This isn't an official website of the European Union

Nënkomiteti i 20-të BE-Maqedonia e Veriut për Inovacion, Shoqëri Informative dhe Politikë Sociale

Takimi i 20-të i Nënkomitetit për Arsim dhe Kulturë, Hulumtim dhe Politikë Inovative, Shoqëri Informative dhe Media, Politikë Sociale dhe Punësim në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut u mbajt më 23 janar 2025. Përfaqësues nga Komisioni Europian (në tekstin e mëtejmë, Komisioni) diskutuan me autoritetet kompetente nga Maqedonia e Veriut zhvillimet më të fundit në këto fusha. Takimi u bashkëkryesua, për BE-në,  nga Zëvendës Shefi i Njësisë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në Drejtorinë e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit të Komisionit Europian, z. Giulio Venneri, dhe për Maqedoninë e Veriut nga Sekretari i Shtetit nga Ministria për Transformim Dixhital, znj. Gordana Klincarova.

Në fushën e arsimit, Komisioni përshëndeti ndër të tjera përparimin e Maqedonisë së Veriut, në arsimin digjital, arsimin dhe aftësimin profesional, si dhe në racionalizimin e rrjetit të shkollave dhe bërjen e financimit të tij më efikas dhe të qëndrueshëm. Ai vuri në dukje miratimin e ligjeve të reja ose të ndryshuara për aspekte të ndryshme të sistemit arsimor, duke nënvizuar se vazhdimi është i nevojshëm pasi që diskriminimi në bazë gjinore është hequr si bazë për diskriminim në Ligjin për arsimin fillor, i cili ngre pyetje në aspektin e përfshirjes. Komisioni nënvizoi gjithashtu nevojën për finalizimin e reformave tjera arsimore dhe rëndësinë thelbësore të ofrimit në kohë të masave sipas Agjendës Reformuese për të rritur zhvillimin e kapitalit njerëzor. Për projektin Shkupi Kryeqyteti Europian i Kulturës 2028, Komisioni theksoi nevojën për të mbështetur zbatimin e tij, në përputhje me angazhimet e marra gjatë kandidaturës së qytetit.

Për sa i përket shoqërisë Informatike dhe mediave, Komisioni përshëndeti përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për avancimin e integrimit në Tregun e vetëm Dixhital dhe zbatimin e numrit europian të emergjencës 112. Ai e përgëzoi Maqedoninë e Veriut për miratimin e Strategjisë së Sigurisë Kibernetike 2025-2028 më 21 janar 2025. Komisioni gjithashtu vuri në dukje se Maqedonia e Veriut do të miratojë strategjinë kombëtare të TIK-ut dhe planin e saj të veprimit në prill 2025. Ai inkurajoi Maqedoninë e Veriut të krijojë agjencinë e transformimit dixhital. Ai nënvizoi nevojën që Maqedonia e Veriut të merr pjesë aktive në thirrjet e Programit të Europës Dixhitale në të cilën ajo tashmë merr pjesë. Komisioni nënvizoi se pavarësia e rregullatorit duhet të sigurohet në dispozitat e ligjit të ri që përputhet me Kodin e Telekomit të BE-së. Ai theksoi gjithashtu nevojën e përafrimit me rregullat e mjeteve të sigurisë kibernetike 5G në përgatitjen e planit të vendosjes së 5G dhe nevojën për të harmonizuar plotësisht ligjet e medias me Direktivën e Shërbimeve të Medias Audiovizive dhe Aktin Europian të Lirisë së Medias, me këtë të fundit që gradualisht të bëhet i zbatueshëm në të gjithë BE-së. Gjithashtu në këtë sektor, Komisioni nënvizoi edhe një herë nevojën për të finalizuar reformat në pritje dhe për të kryer në kohë veprimet legjislative që janë ndër hapat e Axhendës Reformuese.

Në fushën e politikës sociale dhe punësimit, Komisioni përshëndeti përpjekjet për uljen e papunësisë, duke përfshirë hapat e ndërmarrë për përmirësimin e mëtejshëm të arsimit dhe aftësimit profesional, si miratimi i ligjit të ri për arsimin dhe aftësimin profesional. Ai gjithashtu përshëndeti rritjen e konsiderueshme të njerëzve që marrin ndihmë minimale të garantuar (GMA). Komisioni vuri në dukje se skema e Garancisë për të rinjtë vazhdoi të zbatohej me sukses në të gjithë vendin. Sfidat strukturore mbeten, kur bëhet fjalë për shkallën e lartë të papunësisë, veçanërisht të të rinjve, grave, romëve dhe personave me aftësi të kufizuara, si dhe për mundësitë e barabarta, si dhe aspektet e punësimit dhe ato sociale të barazisë gjinore. Komisioni theksoi nevojën e përshpejtimit të reformave legjislative në pritje si miratimi i ligjit të ri për marrëdhëniet e punës, për sigurinë dhe shëndetin në punë dhe forcimin e zbatimit të ligjit për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve të punës.

Komisioni përshëndeti përpjekjet e bëra nga Maqedonia e Veriut për forcimin e kapaciteteve kërkimore dhe inovative të sektorit publik dhe privat, rritjen e buxhetit të shkencës dhe përpjekjet e vazhdueshme të vendit për të përmirësuar pjesëmarrjen në Horizon Europe. Ai përgëzoi homologët për përfundimin e Strategjisë së Specializimit të zgjuar, por nënvizon se tani duhet të fillojë zbatimi i saj.