This isn't an official website of the European Union

Magjia e numrit 7: Rrjeti i Europe House në Maqedoninë e Veriut tani është i plotë!

Në disa kultura, numri 7 lidhet me "plotësinë". Në ditët e kaluara, numri i Europe House në Maqedoninë e Veriut arriti këtë numër magjik me hapjen e qendrave të reja në Strugë dhe Tetovë, duke kompletuar kështu rrjetin e Europe House në mbarë vendin. Si rezultat, ky Rrjet - qëllimi i të cilit është të promovojë zhvillimin e të rinjve, aktivizmin, kreativitetin dhe inovacionin të gjitha brenda kornizës së rrugës së Maqedonisë së Veriut drejt BE-së - do të ketë një shtrirje edhe më të gjerë.

 

Në mbrëmjen e 5 qershorit, qendra e Tetovës ishte përplot. Një performancë e drejtpërdrejtë e muzikës tradicionale në gjuhën maqedone, shqipe dhe turke po mbushte objektin e rinovuar dhe sheshin kryesor ngjitur. Dritaret e mëdha të të cilit pasqyronin, nga jashtë, fytyrat e buzëqeshura të vizitorëve kryesisht të rinj, dhe nga brenda, vështrimet kurreshtare të kalimtarëve.

Zarina Prvasevda dhe ansambli i saj – për kënaqësinë e audiencës – ishin muzikantët e parë që “e ngrohën shtëpinë” Europe House Tetovë, në ditën e inaugurimit të saj zyrtar. Zarina sapo ishte kthyer nga Brukseli, ku kishte performuar në Festivalin Balkan Trafik pasi fitoi atje çmimin Talenti i ri më i mirë për vitin 2023. Përveç muzikës së saj të jashtëzakonshme, Zarina është e njohur edhe si pjesë e përpjekjeve për ta shpallur Malin e Sharrit, me pamje nga Tetova, Park kombëtar.

Mbrojtja e biodiversitetit të Malit Sharr, sfidat mjedisore me të cilat përballet Tetova në përgjithësi si dhe përgjigjet e mundshme të politikave ishin temat e një debati të gjallë që ishte zhvilluar në të njëjtin vend vetëm disa orë më parë. Në debatin e mbajtur për të shënuar Ditën Botërore të Mjedisit, mori pjesë Ambasadori i BE-së David Geer, Koordinatorja e Përhershme e OKB-së Rossana Dudziak, përfaqësues të Parkut Kombëtar Mali Sharr, ekspertë vendas dhe studentë të universiteteve (Tetova ka dy universitete).

Para kësaj, ambasadori Geer i dorëzoi një bibliotekë mobile – me rreth 4,000 libra në gjuhët e rajonit – një OJQ-je lokale Loja. Biblioteka, e zhvilluar në kuadër të projektit të financuar nga BE "Rrjeti Rajonal për Diversitetin Kulturor - READ" kishte udhëtuar në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në Turqi. Loja do të sigurojë që misioni fisnik i bibliotekës të vazhdojë në Tetovë dhe në qytete të tjera.

Inaugurimit të Europe House në Tetovë i parapriu hapja e një qendre të ngjashme për të rinjtë në Strugë më 30 maj. Inaugurimi zyrtar u shënua me zbulimin e një murali të financuar nga BE-ja ("Symbiosis") në fasadën e Muzeut të Natyrës dhe një ngjarje rrjetëzimi për të rinjtë nga rajoni jugperëndimor i vendit. Europe House Strugë mbajti ngjarjen e saj të parë në muajin mars, pikërisht në kohën e duhur - me rastin e Ditës Botërore të Poezisë - për të ringjallur çmimin 'Mlada Struga' në bashkëpunim me Mbrëmjet Strugane të Poezisë një nga ngjarjet më të vjetra dhe më të njohura - në mbarë botën - që feston fuqinë bashkuese të poezisë, një katalizator për dialogun dhe paqen.

Historia e Europe House filloi në nëntor 2019 në Shkup, e ndjekur nga hapja e qendrave në Kriva Pallankë dhe Strumicë në 2021, dhe në Manastir dhe Veles në 2023.

Vetëm vitin e kaluar, qendrat e Europe House pritën rreth 900 ngjarje - artistike, edukative ose argëtuese - për mbi 36,000 pjesëmarrës. Rrjeti i zgjeruar organizoi 300 ngjarje vetëm në katër muajt e parë të 2024 – dhe po planifikon një shtrirje edhe më të madhe në periudhën në vijim.