BE-ja ndihmon në ringjalljen e zejeve të vjetra: aventura e poçarisë së fëmijëve të Gjeneratës Z nga Velesi
"Kur erdha për herë të parë (në punëtori), ishte e çuditshme për mua, por me kalimin e kohës u bë më interesante. Tani, parapëlqej më shumë të bëj sende prej balte sesa të luaj lojëra në celularin tim. Poçaria është me të vërtetë një zeje interesante." thotë Antonio, një nga nxënësit më të përkushtuar të grupit.
Në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, shumë familje në Veles merreshin me poçari, madje disa produkte u eksportuan në Europën Perëndimore. Poeti i madh maqedonas Koço Racin, poezia e angazhuar shoqërore e të cilit është simbol i luftës së punëtorëve, është marrë gjithashtu me poçari. Disa nga sendet prej qeramike që ai i bëri vetë janë ekspozuar në shtëpinë e tij përkujtimore – një nga shembujt më të mirë të arkitekturës tradicionale të Velesit.
Goce Stançev është një nga katër zejtarët e fundit të qeramikës në Veles. Ai udhëhoqi punëtoritë e poçarisë të organizuara nga OJQ-ja Razboj si pjesë e projektit "Punëtori Kreative Etnike për Ringjalljen e Zejeve të Vjetra", financuar nga BE-ja në kuadër të Programit rajonal për demokraci lokale në Ballkanin Perëndimor - ReLOaD dhe mbështetur nga UNDP-ja.
“Fillimisht ishim skeptikë, por doli se fëmijët kishin interesim të madh - janë regjistruar gjithsej 25 nxënës nga shkollat fillore në Veles. Disa prej tyre ishin vërtet të talentuar dhe unë u ofrova të vinin dhe të mësonin në punëtorinë time. Nëse arrijmë që nga 20 fëmijë, dy t'i bëjmë poçarë, do të jetë një sukses i madh”, thotë Stançev.
Anastasija, e cila gjithashtu ishte pjesë e punëtorive, i cilëson ato si ‘argëtuese’, sidomos kur pjesëmarrësit merreshin me vizatim dhe më pas punonin në shtuf. “Do të ishte mirë ta ruanim poçarinë si zeje sepse është pjesë e traditës së vendit tonë”, thotë ajo.
Stançev beson se është e nevojshme që vendi të angazhohet në ringjalljen e zejeve të vjetra ndërsa poçaria duhet të përfshihet në orët e artit si pjesë e planprogramit obligativ. “Poçaria ka të ardhme, por duhet inkurajim, unë dhe bashkëshortja ime kemi 15 vite të angazhuar profesionalisht në këtë punë. Ka kërkesë të madhe në treg por nuk ka kush të punojë, ka vetëm 7-8 zejtarë në të gjithë vendin. Unë jam dëshmi e gjallë që njeriu mund të jetojë nga poçaria.
Një nga qëllimet kryesore të programit rajonal ReLOaD është inkurajimi i partneriteteve ndërmjet komunave dhe organizatave lokale të shoqërisë civile, si dhe krijimi i një metodologjie për shpërndarjen transparente të burimeve financiare për projektet në dobi të qytetarëve.
"Komuna e Velesit vazhdimisht na përkrah. Të gjitha punëtoritë për ringjalljen e zejeve të vjetra mbahen në shtëpitë e artit të siguruara nga komuna. Kemi kushte të mira dhe për këtë arsye këto punëtori janë unike në vendin tonë", thotë Stançev.
Ky ishte një nga 50 projektet e realizuara në tetë komuna në të gjithë vendin përmes ReLOaD në tre vitet e fundit. Projektet u fokusuan kryesisht në mbështetjen e të rinjve, promovimin e kohezionit dhe përfshirjes sociale, mbrojtjen e mjedisit dhe promovimin e trashëgimisë kulturore dhe potencialit turistik të vendit.