This isn't an official website of the European Union

Për më se një shekull, aktiviteti ekonomik i shkaktuar nga revolucionet industriale dhe teknologjike ka krijuar një botë dinamike me standard të lartë jetese. Në këtë hov, kemi shkaktuar “pafajësisht” dëme në mjediset lokale, e për më tepër, kemi shkaktuar një cikël të rrezikshëm të ndryshimeve klimatike. Nëpërmjet aktivitetit tonë industrial dhe ekonomik (prodhimi, transporti, bujqësia, etj.) ne emetojmë të ashtuquajturat gazra serrë (dioksid karboni, metan etj.), të cilët sapo shkarkohen krijojnë një shtresë në atmosferë e cila kurthon nxehtësinë dhe shkakton rritje të temperaturave mesatare botërore.

Me kalimin e viteve, temperaturat më të larta ndryshojnë modelet klimatike, duke sjellë rreziqe për njerëzit dhe të gjitha format e tjera të jetës në Tokë. Ne jemi kaq të varur nga produktet dhe shërbimet që shkaktojnë dëme të mëdha në mjedis, saqë vazhdojmë agresionin ndaj klimës edhe kur i dimë shumë mirë pasojat.

Në dy dekadat e fundit, shumica e vendeve të zhvilluara që bartin barrën kryesore të shkaktimit të ndikimit të dëmshëm në klimë kanë hartuar politika të cilat janë përkthyer në ligje dhe rregullore, me qëllim të luftimit të ndryshimeve klimatike. Evropa është pararojë në këto politika dhe tashmë e angazhuar për të arritur neutralitetin në karbon deri në vitin 2050. Për të arritur këtë synim, të gjitha vendet evropiane do të investojnë në energjinë e ripërtërishme (dhe forma të tjera të energjisë së pastër), efiçiencën e energjisë si dhe më e rëndësishmja, dekarbonizimin e ekonomive të tyre. Si pjesë e dekarbonizimit, largimi nga thëngjilli është hapi i parë dhe më urgjent. Kjo ka shkaktuar rritje të kërkesës për gaz, pasi gazi shihej si lënda që do të siguronte tranzicion të qetë drejt ekonomisë plotësisht të dekarbonizuar. Fatkeqësisht, ndërsa ekonomia po rimëkëmbej nga çrregullimet e shkaktuara nga COVID-19, agresioni ushtarak rus mbi Ukrainën, i paraprirë nga agresioni i tregtisë së gazit mbi Evropën,, dëshmoi se mbështetja tek gazi rus si lëndë djegëse tranzicioni, ishte mbase gabim i madh strategjik.

Sot, me çmimet e larta të energjisë me të cilat përballet Evropa, politikëbërësit evropianë qëndrojnë në një udhëkryq që u kërkon atyre të sigurojnë përballueshmërinë dhe sigurinë e furnizimit me energji, por nga ana tjetër të mos komprometojnë politikat e ndryshimeve klimatike.

Në të gjitha veprimet e saj, dy konsiderohen masa kyçe dhe pa prapakthim; investimet në teknologji që shfrytëzojnë burimet e ripërtërishme dhe efiçienca e energjisë në përgjithësi. Ekzistojnë caqe specifike për të dyja, ndërsa masat e fundit të mbështetura nga Parlamenti Evropian kërkojnë kursime të mëtejshme të energjisë elektrike dhe gazit, përmes reduktimit të kërkesës (në veçanti, gjatë kohëve/orëve kur kërkesa është e lartë dhe çmimet shkojnë në qiell).

Në dekadën e fundit, Evropa ka shënuar rritje të konsiderueshme të energjisë së ripërtërishme. Teknologjia po bëhet më e lirë dhe më efikase, që nuk kërkon më mbështetje nga qeveritë, por më shumë kërkon kornizë rregullative të qëndrueshme si dhe mekanizëm tregu për vetëkonsumin dhe/ose shtrirjen në treg të një energjie të tillë.

