This isn't an official website of the European Union

Bizneset kosovare duke korrur përfitimet e energjisë së gjelbër me ndihmën e BE-së

Dielli është burimi kryesor i energjisë që gjendet në planetin Tokë, ndërsa vlerësohet se Kosova ka 240 ditë ditë me diell në vit. Për të shfrytëzuar këtë potencial të jashtëzakonshëm dhe për të kaluar në burime të pastra të energjisë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë, me ndihmën e BE-së, tashmë kanë filluar të investojnë në burimet e ripërtëritshme të energjisë dhe të vjelin dobitë e tyre.

Forma SHPK është ndërmarrje e mesme e themeluar në vitin 2013 në fshatin Bresalc të komunës së Gjilanit. Ata prodhojnë produkte plastike të përdorura në industrinë e trenave dhe tramvajit, si dhe i eksportojnë të gjitha në Gjermani. Për të ulur kostot e tyre të energjisë dhe për të kontribuar në mbrojtjen e mjedisit, këtë vit me ndihmën financiare të BE-së, ata kanë investuar në panele diellore.

Kosovo Businesses 2

 

Besim Rexhi – menaxher në kompani, thotë se rezultatet nga investimi janë të pabesueshme për kompaninë. “Ne kemi instaluar 112 kWp në panele diellore, të cilat po na ndihmojnë jashtëzakonisht për të ulur kostot tona të energjisë. Më parë për faturën e rrymës paguanim rreth 1200 euro në muaj, ndërsa tani paguajmë rreth 200 euro. Kjo do të thotë që kostot tona të energjisë janë ulur me rreth 80%” – thotë Rexhi.

Kosovo Businesses 3

112 kWp panele diellore të instaluara nga Forma SHPK me asistencën e BE-së

Më tej, ai inkurajon bizneset në Kosovë që të fokusohen në burimet e pastra të energjisë. “Pishmani im i vetëm është se nuk kam ditur më parë për dobitë e mëdha të energjisë së ripërtërishme. Edhe pse panelet aktuale plotësojnë kërkesat e mia për energji, po të kisha mundësi do të instaloja edhe 100 panele diellore të tjera. Të veprosh me të gjelbër të bën të ndihesh mirë si sipërmarrës, pasi përveçse ul kostot e energjisë, në nivel personal të jep kënaqësi të dish se po i bën një nder planetit duke e mbrojtur” – përfundon Rexhi.    

Silca Group, është një tjetër ndërmarrje që po përfiton nga burimet e ripërtërishme të energjisë. Me vendndodhje në fshatin Mirosale të komunës së Ferizajt, produkti kryesor i tyre është prodhimi dhe shitja e ujit të ambalazhuar në Kosovë dhe në rajon. Këtë vit, me ndihmën e BE-së, ata kanë instaluar 200 kWp në panele diellore.

 

Kosovo Businesses 5

200 kWp panele diellore të instaluara nga Silca Group me asistencën e BE-së

Dardan Sadriu, drejtor i përgjithshëm i kompanisë thotë se investimi në energji të pastër është investim për të ardhme të shëndetshme dhe të qëndrueshme. “Duke pasur parasysh faktin se Kosova ka mjaft diell gjatë vitit, kemi vendosur të investojmë në energjinë diellore. Në këtë mënyrë na ndihmon të ulim shpenzimet tona në afat të gjatë dhe të kontribuojmë për një mjedis më të shëndetshëm” – thotë Sadriu. Për momentin, ai vlerëson se 15-20 për qind e energjisë së konsumuar nga kompania që ai drejton prodhohet nga energjia diellore. 

 

Photo

 

Bashkimi Evropian në Kosovë, do të vazhdojë të mbështesë dhe financojë bizneset kosovare në fazën e tranzicionit nga burimet jo të besueshme dhe të dëmshme të energjisë në të pastra dhe të qëndrueshme, si energjia e prodhuar nga dielli, era, biomasa, uji etj.