Komisioni miraton Paketën e Zgjerimit 2024
Sot, Komisioni Evropian miratoi paketën vjetore të zgjerimit, duke ofruar vlerësim të detajuar të gjendjes dhe progresit që kanë bërë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Gjeorgjia, Republika e Moldavisë, Ukraina dhe Turqia, në rrugët e tyre përkatëse drejt hyrjes në BE. Vlerësimet shoqërohen me rekomandime dhe udhëzime për prioritetet e reformave.
Zgjerimi është mundësi historike si për vendet aderuese, ashtu edhe për shtetet anëtare aktuale dhe BE-në në tërësi. Ai ofron përparësi të rëndësishme socio-ekonomike, politike dhe të sigurisë për një Union më të madh dhe më të fuqishëm.
Procesi i zgjerimit vazhdon të jetë i mbështetur në merita dhe varet nga progresi objektiv i bërë nga secili prej vendeve partnere. Kjo kërkon vendosmëri për të implementuar reforma të pakthyeshme në të gjitha fushat e të drejtës së BE-së, me theks të posaçëm në bazat fundamentale të procesit të zgjerimit. Demokracia, sundimi i ligjit dhe vlerat themelore do të vazhdojnë të jenë gurë themeltarë të politikës së zgjerimit të BE-së. Anëtarësimi në BE mbetet zgjedhje strategjike.
Në qershor 2024, konferenca ndërqeveritare konfirmoi që Mali i Zi në përgjithësi përmbushi standardet e ndërmjetme për sundimin e ligjit, kapitujt 23 dhe 24, duke ofruar mundësinë për të proceduar me mbylljen provizore të kapitujve të mëtejshëm nëse plotësohen kushtet. Në fushën e sundimit të ligjit dhe gjyqësorit nevojitet përparim i mëtejshëm.
Komisioni përsërit vlerësimin e tij se Serbia ka përmbushur standardet për hapjen e grup-kapitullit 3 (Konkurrueshmëria dhe rritja përfshirëse). Në vitin që po vjen, Serbia pritet të përshpejtojë punën për implementimin e reformave të anëtarësimit në BE në të gjitha fushat, me fokus të veçantë në standardet e ndërmjetme të sundimit të ligjit si dhe në sigurimin e një mjedisi vërtet të favorshëm për shoqërinë civile dhe mediat, duke bërë përpjekje të besueshme për t’i dhënë fund dezinformimit dhe manipulimit të informacionit nga aktorët e huaj.
Kur bëhet fjalë për Shqipërinë, Komisioni mirëpret hapjen e negociatave për grup-kapitullin e çështjeve themelore në konferencën e dytë ndërqeveritare të mbajtur më 15 tetor 2024. Intensifikimi i mëtejshëm i ritmit të reformave të orientuara nga BE-së, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, konsolidimin e të arriturave në zbatimin e ligjit, në luftën efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe promovimin e të drejtave themelore, duke përfshirë lirinë e medias, të drejtat e pronës dhe pakicat, ka rëndësi vendimtare.
Në rastin e Maqedonisë së Veriut, vendi duhet të vazhdojë me përmbushjen e implementimit të reformave të lidhura me BE-në, veçanërisht nën grup-kapitullin e çështjeve themelore, me theks të posaçëm te gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Besimi në sistemin e drejtësisë duhet të forcohet. Sesionet e shqyrtimit (screening) për të gjashtë grup-kapitujt e acquis të BE-së përfunduan në dhjetor 2023.
Bosnja dhe Hercegovina demonstroi rezultate të prekshme duke përfshirë menaxhimin e migracionit, harmonizimin e plotë me politikën e përbashkët dhe të jashtme të sigurisë së BE-së, si dhe duke miratuar legjislacionin për integritetin e gjyqësorit, kundër pastrimit të parave dhe konfliktit të interesit. Në mars 2024, Këshilli Evropian vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnjën dhe Hercegovinën. Komisioni po përgatit kornizën e negociatave me qëllim miratimin e tij nga Këshilli sapo të ndërmerren të gjithë hapat përkatës të përcaktuar në rekomandimin e Komisionit të tetorit 2022.
Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor 2022. Komisioni mbetet në dispozicion për të përgatitur një Opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim sapo këtë ta ta kërkojë Këshilli. Është shënuar progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe mjedisi i biznesit është përmirësuar. Liberalizimi i vizave për Kosovën hyri në fuqi më 1 janar 2024. Kosova duhet të intensifikojë përpjekjet e saj për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes.
Hapja e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën ishte njohje e rëndësishme e vendosmërisë së Ukrainës për të ndjekur reformat në rrugën e anëtarësimit në BE. Pas konferencës së parë ndërqeveritare në qershor 2024, ekzaminimi analitik i acquis (shqyrtimi/screening) po përparon pa probleme. Me kusht që Ukraina të përmbushë të gjitha kushtet, Komisioni pret me padurim hapjen e negociatave për grupimet, duke filluar nga çështjet themelore, sa më shpejt të jetë e mundur në 2025.
