This isn't an official website of the European Union

Mbetjet e kthyera në produkte: BE-ja ndihmon një kompani të riciklimit të letrës të nxisë praktikat e gjelbra

MIT Group nga Kumanova i riciklon mbeturinat e letrës që nga viti 2015. Por ajo që e dallon atë nga kompanitë e tjera të riciklimit është se i kthen mbeturinat në një produkt të ri - ambalazh industrial, i cili shitet mirë. Me ndihmën e BE-së, MIT ka dyfishuar kapacitetin e tij për të ricikluar dhe prodhuar – në përputhje me parimet e ekonomisë rrethore.

 

Mostra të Mbajtëseve për vezë në madhësi të ndryshme të vendosura në tavolinën e zyrës së sipërmarrësit nga Kumanova Oliver Tasevski. Ato janë rezultat i një procesi që fillon me grumbullimin e mbeturinave të letrës dhe kartonit (të cilat përndryshe do të përfundojnë në deponi), vazhdon me prodhimin e pulpës prej tij dhe përfundon me përdorimin e pulpës si lëndë e parë për prodhimin e mbajtëseve të vezëve.

“Produktet e letrës së ricikluar janë ‘in’ në BE me polistiren dhe ambalazhe plastike që hiqen nga përdorimi. Ata janë e ardhmja jonë”, thotë Tasevski.

Kompania e tij MIT Group është një nga përfituesit e programit të ndihmës së BE-së për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në Maqedoninë e Veriut, të zbatuar nga Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit GmbH (GIZ). Programi, i titulluar "BE-ja për Rritjen Ekonomike", i ndihmon kompanitë të bëhen më produktive dhe konkurruese me ndikim minimal në mjedis – që është baza e Marrëveshjes së Gjelbër Europiane.

BE-ja ndihmoi MIT Group me 254,000 euro për të blerë pajisje të reja, më të sofistikuara. Kështu kompania pothuajse dyfishoi kapacitetin e saj për të përpunuar mbetje letre (nga tre në mbi pesë tonë në ditë) dhe për të prodhuar ambalazhe industriale. E gjithë kjo duke kursyer energjinë elektrike dhe duke reduktuar emetimet e CO2 nga prodhimi.

“Me teknologjinë tonë fillestare, ne mund të prodhonim vetëm mbajtëse për vezë. Me makinën e re mund ta zgjerojmë prodhimin edhe me lloje të tjera të ambalazheve, siç janë mbajtëse të letrës për filxhanë (kafe/lëng) apo produkte për industrinë e këpucëve”, thotë Tasevski.

Rritja e prodhimit çoi në më shumë punësime (në 18, nga të cilët gjysma janë gra), duke përfshirë nga grupet sociale të cenueshme. Një nga objektivat e MIT Group është ngritja e një sistemi për grumbullimin, transportin dhe trajtimin e mbeturinave të letrës – për këtë qëllim vendosën kontejnerë të veçantë para supermarketeve në Kumanovë.

Ambasadori i BE-së Michalis Rokas ka vizituar MIT Group si një shembull i mirë se si mund të përdoret ndihma e BE-së për afrimin e ekonomisë së qëndrueshme si një qëllim i përbashkët.

MIT equipment

Ky është në thelb qëllimi i të gjithë programit "BE-ja për Rritjen Ekonomike". Me një total prej 4.19 milionë eurosh, ndihmoi në ‘gjelbërimin’ e aktivitetit ekonomik të 25 ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme nga pjesë të ndryshme të vendit – duke mbështetur futjen e teknologjive të reja apo instalimin e paneleve fotovoltaike. Kjo përpjekje pritet të reduktojë emetimin vjetor të CO2 në vend për 11,000 tonë. Kjo është e barabartë me emetimin vjetor të CO2 nga 2300 makina – gjë që është e rëndësishme për një vend që lufton me cilësinë e dobët të ajrit për pjesën më të madhe të vitit.