Deklaratë për miratimin e Ligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë
Me keqardhje shohim se Ligji për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë (LZP) është miratuar dje nga Kuvendi i Kosovës në leximin e dytë pa i marrë parasysh këshillat e gjera dhe konsistente që BE-ja i ka dhënë gjatë procesit të hartimit, për ta harmonizuar atë me parimet e meritës dhe standardet e BE-së. Përveç kësaj, ai nuk i trajton rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023 në mënyrë adekuate dhe rrezikon të shkojë kundër tyre.
Shqetësimet tona kryesore, që janë ngritur në opinione të ndryshme të BE-së për këtë ligj, kanë të bëjnë me ndryshimet që janë bërë në pozitat udhëheqëse në shërbimin civil, duke e lejuar përkohësinë dhe jostabilitetin përmes përcaktimit të mandateve të kufizuara në kohë dhe rekrutimit të jashtëm për të gjitha pozitat udhëheqëse, në vend të sigurisë dhe parashikueshmërisë në karrierën e shërbyesve civilë të nevojshëm për profesionalizimin e tij. Për më tepër, ai lejon diskrecion të tepruar në rekrutimin dhe transferimin e shërbyesve civilë, duke e minuar paanshmërinë e tij.
Gjithashtu, me keqardhje shohim se të gjitha ndryshimet e tilla të LZP -së i janë dorëzuar Parlamentit pa konsultime paraprake publike.
Reforma e Administratës Publike është pjesë esenciale e rrugës së Kosovës drejt BE-së. Sipas Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Agjendës së Reformës, Kosova është zotuar ta zhvillojë një administratë publike profesionale, efikase dhe llogaridhënëse për ta sjellë Kosovën më afër BE-së dhe për të mirën e qytetarëve. Për këto arsye, ne presim që Kosova t'i përmbushë këto zotime dhe ta ketë një kornizë legjislative që është në përputhje me standardet e BE-së.