Thirrje për shprehje interesi - Prodhim dhe performancë artistike në kuadër të programit të Javës së Evropës 2025: "Një hapësirë për të krijuar"
Arsyetimi
Arti ka qenë gjithmonë në qendër të formësimit të identitetit dhe vlerave evropiane. Duke vijuar të frymëzojë idetë filozofike dhe politike, arti vazhdon të jetë gur i rëndësishëm themeli i trashëgimisë së Evropës. Në shoqërinë moderne arti mund të mëkojë përparim duke sfiduar autoritetin, duke vënë në pikëpyetje traditat dhe duke eksploruar çështje të drejtësisë shoqërore dhe identitetit. Ai mund të jetë thelbësor në nxitjen e bashkimit në diversitet dhe dialog, dhe për përparimin e demokracisë, të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimit kulturor.
Pavarësisht rëndësisë së tij, shumëkush shqetësohet se hapësira e artit në shoqëri mund të tkurret për shkak të faktorëve si ndryshimet në përparësitë e financimit, kornizat arsimore që evoluojnë, dhe kostot gjithmonë e më të larta të ambienteve. Dinamikat politike dhe sociale që ndryshojnë mund të ndikojnë gjithashtu shprehjen artistike, duke kufizuar lirinë në disa forma arti. Përfundimisht, paraqitet risk serioz që arti të perceptohet si luks apo diçka dytësore krahasuar me fushat e tjera. Këto sfida mund të theksojnë nevojën për mbështetje të vazhdueshme për artistët dhe aktorët kulturorë, duke u siguruar kështu që ata të mund të japin kontribut në përparimin e shoqërisë dhe ruajtjen e vlerave evropiane të demokracisë, diversitetit, përfshirjes dhe të drejtave të njeriut.
Konteksti
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri feston çdo vit Ditën e Evropës dhe Deklaratën Historike të Schuman të vitit 1950, e cila hodhi themelet e BE-së. Java e Evropës promovon vlerat e BE-së, angazhon qytetarët dhe thekson arritjet e BE-së përmes veprimtarive dhe aktiviteteve të ndryshme. Shfaqjet kulturore, seminaret dhe nismat edukuese mëkojnë bashkimin në diversitet, ndërgjegjësojnë lidhur me BE-në, dhe frymëzojnë pjesëmarrje, veçanërisht tek të rinjtë. Duke theksuar demokracinë, të drejtat e njeriut dhe qëndrueshmërinë, forcohen partneritetet dhe theksohet angazhimi i BE-së për përparim të përbashkët.
Objektivi
Java e Evropës 2025 dëshiron të ofrojë hapësirë për artistët shqiptarë për ngritjen e zërit të tyre dhe të japë kontribut për formësimin e të ardhmes me themele tek vlerat. Hapësirë për t'u shprehur, hapësirë për t'u dëgjuar, hapësirë për t'u parë, hapësirë ku të pranohemi, hapësirë për të qenë të lirë, hapësirë për t'u lidhur, hapësirë ku të përkasim, hapësirë për të krijuar, pra hapësirë vërtetë evropiane.
Përmes një sërë aktivitetesh artistike që përfshijnë disiplina të shumta, java synon të mëkojë prodhimin dhe performancën artistike dhe angazhimin e komunitetit, duke frymëzuar dhe lidhur komunitetet vendore në mbarë Shqipërinë. Këto aktivitete duhet të paraqesin rolin jetik të artit për përparimin e vizionit kulturor dhe social të Evropës.
Për këtë arsye, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri fton artistët dhe aktorët kulturorë shqiptarë të bëhen pjesë e programit të Javës së Evropës këtë vit, duke dorëzuar propozime për krijime artistike në disiplina të ndryshme. Këto propozime duhet të pasqyrojnë në mënyrë origjinale aspiratat e popullit shqiptar për integrim në BE dhe vizionin e tyre lidhur me kuptimin e BE-së, duke festuar këndvështrimet e ndryshme dhe shprehjet artistike që i paraqesin shqiptarët si pjesë integrale të BE-së.
