u uroi shërim të shpejtë zyrtarëve policorë të plagosur.
Përfaqësuesi i Lartë i ka telefonuar edhe presidentit Aleksandër Vuçiq.
Përfaqësuesi i Lartë Borrell përsëriti thirrjen e tij për sulmuesit që të dorëzohen menjëherë dhe t’i lirojnë besimtarët në Manastirin e Banjskës në mënyrë që ata të largohen të sigurt. Ai bëri thirrje për rivendosjen e qetësisë dhe stabilitetit.
EULEX-i, si reagues i dytë i sigurisë, po monitoron situatën në terren dhe është i gatshëm të mbështesë institucionet e Kosovës në ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj, në përputhje me mandatin e vet dhe në koordinim të ngushtë me KFOR-in e NATO-s. Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së për Kosovën në terren është në kontakt të ngushtë me autoritetet.