Takimi i tretë i Konferencës së Anëtarësimit me Shqipërinë në nivel ministror
Sot, në Bruksel, u mbajt takimi i tretë i Konferencës së Anëtarësimit me Shqipërinë në nivel ministror.
Delegacioni i Bashkimit Evropian kryesohej nga z. Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, në emër të Presidencës Hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian, me pjesëmarrjen e Komisioneres për Zgjerim Marta Kos. Delegacioni shqiptar kryesohej nga z. Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë.
Takimi shërbeu për hapjen e negociatave me Shqipërinë për grup-kapitullin 6: Marrëdhëniet e jashtme, përfshirë kapitujt e mëposhtëm negociues:
- Kapitulli 30 – Marrëdhëniet e jashtme
- Kapitulli 31 – Politika e jashtme, e sigurisë dhe e mbrojtjes
BE-ja vendosi gjithashtu standarde për mbylljen e përkohshme të këtyre kapitujve.
Kjo pason hapjen e grup-kapitullit të parë mbi “Themelet”, në Konferencën e Anëtarësimit me Shqipërinë më 15 tetor 2024.
“Sot mbajtëm Konferencën e dytë Ndërqeveritare me Shqipërinë nën Presidencën Hungareze, duke bërë një tjetër hap konkret përpara në procesin e anëtarësimit të saj. Ky progres pasqyron fokusin tonë të fortë në integrimin e Ballkanit Perëndimor, që është thelbësor për stabilitetin dhe të ardhmen e Bashkimit Evropian.
Péter Szijjártó, ministër i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, në emër të Presidencës Hungareze të Këshillit të Bashkimit Evropian.
Monitorimi i progresit në përafrimin dhe zbatimin e acquis të BE-së dhe standardeve përkatëse evropiane do të vazhdojë gjatë gjithë negociatave.
Konferenca e Anëtarësimit do t’i kthehet këtij grup-kapitulli në një moment të përshtatshëm.
Të dhëna
Pas prezantimit të metodologjisë së rishikuar për negociatat e anëtarësimit në vitin 2020, kapitujt e negociatave ndahen në gjashtë grup-kapituj tematikë:
- Themelet
- Tregu i brendshëm
- Konkurrenca dhe rritja gjithëpërfshirëse
- Agjenda e gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme
- Burimet, bujqësia dhe kohezioni
- Marrëdhëniet e jashtme
Negociatat për grup-kapitullin “Themelet” janë të parat që hapen dhe të fundit që mbyllen, dhe progresi në këtë grupim do të përcaktojë ritmin e përgjithshëm të negociatave.