Nënkomiteti i 20-të BE-Maqedonia e Veriut për Transport, Mjedis jetësor, Energjetikë dhe Zhvillim Rajonal i mbajtur
Në fushën e mjedisit, Maqedonia e Veriut raportoi përparim të kufizuar në përafrimin e politikave të saj mjedisore me standardet e BE-së në fusha si cilësia e ajrit dhe ujit, menaxhimi i mbeturinave, mbrojtja e natyrës dhe vlerësimi i ndikimit në mjedis. Komisioni theksoi nevojën që qeveria të miratojë një qasje me kyçjen e gjithë qeverisë dhe gjithë ekonomisë për t'i dhënë përparësi integrimit mjedisor në të gjitha nivelet.
Sa i përket mbrojtjes civile, pavarësisht se është e lidhur me Shërbimet Trans-Europiane për Telematikë ndërmjet Administratave (TESTA), Maqedonia e Veriut ende nuk është integruar në sistemin e përbashkët të komunikimit dhe informacionit të urgjencës (CECIS) për shkak të ndërprerjeve gjatës pandemisë së COVID-19 dhe mungesës së stafit të TI-së. Ndërsa vendi aktivizoi Mekanizmin e Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian për zjarret në pyje dhe njoftoi planet për të reformuar sistemin e vet të mbrojtjes civile, veprime konkrete mbeten pezull. Vonesat në kontratat e mirëmbajtjes për numrin e urgjencës 112 dhe mungesa e fondeve rrezikojnë më tej funksionalitetin e sistemit.
Lidhur me politikën rajonale sfidat vazhdojnë në kapacitetin administrativ për menaxhimin e fondeve të BE-së, me mungesë të personelit, vonesa në trajnime dhe mungesë të udhëheqjes së përhershme në pozicionet kyçe. Komisioni theksoi nevojën për një koordinim më të mirë, qeverisje më të fortë vendore dhe decentralizim më efektiv për të rritur ndikimin e politikave rajonale. Ai i kërkoi Maqedonisë së Veriut të shkojë përtej vlerësimeve të nivelit të projektit dhe të masë efektet më të gjera të përpjekjeve të saj për zhvillimin rajonal duke përfshirë aspektet urbane dhe territoriale.
Në lidhje me Veprimin për Klimën, Maqedonia e Veriut përballet me vonesa në fusha kritike, duke përfshirë miratimin e Ligjit për Veprimin për Klimën dhe zbatimin e kornizave të monitorimit, raportimit, verifikimit dhe akreditimit (MRVA). Përditësimet e Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës janë duke u zhvilluar, por nevojiten urgjentisht përafrimi i mëtejshëm me Legjislaturën e BE-së për klimën dhe përparimi në Planin Kombëtar të Përshtatjes. Komisioni nënvizoi rëndësinë e veprimit të shpejtë dhe gjithëpërfshirës për të përmbushur afatet.
Sa i përket energjetikës, ndërkohë që Maqedonia e Veriut po avancon projektet e dekarbonizimit dhe të energjisë së ripërtëritshme, mbeten zbrazëtira të konsiderueshme në përafrimin me direktivat e BE-së për energjetikën duke përfshirë Paketën e Integrimit të Energjisë Elektrike dhe Direktivën për Efiçiencën e Energjisë. Krijimi i një Ministrie të re të Energjetikës u mirëprit, por sfidat vazhdojnë në rritjen e investimeve për tranzicionin e gjelbër dhe përditësimin e dokumenteve strategjike të energjisë. Komisioni i theksoi vonesat në Planin e Investimeve për Tranzicionin e thëngjillit si një fushë që kërkon vëmendje të menjëhershme.
Në fund, sa i përket fushës së transportit, u vu re përparim i kufizuar në Rrjetin Trans-Europian të Transportit (TEN-T) dhe reformat e politikave të transportit. Përfshirja e Maqedonisë së Veriut në Korridorin Mesdhetar Lindor të Ballkanit Perëndimor (WBEM) u mirëprit, por ende kërkohen përpjekje thelbësore për të ruajtur infrastrukturën, për të adresuar nevojat alternative të karburantit dhe për të përmirësuar sigurinë rrugore dhe hekurudhore. Komisioni theksoi rëndësinë e përshpejtimit të zhvillimit të Korridorit VIII hekurudhor dhe Korridorit X për të pozicionuar Maqedoninë e Veriut si një qendër rajonale të transportit. Hapja e tregut hekurudhor dhe përafrimi me standardet e ndërveprimit të BE-së mbeten çështje kritike, ashtu si zhvillimi i mëtejshëm i transportit multimodal dhe Planeve të Qëndrueshme të Lëvizshmërisë Urbane (SUMP).
Në përfundim të takimit, BE-ja i kërkoi Maqedonisë së Veriut të rrisë angazhimin e saj politik, të forcojë kapacitetet institucionale dhe të zbatojë reformat e nevojshme për të përmbushur standardet e BE-së në të gjithë këta sektorë.