This isn't an official website of the European Union

Përurimi i Zyrës Rajonale të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës të financuar nga BE-ja në Prishtinë

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, së bashku me ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, e përuruan sot zyrën e re rajonale të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë të Kosovës (AUVK-së) në Prishtinë.

Objekti i sapondërtuar është njëra nga pesë zyrat rajonale që janë ndërtuar në kuadër të një projekti të financuar nga BE-ja, nëpërmjet programit të Instrumentit për Asistencën e Para-anëtarësimit (IPA-së) 2017, me një investim prej gjithsej 2.5 milionë eurosh. Qëllimi i këtyre zyrave, të cilat gjenden në Prishtinë, Prizren, Pejë, Gjilan dhe Mitrovicë të Jugut, është që t’i plotësojnë nevojat aktuale dhe të ardhshme të AUVK-së me qëllim të forcimit të sistemit të sigurisë së ushqimit dhe shëndetit publik në Kosovë.

Ky projekt nuk ka të bëjë vetëm me ndërtesat; ka të bëjë me mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, garantimin e sigurisë së ushqimit dhe respektimin e standardeve të shëndetit publik për të mirën e popullit të Kosovës. Duke u përafruar me standardet e BE-së për sigurinë e ushqimit dhe shëndetin publik, Kosova po përparon në rrugën e saj drejt BE-së, duke krijuar mundësi për rritje ekonomike dhe tregti ”, tha ambasadori Orav.

Zyrat e reja rajonale të AUVK-së e mishërojnë qasjen "nga ferma në tavolinë", duke e mbrojtur shëndetin e konsumatorëve dhe duke iu përmbajtur standardeve të sigurisë së ushqimit në tërë zinxhirin e furnizimit. Ato i forcojnë kapacitetet administrative të agjencisë dhe e mbështesin industrinë bujqësore dhe ushqimore të Kosovës në përafrimin me rregulloret e BE-së dhe në zbatimin e standardeve të BE-së, duke hapur mundësi për tregti dhe rritje ekonomike.

Investimi i BE-së në sigurinë e ushqimit dhe shëndetit publik e pasqyron përkushtimin e saj më të gjerë për ta mbështetur rrugën evropiane të Kosovës. Përmes nismave si kjo, BE-ja synon t’i avancojë kapacitetet institucionale, ta përmirësojë shëndetin publik dhe ta rrisë aftësinë konkurruese të industrive të Kosovës.

Ndërtimi i këtyre zyrave rajonale është një hap i rëndësishëm përpara drejt përafrimit të infrastrukturës së sigurisë së ushqimit të Kosovës me standardet e BE-së, që është si në dobi të popullit të Kosovës, ashtu edhe të sektorit të bujqësisë.