Bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe angazhimi i BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor
Duke marrë këtë vendim të rëndësishëm në kohëra kaq të vështira, BE-ja bëri përpara me një çështje me të vërtetë të rëndësishme politike dhe dërgoi një sinjal të rëndësishëm dhe një mesazh të qartë për Ballkanin Perëndimor: Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor. BE-ja dëshmoi se ishte e bashkuar në një prej politikave të veta parësore dhe e bëri këtë ndërsa trajton një krizë globale. Vendimi është me të vërtetë “një rreze drite në këtë errësirë përreth”, siç tha kolegu im i nderuar dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov, duke komentuar vendimin për hapjen e bisedimeve të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Ne kemi kërkuar shumë nga të dy vendet, dhe ata i përmbushën kërkesat. Tani, edhe BE-ja bëri hapin e duhur nga ana e vet. Është një mesazh inkurajues që puna e palodhur dhe udhëheqja e vërtetë nga të dyja palët çojnë në rezultate.
Dua po ashtu të përgëzoj Maqedoninë e Veriut që u bë anëtarja e 30-të e NATO-s këtë javë. Ky është një hap i rëndësishëm që e konsolidon më tej sigurinë evropiane dhe transatlantike. Pres me padurim që të punojmë ngushtësisht së bashku tani edhe për kornizën e bashkëpunimit BE-NATO.
Me fillimin e negociatave të anëtarësimit, tani na pret një punë e madhe dhe hapja e bisedimeve të anëtarësimit ishte vetëm një hap i parë i një procesi intensiv. Para hapit drejt anëtarësimit të plotë duhet të ndodhin reforma të thella sociale, politike dhe ekonomike. Këto transformime natyrisht kërkojnë kohë dhe përpjekje, por ajo çka është e rëndësishme është që “rrezja e dritës” për dy vende shtesë duhet gjithashtu të inkurajojë pjesën tjetër të rajonit për të bërë atë që është e nevojshme dhe për të ndjekur rrugën e reformave. Në dobi të qytetarëve të Ballkanit Perëndimor.
Në kohëra të tilla, kur të gjithë po luftojmë një krizë të padukshme dhe pasojat e saj, ne duhet të demonstrojmë se çfarë do të thotë me të vërtetë solidaritet evropian dhe global. Solidariteti nuk mund të jetë thjesht një fjalë që ne e përdorim pa asnjë lloj angazhimi. Solidariteti duhet të dëshmohet me veprime. Brenda BE-së, Shtetet Anëtare po tregojnë solidaritet pasi disa prej tyre po marrin pacientë nga spitalet e mbingarkuara të Shteteve të tjera Anëtare, si dhe po ndajnë pajisje mbrojtëse personale mes tyre. Puna e përbashkët gjithashtu vazhdon për të siguruar riatdhesimin e qytetarëve të bllokuar nëpër botë. Dhe ne nuk po i harrojmë popujt e Ballkanit Perëndimor.
BE-ja njoftoi këtë javë një paketë të ndihmës financiare dypalëshe për të gjashtë partnerët në rajon. Ne do të ofrojmë ndihmë të menjëhershme deri në 38 milionë Euro për t'u marrë me emergjencën që lidhet me COVID-19. Këto para blejnë respiratorë, maska dhe pajisje të tjera mjekësore, ato paguajnë fluturimet që sjellin ndihma dhe mbulojnë nevojat e menjëhershme të njerëzve. Për më tepër, BE-ja vendosi ta mbështeste rajonin duke rialokuar 374 milionë Euro për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike të rajonit, pasi të mbarojë emergjenca. Kjo do të thotë të shpëtohen vende pune, biznese, përfitime sociale, do të thotë të mundësohen njerëzit të vazhdojnë jetën e tyre pasi ta kapërcejmë këtë pandemi.
Më lejoni t'ju jap detajet konkrete të mbështetjes së menjëhershme të BE-së për sektorët e shëndetësisë të vendeve individuale të Ballkanit Perëndimor dhe mbështetjen për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike:
-
Shqipëria: 4 milionë Euro mbështetje për sektorin e shëndetësisë; 47 milionë Euro për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike. Kjo pason ofrimin e ndihmës së menjëhershme humanitare të BE-së dhe konferencën e donatorëve që premtoi më shumë se 1 miliard Euro për rindërtimin e Shqipërisë pas tërmetit shkatërrimtar nëntorin e kaluar.
-
Bosnje dhe Hercegovina: 7 milionë Euro mbështetje për sektorin e shëndetësisë, dhe 74 milionë Euro për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike. Qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës gjithashtu kanë mundur të kthehen në shtëpi nga Maroku me një avion riatdhesimi të BE-së.
-
Kosova: 5 milionë Euro mbështetje për sektorin e shëndetësisë, 63 milionë Euro për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.
-
Mali i Zi: 3 milionë Euro mbështetje për sektorin e shëndetësisë, 50 milionë Euro për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.
-
Maqedonia Veriore: 4 milionë Euro ndihmë e menjëhershme për sektorin e shëndetësisë, 62 milionë Euro për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.
-
Serbia: 15 milionë Euro ndihmë e menjëhershme për sektorin e shëndetësisë, 78 milionë Euro për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike.
Ballkani Perëndimor mund të mbështetet në solidaritetin e BE-së. Dhe jo vetëm në kohëra krizash. BE-ja është donatori, investitori dhe partneri tregtar kryesor i Ballkanit Perëndimor. Që nga viti 2014, BE-ja ka dhënë mbi 1 miliardë Euro mbështetje për popujt e Ballkanit Perëndimor. Këto janë fakte të rëndësishme që demonstrojnë përfshirjen e BE-së në rajon dhe përpjekjet e saj për të luftuar virusin brenda BE-së dhe jashtë saj, përfshirë në Ballkanin Perëndimor.
Kjo është koha për ta marrë seriozisht solidaritetin dhe bashkëpunimin. Ne kemi nevojë të punojmë krah për krah, me solidaritet, duke mbështetur njëri-tjetrin, pasi askush nuk është në gjendje të merret me situatën aktuale i vetëm.
MORE FROM THE BLOG
“A Window on the World” – by HR/VP Josep Borrell
Blog by Josep Borrell on his activities and European foreign policy. You can also find here interviews, op-eds, selected speeches and videos.