Teatri Historik Kombëtar i Kukullave Rihapet Pas Restaurimit
Teatri Kombëtar i Kukullave, një nga monumentet më të dashura kulturore të Shqipërisë, u rihap sot pas punimeve të gjera restauruese të financuara nga Bashkimi Europian përmes programit EU4Culture. Ndërtesa, e cila pësoi dëme të mëdha gjatë tërmetit shkatërrues të vitit 2019, është transformuar përmes një projekti gjithëpërfshirës restaurimi të zbatuar nga UNOPS në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit të Shqipërisë.
Ndërtuar në vitin 1924, godina fillimisht shërbente si Klubi i Oficerëve dhe më pas strehoi Parlamentin e parë të Shqipërisë, ku mbaheshin seanca plenare, mbledhje qeveritare dhe pritje diplomatike. Që nga vitet 1960, ajo ka qenë shtëpia e Teatrit Kombëtar të Kukullave, duke u kthyer në një qendër kulturore të rrënjosur thellë në kujtimet e breza të tërë shqiptarësh.
Ceremonia e inaugurimit mblodhi së bashku personalitete të shquara, duke përfshirë Sh.T.Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë; Sh.T.Z Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Shqipëri; Z. Blendi Gonxhja, Ministër i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit; Znj. Fiona McCluney, Koordinatore e Përhershme e OKB-së në Shqipëri; dhe Znj. Sabine Kania, Drejtuese e Zyrës së UNOPS në Shqipëri dhe Kosovë.
Projekti i restaurimit u përqendrua në ruajtjen e elementeve autentike të fasadës dhe brendësisë, me një vëmendje të veçantë ndaj periudhave kryesore arkitekturore të ndërtesës nga vitet 1920 deri në fillim të viteve 1980. Restaurimi përfshiu rikonstruksionin e plotë të fasadës, rindërtimin e skenës të dëmtuar nga tërmeti dhe përmirësime gjithëpërfshirëse të mekanizmave dhe infrastrukturës së teatrit.
Teatri i modernizuar, i cili tani mund të akomodojë deri në 130 persona, ofron mekanizma skenikë bashkëkohorë dhe sisteme audio-vizuale të avancuara, ndërkohë që ruan karakterin e tij historik. Projekti trajtoi dëmtimet strukturore të shkaktuara nga tërmeti, duke përfshirë dëmtimet e rënda të çatisë dhe çarjet strukturore, si dhe zgjidhi problemet kronike si lagështia. etj.
“Krenar për të inauguruar Teatrin Kombëtar të Kukullave dhe për t’ ia rikthyer atë qytetit të Tiranës dhe fëmijëve të tij, të cilët mund të gëzojnë sërish shfaqjet e tij. Kjo ndërtesë është shumë më tepër sesa një teatër kukullash – është një pjesë e historisë shqiptare. Deri më tani, përmes programit EU4Culture, kemi restauruar 18 objekte të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe puna vazhdon në 5 site të tjera. Është e rëndësishme të ruajmë identitetin dhe trashëgiminë kulturore të Shqipërisë ndërsa vendi përparon drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Forca e BE-së qëndron në diversitetin e saj të ankoruar në vlerat e përbashkëta,” deklaroi Sh.T. Z. Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së në Shqipëri.
“Teatri i ri i Kukullave nuk është thjesht një ndërtesë e re; është një investim në imagjinatën, kreativitetin dhe edukimin kulturor të fëmijëve, të rinjve dhe qytetarëve tanë. Një skenë e re për artin e fëmijëve nuk është vetëm një vend për shfaqje; është një hapësirë ku zhvillohen ëndrrat, ku inkurajohet fantazia dhe ku ndërtohen vlerat përmes fuqisë së tregimeve dhe artit. Ky teatër do të jetë një dritare e hapur drejt botës magjike të artit, ku brezat e rinj mund të ndihen të mirëpritur dhe të frymëzuar. Përtej kësaj, ai shton një skenë të re kulturore në kryeqytet, një shtëpi të gjallë për artistët dhe komunitetin, duke plotësuar dhe pasuruar jetën kulturore të Tiranës.”- tha Z. Blendi Gonxhja, Ministri i Ekonomisë, Kulturës, dhe Inovacionit.
“Kjo ndërtesë historike do të jetë sërish një vend që bashkon njerëzit, të rinj e të moshuar, për dialog, kreativitet dhe të qeshura. Jemi vërtet mirënjohës ndaj Bashkimit Europian për besimin dhe mbështetjen bujare, si dhe ndaj Qeverisë së Shqipërisë—veçanërisht Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit—për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe për besimin e dhënë UNOPS për restaurimin e një thesari kaq të rëndësishëm kulturor dhe historik,” vuri në dukje Znj. Sabine Kania, Drejtuese e Zyrës së UNOPS në Shqipëri dhe Kosovë.
Restaurimi i Teatrit Kombëtar të Kukullave përfaqëson një arritje të rëndësishme nën EU4Culture, një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuara nga Bashkimi Europian, me një buxhet total prej 40 milionë eurosh. Programi përqendrohet në restaurimin dhe rigjallërimin e objekteve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019, duke rritur potencialin turistik të Shqipërisë dhe duke kontribuar në rimëkëmbjen socio-ekonomike lokale dhe rajonale.