Bashkimi Evropian ka kohë që ka mbështetur partnerët e saj në Ballkanin Perëndimor në rrugët e tyre përkatëse të integrimit dhe Këshilli Evropian riafirmoi mbështetjen e saj të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor më 9 mars 2017
Një politikë e besueshme e zgjerimit është komponent kyç i strategjisë globale të BE-së dhe nuk është vetëm një investim strategjik në sigurinë dhe prosperitetin e Evropës por tashmë ka kontribuar shumë në paqen në zonat e shkatërruara nga lufta. Kushtëzimi i zgjerimit të BE-së si dhe përqendrimi në bashkëpunimin e fuqishëm rajonal ndihmon në krijimin e një mjedisi politik të favorshëm për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe ose në largimin e instrumentalizimit politik.
Mbështetja e BE-së dhe bashkëpunimi me partnerët e saj në rajon jep sot përfitime konkrete: mundësi për të udhëtuar, për studime jashtë vendit, përmirësim gradual të qeverisjes dhe sundimit të ligjit, marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal.
Hapat e rëndësishëm për integrimin evropian:
- Marrëveshjet e Stabilizim Asociimit tanimë kanë hyrë në fuqi për të gjashtë partnerët; BE-ja dhe Kosova mbajtën takimin e tyre të parë të Këshillit të SA në nëntor 2016.
- Negociatat e pranimit me Malin e Zi janë duke përparuar mirë (32 kapituj janë hapur, 3 janë mbyllur përkohësisht) dhe me Serbinë (16 kapituj janë hapur, 2 janë mbyllur përkohësisht).
- Pas zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit, BE-ja do të japë mbështetje të vazhdueshme të fortë për të ecur përpara në zbatimin e reformës gjyqësore të Shqipërisë, e cila është një kusht kyç për fillimin e negociatave të pranimit.
- Pas aplikimit për pranim, BE-ja filloi të përgatisë Opinionin mbi Bosnjen dhe Herzegovinën në shtator 2016 dhe po pret përgjigjet nga pyetësori.
- Pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në dhjetor 2016, një qeveri e re e orientuar në reforma u zgjodh në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, e gatshme për zbatimin e prioriteteve urgjente të reformave dhe Marrëveshjes së Przhinos. BE-ja do të ofrojë mbështetje të fortë të vazhdueshme për vendin, për të vazhduar rrugën e integrimit evropian.
- Dialogu Prishtinë-Beograd i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesja e Lartë/Zëvendëspresidentja
Federica Mogherini është i lidhur me rrugën drejt integrimit në BE të të dyja palëve dhe është instrument i rëndësishëm për stabilitetin dhe paqen në rajon. Beogradi dhe Prishtina kanë treguar një nivel të madh përkushtimi ndaj dialogut, i cili ka rezultuar në arritje konkrete në interes të qytetarëve. Mbi 40 takime të nivelit të lartë janë mbajtur që nga vjeshta 2012.
Bashkëpunimi rajonal: Ekziston mbështetje e fortë politike dhe financiare e Bashkimit Evropian për bashkëpunimin në rajon, i cili vepron si një katalizator për pajtim dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë. Përveç mbështetjes së saj të fortë politike për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Procesin e Berlinit, BE-ja po jep mbështetje konkrete financiare për gjashtë iniciativa rajonale, duke përfshirë Këshillin e bashkëpunimit rajonal, për të nxitur zhvillimin ekonomik, për të përmirësuar lidhshmërinë dhe për të rritur sigurinë dhe shumë përfitime të tjera në të gjithë rajonin. BE-ja po mbështet iniciativën e Ballkanit Perëndimor për të themeluar një zonë ekonomike rajonale për ta bërë rajonin prej 20 milionë njerëzve më tërheqës për investitorët, duke krijuar vende të reja pune dhe mundësi brenda rajonit.
Agjenda e lidhshmërisë: BE-ja është duke themeluar tregun rajonal të energjisë dhe është afër nënshkrimit të një Traktati të komunitetit të transportit me regjionin. Infrastruktura e zhvilluar dhe e lidhur e transportit dhe energjisë është jetike për bashkëpunimin rajonal, rritjen ekonomike dhe tërheqjen e investimeve të reja. BE-ja po shpenzon deri në 1 miliard euro për infrastrukturën dhe ka ndarë fonde për asistencën teknike në Ballkanin Perëndimor, siç u njoftua në Samitin e Vjenës të Procesit të Berlinit në 2015.
