Zërat e Shqipërisë komuniste nga brezi i ri
“Gjyshi i nënës sime ishte një intelektual antikomunist. I arrestuar në vitin 1944 dhe i dënuar me 24 vjet, ai vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1949 për shkak të torturave. Trupi i tij nuk iu dorëzua kurrë familjes dhe të gjitha dokumentet rreth tij u zhdukën. Gjyshja ime nuk e njohu kurrë babanë e saj dhe nuk e mësoi kurrë fatin e tij”. Për një vajzë 16-vjeçare, nxënëse në gjimnazin “Asim Vokshi”, komunizmi ishte një histori e trishtë e një të afërmi që nuk kthehej dot në shtëpi, një histori që e dëgjonte kur ishte fëmijë në vend të ninullës. Thuajse duke i shmangur emocionet, teksa transmeton dhimbjen e gjyshes, ajo i flet me qetësi një audience që ka prejardhje të ngjashme, ndonjëherë të vështirë për t'u dalluar.
Njëra nga bashkëmoshataret e saj kujton gjyshërit e vet, të cilët ishin shkrimtarë që kishin frikë të shkruanin mendimet, idetë apo librat e tyre në një kohë paranoje, siç e quan ajo. “Ata më tregonin frikërat e tyre, duke përshkruar me hollësi një ditë kur ish-oficerët e sigurimit plaçkitën zyrën e gjyshit tim, duke kërkuar ndonjë dokument apo shënim që do t'i implikonte në ndonjë komplot antikomunist. Ai thuajse i humbi të gjitha veprat e tij duke u përpjekur t'i fshihte dhe të shpëtonte veten dhe familjen e tij”, tregon Abi, një tjetër nxënëse 16-vjeçare.
EU in Albania
Ata i ndanë historitë e tyre familjare gjatë një takimi letrar me Margo Rejmerin, një shkrimtare polake e cila ka botuar librin “Balta më e ëmbël se mjalta - Zërat e Shqipërisë komuniste”, gjatë Festivalit të Letërsisë Evropiane në Tiranë, organizuar nga Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri. Të interesuar për gjetjet e Rejmerit mbi historinë e Shqipërisë, ata tregojnë se si e kuptojnë regjimin, shfaqin ndjenjat e tyre të trazuara për sigurinë, arsimin, kujdesin shëndetësor, madje edhe e pyesin atë për vlerat dhe kur kanë qenë njerëzit më të lumtur - atëherë apo tani? Pjesa e librit që ajo ka zgjedhur të lexojë u jep përgjigje shumicës së pyetjeve.
“Dikur, në shtetin socialist më të përsosur në botë, u krijua parajsa. Aty ku gjithçka i përkiste të gjithëve dhe asgjë nuk i përkiste askujt. Aty ku të gjithë dinin të lexonin dhe të shkruanin, por mund të shkruanin vetëm atë çka mbështesnin autoritetet dhe mund të lexonin vetëm atë çka miratonin autoritetet. Aty ku arsimi masiv ishte prioritet, por herë pas here bëheshin spastrime të elitës. Aty ku të gjithë kishin të drejtë të festonin përparimin dhe të brohoritnin në parada publike, por të thoshe një shaka do të thoshte të sfidoje fatin dhe autoritetet. Për këtë arsye qytetarët këshilloheshin të ndiheshin entuziastë dhe të lumtur…”, shkruan Rejmer.
Duke u përpjekur t'i shpjegojë brezit të ri kompleksitetin e një sistemi diktatorial, ajo përmend konceptet e lirisë dhe disidencës dhe sesi disa mundën të gjenin lirinë e brendshme në një vend të shtypur, duke përmendur rastin e shkrimtarit Fatos Lubonja, i cili në libër portretizohet duke numëruar gjashtë rrathët nëpër të cilët kalonte një i burgosur në burg: rrënoja, izolim, uri, ftohtë, dhimbje dhe dëshpërim. “E dija që një ditë do të shkruaja për gjithçka që ndodhte në burg. Mund të distancohesha nga vuajtja”, thotë ai.
EU in Albania
Krahas njerëzve që vuajtën kishte edhe nga ata që kujtonin një realitet tjetër. “Unë do të doja të ofroja një qasje të ndryshme ndaj komunizmit. Gjyshërit e mi ishin pjesë e Partisë Komuniste dhe gjyshi ishte oficer. Detyra e tij ishte të mbronte kufijtë në qytete si Tropoja apo Kukësi. Mund të them që jetonin mirë në Shqipërinë komuniste”, thotë Ajla, një tjetër nxënëse e re.
Dhjetra shqiptarë u vranë në kufij duke u përpjekur t'u shpëtonin dënimeve, burgjeve dhe ekzekutimeve, por mungesa e lirisë dhe fuqia e propagandës kanë ndërtuar një narrativë zyrtare që ka qenë e vështirë të sfidohet edhe në tri dekada të pluralizmit politik. Margo Rejmer e këshillon brezin e ri që të bëjë kërkimet e veta, duke krahasuar historitë familjare me historinë e vendit. “Duhet të pyesni gjyshërit tuaj për historitë tuaja familjare, sepse ata një ditë nuk do të jenë më dhe ju do ta humbni një pjesë kaq të rëndësishme të biografisë dhe identitetit tuaj. Dhe atëherë do të gjeni të vërtetën tuaj, pasi ata mund të kenë një këndvështrim krejtësisht të ndryshëm, pasi, siç e shihni, edhe këtu kemi narrativa që ishin të ndryshme nga njëra-tjetra, jo të ndërlidhura. Ju jeni brezi që do të ndërtojë të ardhmen e Shqipërisë, ndaj duhet të dini dhe duhet të kuptoni, dhe mënyra më e mirë për të ditur dhe kuptuar është të mbledhësh sa më shumë informacion të mundesh nga familja dhe librat”, thekson ajo.
Diskutimi vazhdon me shpjegimin e konceptit të armikut, konceptit të biografisë së mirë apo të keqe, dallimit mes propagandës dhe fakteve, jetës në izolim dhe tensionit mes lirisë dhe të ndierit të sigurt. Të jesh patriot dhe të jesh kundër komunizmit mund të kishin qenë e njëjta gjë, por regjimi komunist do ta konsideronte tradhti të menduarit ndryshe nga Partia Komuniste, duke transmetuar urrejtje dhe duke e barazuar gabimisht partinë me vendin.
“Të dua, baltë shqiptare. Magjistare. E ëmbël si mjalti, e hidhur si pelini. Të dua egërsisht, dëshpërimisht”. Kjo poezi e Mitrush Kutelit, edhe ai shkrimtar i burgosur politik, për Margo Rejmerin tregon më së miri paqartësinë e kuptimit të vendit, propagandës dhe dashurisë në atë kohë. Poezia ka frymëzuar edhe titullin e librit të saj, i cili dëgjon zërat që u detyruan të heshtin.