Hapja e negociatave të anëtarësimit ishte njohje e rëndësishme e vendosmërisë së Moldavisë për të ndjekur reformat në rrugën e anëtarësimit në BE, pavarësisht se po përballet me ndërhyrjen e vazhdueshme ruse dhe ndikimin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës. Pas konferencës së parë ndërqeveritare në qershor 2024, ekzaminimi analitik i acquis (shqyrtimi/screening) po përparon pa probleme. Me kusht që Moldavia të përmbushë të gjitha kushtet, Komisioni pret me padurim hapjen e negociatave për grup-kapitujt, duke filluar nga çështjet themelore, sa më shpejt të jetë e mundur në 2025.
Ndërsa në dhjetor 2023, Këshilli Evropian i dha statusin kandidat Gjeorgjisë, procesi i anëtarësimit të saj në BE ndërkohë de facto u ndalua për shkak të kursit të veprimit të ndërmarrë nga qeveria gjeorgjiane që nga pranvera e vitit 2024. Më 26 tetor 2024, qytetarët gjeorgjianë votuan në zgjedhjet parlamentare. Gjetjet paraprake të Misionit të Përbashkët Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të udhëhequr nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSCE/ODIHR) identifikuan disa mangësi që ndodhën në një mjedis të tensionuar dhe tejet të polarizuar. Dobësitë e raportuara që ndikuan negativisht në besimin e publikut në proces përfshijnë, ndër të tjera, ndryshimet e fundit legjislative në procesin zgjedhor, komprometimet e shpeshta të fshehtësisë së votës, mospërputhjet procedurale, frikësimin dhe presionin e ushtruar mbi votuesit. Këto gjetje paraprake konfirmojnë nevojën për reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, e cila tashmë është theksuar në rekomandimet kryesore nga e shkuara.
Turqia është vend kandidat dhe partner kyç për Bashkimin Evropian. Megjithatë, negociatat e anëtarësimit me këtë vend mbeten në ngërç që nga viti 2018, në përputhje me vendimin e Këshillit. Shqetësime serioze mbeten në fushat e të drejtave themelore dhe të sundimit të ligjit, duke përfshirë pavarësinë e gjyqësorit. Dialogu mbi sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore mbetet pjesë integrale e marrëdhënieve BE-Turqi. Pas udhëzimit strategjik të Këshillit Evropian të prillit 2024, në marrëdhëniet me Turqinë u shënua ri-angazhim gradual dhe u ndërmorën hapa konkretë drejt shkëmbimeve konstruktive për çështjet me interes të përbashkët.
Hapat e radhës
Tani Këshilli duhet të shqyrtojë rekomandimet e sotme të Komisionit dhe të marrë vendime për hapat e radhës në procesin e zgjerimit.
Informata shtesë
Zgjerimi i BE-së do të sjellë përfitime të gjera socio-ekonomike për anëtarët aktualë dhe të ardhshëm. Rritja e numrit të konsumatorëve në tregun e përbashkët do të ofrojë mundësi të mëdha për zgjerimin e biznesit dhe tregtinë më të lirë. Për të mundësuar rritje të qëndrueshme në planin afatmesëm dhe për të bërë progres në përmbushjen e kritereve ekonomike për anëtarësim në BE, është gjithnjë e më e rëndësishme që vendet e zgjerimit të përshpejtojnë reformat strukturore. Kjo përfshin sigurimin e funksionimit të ekonomive të tregut, dhe demonstrimin e kapacitetit për t’u përballur me presionin konkurrues dhe me forcat e tregut brenda BE-së. Politikat ekonomike do të duhej gjithashtu të mbështesin synimet ambicioze për tranzicionin e gjelbër dhe digjital.
Mjetet dhe instrumentet e reja po i japin hov rritjes socio-ekonomike në vendet tona partnere. Ndërsa procesi i anëarësimit përshpejtohet, BE-ja po sjell disa nga përfitimet e tregut të përbashkët dhe po ofron asistencë financiare në rritje për të mundësuar integrimin gradual dhe ankorimin e partnerëve tanë në BE. Krahas Planeve të suksesshme Ekonomike dhe të Investimeve, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor me Instrumentin Financiar prej 6 miliardë euro për Reforma dhe Rritje dhe Instrumentin Financiar prej 50 miliardë euro për Ukrainën ofron stimuj për reforma, me theks të posaçëm te drejtësia dhe sundimi i ligjit. Ngjashëm, më 10 tetor 2024, Komisioni prezantoi Planin e Rritjes për Moldavinë me Instrumentin Financiar prej 1.8 miliardë euro për Reforma dhe Rritje për të mbështetur reformat e saj socio-ekonomike dhe për t’i dhënë hov investimeve.
Për gjetjet dhe rekomandimet e hollësishme për Kosovën:
Kosova: Raport; Fletë faktesh për vendin