BE-ja është donatori më i madh në Ballkanin Perëndimor
IPA: Instrumenti për asistencë para-anëtarësimit (IPA) është mjeti me të cilin BE-ja mbështet reformat në 'vendet e zgjerimit' me ndihmë financiare dhe teknike. Fondet e IPA- tani në periudhën e dytë të saj - zhvillojnë kapacitetet e vendeve gjatë gjithë procesit të pranimit, duke rezultuar në zhvillime progresive dhe pozitive në rajon. IPA II bazohet në rezultatet e arritura tashmë duke ofruar rreth 4 miliardë euro midis partnerëve individual në Ballkanin Perëndimor dhe një shtesë prej 3 miliardë euro në fondet e shumë vendeve për periudhën 2014-2020.
Fondet e para-anëtarësimit të BE-së janë një investim i shëndoshë për të ardhmen e vendeve të zgjerimit dhe vetë BE-së. Ato ndihmojnë përfituesit të bëjnë reforma politike dhe ekonomike, duke i përgatitur ata për të drejtat dhe detyrimet që dalin nga anëtarësimi në BE. Këto reforma u japin qytetarëve të tyre mundësi më të mira dhe lejojnë zhvillimin e standardeve të barabarta me ato që gëzojnë qytetarët e BE-së. Fondet e para-anëtarësimit gjithashtu ndihmojnë BE-në të arrijë objektivat e veta në lidhje me një rimëkëmbje të qëndrueshme ekonomike, furnizimin me energji, transportin, mjedisin dhe ndryshimet klimatike, etj.
Marrëdhëniet e forta ekonomike: BE-ja është partneri kryesor tregtar i Ballkanit Perëndimor për më shumë se dy të tretat e investimeve të huaja direkte në rajon.
Krijimi i mundësive për rininë dhe inovacionin: Pjesëmarrja direkte në programet e BE-së siç është Erasmus+, Horizon 2020, Creative Europe dhe COSME ndihmon partnerët të nxisin zhvillimin e tyre duke krijuar mundësi për të rinjtë dhe studiuesit. Në vitin 2015, më shumë se 18,000 studentë shfrytëzuan programin Erasmus + për veprime të lidhura me të rinjtë. Programi për hulumtim dhe inovacion “Horizon 2020” do të sigurojë më shumë se 125 milion euro në fondet e BE-së në mes të 2014 dhe 2020 për të nxitur kërkimet dhe inovacionin në rajon.
BE-ja mbështet stabilitetin dhe sigurinë në rajon
Siguria rajonale dhe globale: Dy misionet e Politikës së Përbashkët për Mbrojtje dheSiguri (CSDP) ((EUFOR’s Operation Althea dhe EULEX Kosovo) veprojnë në rajon; në të njëjtën kohë, partnerët në Ballkanin Perëndimor po bëjnë hapa drejt ofrimit të shërbimeve të sigurisë, ku 10 kontingjente veprojnë në misionet e CSDP anembanë botës.
Iniciativa kundër terrorizmit: Terrorizmi, ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizimi janë kërcënime të përbashkëta për BE-në dhe partnerët e Ballkanit Perëndimor që kërkojnë një qasje të përbashkët. Ne jemi duke punuar së bashku në Europol, Eurojust, Rrjetin e Ndërgjegjësimit ndaj Radikalizimit (RAN) dhe Iniciativën e Ballkanit Perëndimor kundër terrorizmit (WBCTi) dhe me mbështetjen financiare të IPA-s. Ne po sigurojmë më shumë se 42 milionë euro për luftën kundër terrorizmit dhe luftimin e projekteve të ekstremizmit të dhunshëm në rajon, përveç financimit të projekteve të lidhura me sigurinë dhe sundimin e ligjit.
Migrimi: BE-ja ka mbështetur fuqimisht dhe vazhdon të mbështesë partnerët e Ballkanit Perëndimor me më shumë se 100 milionë euro nëpërmjet programeve të dedikuara të mbështetjes financiare dhe ndihmave humanitare, ofrimit të ekspertizës në terren, sigurimit të trajtimit të qetë të flukseve të migracionit dhe minimizimit të hapësirës për kërcënime ndaj të drejtave të njeriut .