Performancat e mbështetura
Kjo thirrje synon të mbështesë deri në tetë performanca artistike, që kulmojnë në organizimin e aktiviteteve të mëposhtme:
- Performanca teatrore
Performancat teatrore duhet të programohen të shkojnë në tur deri në tre qytete, përfshirë Tiranën.
- Performanca të muzikës live
Klasike, bashkëkohore apo alternative.
Performancat muzikore duhet të programohen të shkojnë në tur deri në tre qytete, përfshirë Tiranën.
- Ekspozita të artit pamor ose konceptual
Ekspozitat duhet të programohen të qëndrojnë hapur për të paktën të gjithë kohëzgjatjen e Javës së Evropës.
- Performancat e dansit bashkëkohor
Performancat e dansit bashkëkohor duhet të programohen të shkojnë në tur deri në tre qytete, përfshirë Tiranën.
- Ekspozita ose performanca artistike ndërdisiplinore
Performancat ndërdisiplinore duhet të programohen të shkojnë në tur deri në tre qytete, përfshirë Tiranën, ose të programohen për ekspozim të paktën gjatë gjithë kohëzgjatjes së Javës së Evropës.
Zbatimi
Produksionet e përzgjedhura duhet të nisin zbatimin nga data 10 mars 2025 dhe duhet të performohen gjatë Javës së Evropës të programuar për datat 19 - 31 maj 2025.
Datat e aktiviteteve
Përmes pjesëmarrjes në programin e Javës së Evropës, aplikantët pranojnë dhe bien dakord se datat përfundimtare të aktiviteteve do të përcaktohen nga organizatorët e Javës së Evropës bazuar në kërkesat e programimit.
Vendndodhjet dhe ambientet e aktiviteteve
Inkurajohet që aktivitetet dhe veprimtaritë të shpërndahen sa me gjerë gjeografikisht. Rekomandohet që aktivitetet me performancë, përfshirë produksionet teatrore, performancat a vallëzimit bashkëkohor, dhe koncertet muzikore të organizohen në teatro apo auditorë shtetërorë. Ekspozitat e artit mund të vendosen në hapësira kulturore arit jofitimprurëse.
Për rastet kur është e nevojshme në kuadër të përmbajtjes së projektit, mund të merren në konsideratë ambiente të hapura si site të trashëgimisë kulturore, me kusht që faktorët mjedisorë si moti, zhurma dhe ndriçimi të mos rrezikojnë cilësinë e aktivitetit.
Aplikantët duhet të propozojnë vendndodhje të përshtatshme të performancës në kuadër të aplikimit të vet. Megjithatë, konfirmimi përfundimtar për vendndodhjen miratohet nga organizatorët e Javës së Evropës gjatë fazës së zbatimit të projektit.
Organizatorët e Javës së Evropës janë të përkushtuar t'i sigurojnë artistëve mbështetje për sigurimin e ambienteve të propozuara, kur është e nevojshme.
Brandimi i aktivitetit dhe komunikimi
Secili prej aktiviteteve do të brandohet në përputhje me identitetin vizual të Javës së Evropës, sipas identitetit të krijuar nga ekipi i Javës së Evropës. Artistëve mund t'u kërkohet kontribuojnë me anë të fotografive, skicave, vizatimeve apo punimeve të tjera të artit në mbështetje të këtij procesi.
Komunikimet në media sociale lidhur me këto aktivitete duhet të bashkërendohen ekskluzivisht me ekipin e medias sociale të Javës së Evropës për të garantuar vijueshmëri dhe përputhshmëri me identitetin vizual.
Buxheti, rregullat dhe pranueshmëria
- Buxheti maksimal për projekt nuk duhet të tejkalojë: 12.000 EUR
- Buxheti duhet të përfshijë pagesat e artistëve, kostot logjistike dhe të materialeve, qiramarrjen e pajisjeve dhe shpenzimet e ambienteve. Në kuadër të kontratës nuk mund të blihet asnjë pajisje.
