Përkushtimi i BE-së për Arsimin në Kosovë: Fuqizimi i Gjeneratës së Ardhshme
Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Arsimit, Bashkimi Evropian riafirmon përkushtimin e vet të vazhdueshëm për avancimin e sektorit të arsimit në Kosovë. Prej vitit 2007, BE-ja ka investuar mbi 85 milionë euro në iniciativa që synojnë rritjen e cilësisë, qasjes dhe gjithëpërfshirjes në sistemin arsimor për të gjitha komunitetet në Kosovë. Këto përpjekje synojnë t’u ofrojnë studentëve dhe botës akademike në Kosovë mundësi të krahasueshme me ato në BE, duke kontribuar gjithashtu në zhvillimin ekonomik të bazuar në njohuri dhe krijimin e vendeve të punës.
Mbështetja gjithëpërfshirëse e BE-së përfshin të gjitha nivelet e arsimit, nga arsimi në fëmijëri të hershme deri te aftësimi profesional (AAP) dhe arsimi i lartë. Ky investim jo vetëm që ka përmirësuar infrastrukturën arsimore, por gjithashtu ka forcuar kornizën e politikave që rregullon arsimin në Kosovë, ka përmirësuar cilësinë e materialeve të mësimdhënies dhe teksteve shkollore, ka promovuar mësimnxënien digjitale, si dhe ka mbështetur përfshirjen e grupeve të cenueshme.
Si pjesë e Programi më të gjerë të BE-së për Punësimin dhe Arsimin, BE-ja ka mbështetur ndërtimin e objekteve të reja të Fakultetit e Shkencave Matematike-Natyrore me vlerë 8.9 milionë euro, duke shënuar një nga projektet e shumta për infrastrukturën kyçe në mbarë Kosovën. Deri më sot, BE-ja ka financuar ndërtimin e shkollave të reja dhe rinovimin e mbi 20 objekteve arsimore, duke përmirësuar ndjeshëm mjediset e mësimnxënies. Për më tepër, përmirësimet me efiçiencën e energjisë në më shumë se 60 shkolla anembanë Kosovës kanë reduktuar konsumin e energjisë deri në 30%, duke nënvizuar përkushtimin e BE-së për qëndrueshmëri. Projekte madhore për ndërtim të shkollave janë duke u zhvilluar aktualisht në Prizren dhe Ferizaj, dhe shkollat si shkolla fillore “Dardania” në Prishtinë janë rinovuar plotësisht me financimin e BE-së, duke u ofruar nxënësve dhe mësimdhënësve hapësira moderne dhe të sigurta ku ata munden të lulëzojnë.
Një nga iniciativat kyçe për përmirësimin e sistemit arsimor të Kosovës është projekti Përkrahje për Arsimin Fillor dhe të Mesëm të Lartë (KosEd), i cili fokusohet në zhvillimin e mësimdhënësve, rekrutimin dhe cilësinë e teksteve shkollore. Me mbi 1000 mësimdhënës të angazhuar, KosEd do të ndikojë drejtpërdrejt në 21% të shkollave të Kosovës deri në qershor 2025. Ky projekt ka mbështetur Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në nxjerrjen e pesë Udhëzimeve Administrative transformuese që e riformësojnë Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve. Në korrik 2024 projekti gjithashtu ka adresuar sfidat e rekrutimit duke sjellë një Rregullore në baza meritore për Procedurat e Përzgjedhjes, e cila siguron procese të standardizuara dhe transparente të rekrutimit nëpër komuna. Për më tepër, KosEd ka kontribuar në përmirësimin e cilësisë së teksteve shkollore, duke prodhuar 38 shqyrtime të detajuara të teksteve të gjuhës shqipe dhe matematikës për klasat 1-8 dhe duke ofruar trajnime për 200 mësimdhënës në shqyrtimin dhe përmirësimin e teksteve shkollore.
Paralelisht, përkushtimi i BE-së për të nxitur një sistem arsimor gjithëpërfshirës reflektohet në arritjet e projektit INCLUDE, i zbatuar në partneritet me Këshillin e Evropës. Teksa KosEd fokusohet në forcimin e zhvillimit të mësimdhënësve dhe resurseve arsimore, projekti INCLUDE ka bërë hapa përpara në sigurimin e qasjes së barabartë në arsim për anëtarët e komuniteteve jo-shumicë. Mbi 490 profesionistë të shkollave janë trajnuar për t’i mbështetur më mirë nevojat e ndryshme të nxënësve, duke përfshirë ata nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian. Për më tepër, projekti ka ofruar mentorim për më shumë se 600 nxënës të ciklit të mesëm të lartë dhe tutorim për më shumë se 100 studentë, duke u ndihmuar të përmirësojnë performancën akademike dhe të qëndrojnë të angazhuar në arsim, duke i udhëhequr gjithashtu në zhvillimin e karrierës.
Në fushën e arsimit profesional, BE-ja ka modernizuar kurrikulat, i ka përafruar me nevojat e tregut të punës, si dhe ka mbështetur trajnimin në vendin e punës. BE-ja ka punuar gjithashtu për të krijuar një sistem të përcjelljes për të diplomuarit e AAP-së duke siguruar që kualifikimet të përputhen me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve.
Pjesëmarrja e Kosovës në programin Erasmus+ është zgjeruar ndjeshëm. Prej themelimit të Zyrës Erasmus+ në Kosovë në vitin 2014, rreth 10,000 studentë dhe anëtarë stafi kanë marrë pjesë në shkëmbimet e lëvizshmërisë dhe janë ndarë më shumë se 50 bursa master. Ndërmjet viteve 2015 dhe 2024, institucionet e arsimit të lartë të Kosovës kanë siguruar 75 projekte për ngritjen e kapaciteteve dhe 11 institucione kanë marrë Kartat Erasmus për Arsimin e Lartë, duke e forcuar më tej pjesëmarrjen e Kosovës në rrjetet arsimore evropiane.
Be-ja e mbështet me krenari “Young Cell Scheme”, një program madhor i bursave i bashkëfinancuar nga BE-ja dhe Kosova. Prej vitit 2004, skema u ka mundësuar rreth 500 të rinjve dhe të rejave kosovare që të ndjekin arsimin e lartë në universitetet më të mira të BE-së. Këta të diplomuar janë kthyer me shkathtësi të avancuara për ta forcuar administratën publike të Kosovës dhe rrugën e saj evropiane. Duke kremtuar 20 vjetorin e saj këtë vit, skema pasqyron përkushtimin e BE-së për t’i fuqizuar udhëheqësit e ardhshëm dhe për të ndërtuar një të ardhme më të ndritshme për Kosovën.