Efiçienca e energjisë kërkon investime në infrastrukturë, digjitalizim e inovacion. Gjithmonë është më lirë të investohet në gjëra që sigurojnë shfrytëzim efikas të çdo njësie energjie të prodhuar, sesa investimi në kapacitetet prodhuese të energjisë, të cilat përveçse janë të kushtueshme janë edhe të dëmshme për mjedisin. Ne duhet të investojmë në izolimin më të mirë të shtëpive tona, izolimin e ndërtesave publike dhe komerciale, përdorimin e pajisjeve më efikase dhe inteligjente, uljen e humbjeve në asetet e prodhimit dhe transportit, rrjete të mençura, etj. Roli i qeverisë duhet të jetë krijimi i politikave dhe kushteve që nxisin investime të tilla, derisa secili prej nesh duhet të kuptojë se ka një çmim më të madh për brezat e ardhshëm nëse nuk veprojmë edhe me vetë-iniciativë.      

Dimensioni tjetër i shfrytëzimit më të paktë është nëpërmjet tkurrjes aktive të kërkesës. Lakorja e kërkesës për energji elektrike është një ndër lakoret më së paku elastike të kërkesës për klasa të ndryshme të aseteve e mallrave. Kjo është kryesisht për shkak të varësisë së madhe që kemi nga energjia elektrike si shërbim dhe si artikull. Megjithatë, ka pjesë mjaft të konsidereushme të kërkesës që mund të zvogëlohen tek bizneset industriale, të vogla dhe të mesme, e madje edhe tek konsumi amvisnor. Në tregjet më të pjekura, kërkesa industriale merr pjesë në treg dhe vepron sipas sinjaleve të çmimeve. Ekziston një potencial i konsiderueshëm që konsumatorët më të vegjël të veprojnë, qoftë nëpërmjet ndërmjetësve, të ashtuquajturve agregues, ose drejtpërdrejt thjesht duke qenë konsumatorë aktivë.

Si të bëhemi konsumatorë aktivë edhe në shtëpi që nuk janë inteligjente, apo më pak inteligjente?

Mund të fillojmë duke përdorur më pak energji duke mos përdorur llamba elektrike gjatë ditës; të investojmë në drita LED efikase në energji; të fikim dritat ose disa prej dritave kur nuk kemi nevojë për ndriçim të fortë; të ulim temperaturën e ngrohësit (përfshirë atë të ujit të nxehtë) ose të rrisim atë të ftohësit për dy ose tre gradë; të ngrohim apo ftohim vetëm dhomat që përdoren; të heqim nga priza të gjitha pajisjet (mbushësit, ekranet, etj.) që nuk përdorim, të investojmë në pajisje inteligjente sipas mundësisë, si dhe t’i përgjigjemi thirrjeve të bëra nga furnizuesi, operatori i sistemit dhe qeveritë në lidhje me reduktimin e kërkesës. Nëse të gjitha këto veprime i bëjmë, veçanërisht gjatë orëve të kërkesës kulmore, të cilat janë orët e mbrëmjes ose të ditës në përgjithësi, dhe më pas shtojmë edhe veprime që ndryshojnë kërkesën, si p.sh. përdorimi i enëlarëses, rrobalarëses, hekurosjes dhe makinerive e pajisjeve të tjera gjatë orëve shumë të hershme ose të natës, përfitimet trefishohen.

Veprime të tilla ju bëjnë kontribuues të mëdhenj në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe luftën kundër varësisë nga gazi rus, e bëjnë lakoren e kërkesës më elastike (që do të thotë se çmimi i energjisë edhe për njësitë e energjisë që përdorim është më i ulët) dhe në fund të fundit edhe zbusin faturat tona të energjisë.

Pavarësisht se sa i madh është konsumi juaj i energjisë, mos e humbisni rastin të jeni në mesin e heronjve kundër këtyre agresioneve.    

Arben Kllokoqi

Autori aktualisht punon për EFET si Drejtor për Dizajnimin e Tregut të Energjisë Elektrike dhe më parë ka punuar për Sekretariatin e Komunitetit të Energjisë si Ekspert i Tregut të Energjisë Elektrike.  Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë tekst janë ato të folësve dhe nuk pasqyrojnë detyrimisht pikëpamjet ose qëndrimet e ndonjë subjekti për të cilin ata punojnë apo kanë punuar.