This isn't an official website of the European Union

Të gjitha shijet e Dropullit në një sipërmarrje sociale

Në fëmijëri, Fotion Saqellari shihte të atin dhe gjyshen tek kujdeseshin për kosheret e bletëve në Pogon, një fshat 30 km nga Gjirokastra në jug të Shqipërisë. Kur ai u rrit, u largua për në Greqi ku studioi dhe punoi në fushën e shkencave kompjuterike. Gjithsesi, Fotioni u kthye në fshatin e vet ku tani ka bletë në tri vendndodhje të ndryshme në Malin e Nëmërçkës në një lartësi prej 1.000 metrash.

"Është prej maleve më të pasura, plot me bimë mjekësore dhe bimësia e dendur krijon ambientin ideal për mbledhjen e nektarit dhe pjalmit nga bletët. Mjalti që prodhojmë është tërësisht natyral dhe kemi mjaltë të papërpunuar sepse bletët janë në mal ku nuk është e mundur të ndërhyjë njeriu dhe të përdoren pesticide", sqaron Saqellari nga Derviçani në Bashkinë Dropull teksa mban në duar një kavanoz mjaltë. Ky dyqan, i vendosur në një shkollë të vjetër të restauruar, është pjesë e sipërmarrjes sociale të cilës Saqellari iu bashkua përmes programit të "Përshpejtuesit dhe Inkubatorit të Sipërmarrjeve Sociale për gratë dhe të rinjtë nga Pakica Greke" të mbështetur nga BE-ja.

Dropull

Dyqani social që ndodhet në Derviçan i ofron prodhuesve hapësirë për t'i shitur mallrat e tyre vizitorëve dhe turistëve. "Unë jam bletërritës dhe dijet e mia janë mbi kujdesin për bletët dhe jo në tregti. Përmes programit kam mësuar më shumë mënyra tregtimi, si të menaxhoj të ardhurat dhe investimet, si të punoj me etiketimin e produktit, të bëj analizat dhe dokumentacionin e nevojshëm për t'u futur në tregje të tjera. Edhe nga bletët ama mund të mësojmë shumë: si të jetojmë në komunitet, si të kujdesemi, si të menaxhojmë një 'qytet' në mënyrë të përsosur ashtu si ato dhe të mbajmë mjedisin pastër", thotë Saqellari, familja gjashtanëtarëshe e të cilit  punon me parqet e bletëve.

Mjalti, propolisi, qumështi i bletës dhe dylli janë disa prej produkteve që ai ka sjellë në dyqanin social. Në këtë dyqan shesin mallrat e tyre edhe rreth 50 prodhues të tjerë të përfshirë në këtë program.

Dropull

Një prej tyre është Katerina Koca, e cila përveç mjaltit dhe qumështit të bletëve, i ofron blerësit edhe komposto, liker, reçel, raki dhe gliko. "Në fillim, të gjitha i bëja për familjen dhe miqtë tanë. Tani, falë programit, prodhimet e mia shiten në dyqanin social, duke krijuar lidhje mes nesh dhe njerëzve që duan të blejnë prodhime shtëpie dhe natyrale. Kam gjetur disa formula për çdo artikull dhe po ja mësoj recetat vajzës dhe djalit, i cili studion për veterinari", thotë Koca.

Dropull

Gratë e moshave dhe origjinave të ndryshme mblidhen në dyqan kur mbërrijnë autobusët me turistë. Njohuritë e tyre për recetat ushqimore të trashëguara nga prindërit dhe gjyshërit, të gatuara dhe përgatitura me përbërës vendas dhe të freskët, u japin këtyre prodhimeve shije të veçantë. Krisula Boboli është një zonjë buzagaz që prodhon trahana, me përzierje të fermentuar mielli gruri dhe kosi ose qumështi të fermentuar. "Unë përdor miell, dhe qumësht dhie ose lope. Procesi do disa ditë, por rezultati ia vlen. Është e mirë për çdo moshë, përfshirë dhe fëmijët. Përpara programit, trahananë e bëja vetëm për familjen, por pastaj pashë një mundësi të re, duke qenë se dyqani social ndihmon në sigurimin e klientëve", thotë ajo tek tregon produktet në dyqan, që tashmë janë edhe të etiketuara.  

