Solidariteti në vepër: ndihmë thelbësore nga BE-ja në luftën e Maqedonisë së Veriut kundër zjarreve
Në kuadër të Mekanizmit për Mbrojtje Civile të BE-së, vendi pranoi- në dy raste - ndihmë urgjente për shuarjen e zjarrit nga ajri prej disa shteteve pjesëmarrëse: Kroacia, Çekia, Gjermania, Rumania, Serbia, Sllovenia, Suedia, Turqia dhe Qiproja.
ECHO
Mekanizmi u aktivizua për herë të parë më 15 korrik, pas kërkesës urgjente të qeverisë, me Qendrën Koordinuese të Reagimit të Shpejt të BE-së që mobilizoi shpejt katër helikopterë dhe katër “air traktorë” për shuarjen e zjarrit nga ajri. Pas riaktivizimit të Mekanizmit më 30 korrik, autoritetet kombëtare morën ndihmë nëpërmjet nëntë aeroplanëve.
“BE-ja ka qenë gjithmonë aty për Maqedoninë e Veriut në kohëra sfiduese. Ndihma jonë e shpejtë dhe thelbësore përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së po ofron mbështetje jetike për përpjekjet lokale në luftën kundër zjarreve shkatërruese”, tha ambasadori i BE-së, David Geer. Më 3 gusht, ai së bashku me drejtorin e Qendrës për Menaxhimin e Krizave Stojançe Angelov morën pjesë në një konferencë me ekipet vendase dhe të huaja për aktivitetet e vazhdueshme për shuarjen e zjarreve.
ECHO
Mekanizmi mbulon pjesën më të madhe të shpenzimeve operative të ndihmës ajrore për shuarjen e zjarrit – shpenzimet e mbetura operative mbulohen nga vendet ofruese, si pjesë e solidaritetit europian. Maqedonia e Veriut mbulon shpenzimet për ushqimin dhe vendosjen e ekuipazheve të huaja, si dhe shpenzimet ditore si karburantet dhe tatimet e aeroportit.
Kjo nuk është hera e parë që Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të BE-së mobilizohet për të ndihmuar vendin të përballet me fatkeqësitë natyrore. Në gusht 2021, mbështetja e BE-së përmes Mekanizmit ishte kritike për shuarjen e zjarreve të mëdha në zonat e Pehçevës dhe Berovës. Në vitin 2015 dhe 2016, përmes Mekanizmit është ofruar mbështetje në kohë për përballimin e përmbytjeve të rënda që kanë prekur vendin. Mbështetje përmes Mekanizmit është ofruar edhe gjatë pandemisë me COVID-19.