- Mbështetja financiare e siguruar nuk është grant. Në fakt organizatorët e Javës së Evropës do të mbulojnë drejtpërsëdrejti shpenzimet e performancës dhe pagesat e pjesëtarëve sipas përcaktimit në zërat e buxhetit të propozuar.
- Secili pjesëtar ekipi performance do të angazhohet përmes kontratave të veçanta si kontraktorë të pavarur midis tyre dhe organizatorëve të Javës së Evropës. Kontrata do të mbulojë tarifën e tyre dhe detyrat e tyre sipas propozimit.
- Pjesëtarët e ekipeve të performancave janë përgjegjës për administrimin e sigurimeve të veta kombëtare, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe detyrimet tatimore, përfshirë tatimin përkatës mbi të ardhurat prej 15%.
- Të gjitha shpenzimet që përfshijnë palë të treta i faturohen drejtpërsëdrejti organizatorëve të Javës së Evropës.
- Ju lutemi të vini re se nuk mund të kryhen pagesa paraprake.
- Propozimet me bashkëfinancim nuk janë të pranueshme për përzgjedhje.
- Zërat e buxhetit për komunikim, media sociale, reklama dhe dizenjim grafik nuk pranohen.
Pyetje
Pyetjet mund të dorëzohen me email deri më 17 shkurt 2025. Të gjitha kërkesat do të marrin përgjigje kolektive brenda datës 21 shkurt 2025.
Dokumentacioni i aplikimit
Ju lutemi të dorëzoni dokumentacionin e mëposhtëm në format pdf.
-
- Portofolat/CV-të e artistëve
Të gjitha dokumentat duhet të jenë në gjuhën angleze.
Dokumentacioni i dorëzuar duhet të jetë në gjuhën angleze.
I gjithë dokumentacioni i dorëzuar nuk duhet të tejkalojë kufirin e përcaktuar prej 20 MB.
Dorëzimi
Aplikimet dorëzohen vetëm përmes email-it dhe jo më vonë se data 3 mars 2025.
Vlerësimi dhe përzgjedhja
Propozimet do të vlerësohen bazuar në kriteret e mëposhtme:
Koncepti i propozimit: 40%
Propozimet do të vlerësohen për qartësi, origjinalitet dhe përputhje me qëllimet e programit. Koncepti i mirë tregon inovacion, përkatësi me temën dhe realizueshmëri brenda afateve dhe me burimet e propozuara. Shpërndarja gjeografike e performancave do të nxitet gjithashtu, si nisma që angazhojnë audienca të ndryshme.
Burimet njerëzore dhe portofoli artistik: 40%
Do të vlerësohet historiku, stili dhe puna artistike e ekipit. Përzgjedhja do të përqendrohet në mënyrën se si vizioni artistik i ekipit dhe puna e mëparshme mbështesin qëllimet dhe realizueshmërinë e propozimit.
Buxheti: 20%
Buxheti duhet të jetë realist, i mirëstrukturuar dhe të paraqesë përdorim të efikas të burimeve. Propozimet do të vlerësohen lidhur me aftësinë për të arritur objektivat pa tejkaluar kufijtë financiarë.
Propozimet e suksesshme do të përzgjidhen nga Delegacioni i BE-së. Procesi i vlerësimit mund të përfshijë negociata me kandidatët. Të gjithë aplikantët do të informohen me email për rezultatet dhe propozimet e përzgjedhura do të shpallen në kanalet e mediave sociale të Delegacionit të BE-së brenda datës 7 mars 2025.
Aplikantët mund të dërgojnë me email ankimime për përzgjedhjen jo më vonë se 5 ditë nga komunikimi i rezultateve të përzgjedhjes.
Kontakti
Adresa e mëposhtme e email-it do të përdoret për të gjitha komunikimet, përfshirë dorëzimet dhe pyetjet.