Ambasadori i BE-së Rokas dorëzoi letrat kredenciale te Presidentja Siljanovska-Davkova
Ambasadori i Bashkimit Europian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Mihalis Rokas, sot ia dorëzoi letrat kredenciale Presidentes së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.
Ambasadori Rokas deklaroi se është nder për të të jetë në Maqedoninë e Veriut si përfaqësues i Bashkimit Europian. Gjatë mandatit të tij, ai premtoi se do të bashkëpunojë me institucionet, aktorët politikë dhe të gjithë sektorët shoqërorë në të gjithë vendin. Presidentja dhe Euroambasadori Rokas shkëmbyen mendime për procesin e integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut, përparimin që vendi ka bërë, mundësitë për vendin në kuadër të Planit për Rritje, si dhe për reformat e ardhshme dhe sfidat që priten. Ambasadori Rokas shprehu vendosmërinë e tij për të mbështetur procesin e reformave që do të kenë ndikim pozitiv në jetën e të gjithë qytetarëve.
“Mandati im është që ta ndihmoj Maqedoninë e Veriut të ecë përpara dhe të bëjë hapa të prekshëm në rrugën drejt përcaktimit tonë të përbashkët dhe të palëkundur për anëtarësim në Bashkimin Europian,” tha ambasadori Rokas.
Më 5 Shtator 2024, ambasadori Rokas dorëzoi kopje të letrave kredenciale edhe te ministri i punëve të jashtme, Timço Mucunski. Ministri i punëve të jashtme Mucunski i uroi mirëseardhje ambasadorit Rokas, duke theksuar se misioni i tij fillon në një moment vendimtar për të ardhmen evropiane të vendit dhe shprehu bindjen se me përkushtim të përbashkët të fuqishëm do të arrihet përparim i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit dhe arritjes së anëtarësimit në BE.