Duar të arta

Kuzhina tradicionale dhe tradita agroushqimore ishin vetëm një aspekt i programit. Ngritja e strukturës së përshpejtimit dhe inkubimit SOCIAL-E, përfshirë edhe restaurimin e godinës, dyqanin social, strukturën e menaxhimit, hapësirat e trajnimit dhe inkubatorët fizikë për pritjen e sipërmarrjeve sociale, përfshinë edhe artizanatin, artin tradicional dhe industritë krijuese. 

Dropull

Arjola Dhjamandi ka mësuar të qepë dhe qëndisë veshjet tradicionale të Dropullit nga vjehrra e saj. "Në qendër të futës (fundit) ka dy zogj dhe një kupë që simbolizon familjen e bashkuar. Ky fustan është vetëm për nuset gjatë viteve të para të martesës, ndërsa gratë e moshave më të mëdha kanë veshje të tjera. Qëndisja e një veshjeje të tillë me të gjitha hollësitë, këmishën, mëngët, jelekun, brezin dhe kësulën zgjat rreth dy muaj. Veshja e burrave është më e thjeshtë dhe dallimi i fustanellës nga zonat e tjera është se kjo është më e shkurtër", shpjegon Dhjamandi duke treguar lulet e ndryshme në veshjet e burrave dhe të grave, si dhe ngjyrat dhe materialet që përdoren për të ruajtur traditën. Megjithatë, është e vështirë që disa detaje të ruhen në të njëjtën mënyrë, si për shembull 70 monedhat e floririt që viheshin në ballë si pjesë e veshjes dhe që i jepeshin nuses nga familja e dhëndrit.

Dropull

Amalia Milo, që bënte pjesë në grupin e punonjësve bashkiakë që punuan dhe ndihmuan në zbatimin e projektit në Dropull, shpjegoi se shumica e grave kanë punuar edhe më parë me prodhimin e produkteve ushqimore shtëpiake, por se shitjet ishin tek të afërmit dhe të njohurit në një rreth të vogël njerëzish. "Ato kishin nevojë për treg më të madh për të rritur shitjet. Në kuadër të programit, u mblodhën 50 gra, që krijuan grupe sipas produkteve që kanë. Ato u trajnuan dhe iu dha mundësia të krijojnë bizneset e tyre dhe të dalin në treg në mënyrë më të organizuar", thotë Milo.

Nisma nuk ka përmirësuar vetëm situatën ekonomike, por ka mëkuar edhe ndjenjën e komunitetit dhe fuqizimit ekonomik, si dhe ndjenjën e vlerësimit nga shoqëria duke marrë pjesë në aktivitetet sociale dhe kulturore të organizuara nga qendra sociale.

Dropull

 

INFORMACION PLOTËSUES

“SOCIAL-E: Përshpejtuesi dhe Inkubatori i Sipërmarrjeve Sociale për gratë dhe të rinjtë e Pakicës Greke" është program i financuar nga BE-ja. Objektivi i përgjithshëm i SOCIAL-E ishte të krijonte një Përshpejtues dhe Inkubator Fizik dhe Virtual tejet inovator për Sipërmarrjet Sociale që synonte të mbështeste grupet e cenueshme të Bashkisë Dropull për të nisur, ngritur dhe zhvilluar biznese social që lidhen me traditën e kuzhinës dhe agroushqimore, artizanatin, artet popullore dhe industritë krijuese, si dhe shërbimet e reja të turizmit si turizmi kulturor dhe agroturizmi alternativ, por jo vetëm. Me qëllim krijimin dhe qëndrueshmërinë e mekanizmave novatorë në Bashki për ngritjen dhe mbështetjen e sipërmarrjeve sociale, përfshirë mentorimin, trajnimin nga afër, rrjetëzimin, Shitjet Unike dhe Marketingun, praninë ndërkombëtare dhe promovimin, financimin, grantet dhe mikro financën, programi punoi edhe për ndërgjegjësimin publik kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, duke nxitur paradigmat e suksesshme të sipërmarrjes sociale si alternativën më të mirë ndaj veprimtarive të paligjshme dhe migracionit.