This isn't an official website of the European Union

Pesë vite nga hapja e rrjetit të "Europe House"

Më 5 nëntor 2024, Europe House në Shkup shënoi 5 vjet nga hapja e saj dhe krijimi i rrjetit të “vendeve të gjeneratës së re” në Maqedoninë e Veriut. Përvjetori përkoi me Festivalin Ndërkombëtar të Studentëve të Dramës "Skomrahi" për vitin 2024.

Europe House në Maqedoninë e Veriut u hap në nëntor të vitit 2019, me hapjen e një zyre në Shkup nga Presidenti i atëhershëm i Parlamentit Europian, David Sassoli (1956 – 2022). Gjatë pesë viteve, rrjeti u rrit nga një në shtatë pika duke përfshirë edhe zyra në Kriva Pallankë dhe Strumicë (2020), Manastir dhe Veles (2023), dhe Strugë e Tetovë (2024). Edhe pse siguron një mbulim të ekuilibruar gjeografik, rrjeti i Europe House përfshin kryesisht, por jo ekskluzivisht, të rinj nga të gjitha sferat e jetës.

Përvjetori i 5-të u shfrytëzua për të mbështetur edicionin e Festivalit Ndërkombëtar të Studentëve të Dramës "Skomrahi" për vitin 2024. Nga 1 deri më 5 nëntor, nën patronazhin e Europe House, u mbajtën 6 shfaqje teatrale, 8 filma, 1 ekspozitë dhe takime të shumta studentore. Mbyllja e "Skomrahi"-t shënoi ngjarjen qendrore të rrjetit Europe House. Kjo është në përputhje me mbështetjen dhe mirënjohjen që Europe House i shpreh vazhdimisht sektorit të kulturës në Maqedoninë e Veriut.

Por, kultura është vetëm një nga fushat e aktiviteteve të Europe House. Rrjeti gjithashtu angazhon pjesëmarrës nga fusha e mjedisit, arsimit, shëndetësisë, të drejtave të njeriut, aftësive dixhitale, sipërmarrësisë dhe shumë më tepër. Qëllimi është që të rinjtë të përfshihen në aktivitete dhe iniciativa që janë të rëndësishme për ta dhe që lidhen me BE-në, vlerat dhe politikat e saj.

Ambasadori i BE-së, Michalis Rokas me këtë rast tha, "Misioni i Europe House është të afrojë BE-në me të rinjtë dhe në të njëjtën kohë t'i ndihmojë ata të realizojnë ëndrrat dhe aspiratat e tyre këtu në Maqedoninë e Veriut. Në këtë mënyrë duam të kontribuojmë në përgatitjen e një brezi të ri qytetarësh dhe liderësh të ardhshëm të BE-së."

Deri më sot, rrjeti Europe House ka organizuar rreth 3,500 ngjarje, me pjesëmarrjen e 140,000 individëve. Çdo ditë, 70-100 të rinj komunikojnë me ose përmes rrjetit – qoftë për të ndërtuar lidhje, për të mësuar ose për të ndarë vizionin e tyre për të ardhmen. Rrjeti i Europe House do të vazhdojë të gjallojë, duke afruar të rinjtë dhe shoqërinë për të ndarë ide, për të mësuar dhe – më e rëndësishmja, për të bërë një ndryshim!