This isn't an official website of the European Union

Soditja e yjeve në Shebenik, aty ku natyra takohet me legjendat

Në mesin e gushtit, Parku Kombëtar i Shebenikut në Shqipërinë lindore ofron një shfaqje mahnitëse qiellore, me deri në 100 yje që bien në orë, të dukshëm në netët e ngrohta të verës. Kjo shfaqje, e njohur si shiu i meteorëve “Perseid”, ndodh kur Toka kalon nëpër mbetjet e dendura të kometës Swift-Tuttle. “Ndërsa grimcat e vogla hyjnë në atmosferën e Tokës, ato digjen dhe lënë gjurmë të ndritshme në qiell. Vendndodhja e largët e Shebenikut, pa ndotje nga drita dhe ajri, ofron një pikë të favorshme për të ndjekur këtë ngjarje spektakolare”, shpjegon udhërrëfyesi vendas Lyto Alliu.

Sherbenik Albania

Për të promovuar ndërgjegjësimin mjedisor, jetesën e shëndetshme, si dhe për të treguar zonat e mbrojtura të Shqipërisë , “Shtëpia e Evropës” organizoi së bashku me Alliun një vizitë që përfshinte eksplorim, ecje në shtigje malore, kamping dhe soditje të yjeve në pikat kryesore të parkut. “Shebeniku shënohet në Hartën Astronomike Shqiptare për pamjet e tij të qarta të objekteve qiellore, përfshirë hënën”, thotë Alliu. Pas eksplorimit të muzeut të Librazhdit, fshatit Llangë dhe ecjes për 5 kilometra nëpër pyll, vizitorët soditën shiun e meteorëve pranë zjarrit, në natën e freskët të verës.

 

Flora dhe Fauna

 

Sherbenik Albania

Fushë-Studeni ndodhet rreth 1100 m mbi nivelin e detit dhe rrethohet nga malet. Emri i fushës, Studen, do të thotë ftohtë. Parku i Shebenikut shtrihet mbi 35,000 hektarë në tri bashki: Librazhd, Bulqizë dhe Prrenjas. Ekosistemi i pasur i parkut përfshin 14 liqene akullnajore, 3 liqene artificiale dhe pyjet mbi 300-vjeçare të ahut në Rrajcë të mbrojtura nga UNESCO. Parku strehon rreth 1600 specie bimore, përfshirë gati 80% të bimëve mjekësore të Shqipërisë dhe specie endemike të rralla si zambaku shqiptar.

Xhek Nezha, Administration of Protected Areas of Elbasan (AKZM)

Xhek Nezha, Administrata e Zonave të Mbrojtura të Elbasanit (AKZM)

“Flora e saj është shumë e pasur, kryesisht e dominuar nga pyje të mëdha ahu, të cilat nuk kanë pasur ndërhyrje njerëzore për tre shekuj. Parku strehon rreth 1600 specie bimore, përfshirë gati 80% të bimëve mjekësore të Shqipërisë dhe specie endemike të rralla si zambaku shqiptar (Albanicum Lilium)”, shpjegon Xhek Nezha, nga Administrata e Zonave të Mbrojtura të Elbasanit (AKZM), ndërsa grupi ka mbërritur në Qendrën e Vizitorëve në Fushë-Studen.

Bashkimi Evropian ka financuar restaurimin e ndërtesës. Nëpërmjet fotografive dhe infografikave, vizitorëve u jepet informacion, në shqip dhe anglisht, mbi speciet kryesore të florës dhe faunës së parkut.

 

Sherbenik Albania

“Fauna është gjithashtu e pasur. Kemi gjithë gjitarët e Shqipërisë, duke përfshirë ariun, ujkun, kaprollin, dhinë e egër, lepurin dhe në majë të piramidës është rrëqebulli ballkanik, një specie shumë e rrezikuar”, thotë Nezha. Kamerat kurth në park kanë kapur imazhe të rrëqebullit të Ballkanit dhe kafshëve të tjera të egra, duke demonstruar ekosistemin e shëndetshëm të parkut

Sherbenik Albania

Gjatë vizitës, specialistët e AKZM-së treguan se si janë instaluar kamerat kurth për të siguruar pamje të faunës. Duke fotografuar në një rreze prej 8 metrash distancë, sensorët e kamerës aktivizohen kur ka objekte apo specie që kanë një nxehtësi të caktuar. Ishte njëra nga këto kamera që tregoi tre rrëqebuj të Ballkanit, ndërsa një tjetër tregoi një ari që po shkatërronte kamerën.

Kultura dhe Legjendat

Sherbenik Albania

Rajoni i Shebenikut ndërthur traditat kulturore nga Rrajca, Stebleva dhe Golloborda, një fshat ku flitet një dialekt i vjetër bullgar. Qendra e Vizitorëve​ nxjerr në pah kulturën vendase, biodiversitetin dhe shtigjet që çojnë në liqene, maja dhe monumente natyrore. Legjenda të tilla si historia e babait të Aleksandrit të Madh dhe Skënderbeut, heroit kombëtar të Shqipërisë, janë ndërthurur me historinë e parkut.

Sherbenik Albania

Lyto Alliu, udhërrëfyes vendas

“Një nga betejat më të famshme të Skënderbeut është ajo e Torviollit, një betejë në fushën e Domosdovës, që është afër vendit ku jemi. Sipas legjendës, kur kaloi këndej, Skënderbeu preu një gur dhe drekoi me ushtrinë vet te një gur tjetër. Ky është shpjegimi për dy toponimet, Guri i Skënderbeut dhe Tryeza e Rrumbullakët e Skënderbeut, një gur 1 km i gjatë dhe 800 metra i gjerë”, thotë Lyto Alliu.

Shpella e Eremitit ose Kisha e Eremitit, pranë lumit të Qarrishtës, me piktura të Shën Mërisë dhe dishepujve të shekujve 9-12, është një tjetër vend intrigues. “Këndej kanë kaluar grupe pelegrinësh dhe duke qenë se nuk kishin ku të faleshin, besohet se kanë pikturuar shkëmbin e shpellës”, shpjegon Alliu.

Sherbenik Albania

Rajoni ruan gjurmë të epokave të ndryshme, që nga Perandoria Romake me Via Egnatian deri te Perandoria Osmane dhe Skënderbeu. Në ditët e sotme shumë prej tyre janë atraksione turistike, por ka disa të tjera që kanë një funksion të ri. Duke qenë se Parku i Shebenikut është pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, në kohën e komunizmit, kishte shumë posta ushtarake që kontrollonin kufirin. Tani shumica e tyre përdoren si kasolle barinjsh gjatë verës, kur barinjtë lëvizin në kullotat malore. Praktika tani është më e vogël në numër se dikur, por, megjithatë, është një mënyrë për të transmetuar transhumancën, e cila kontribuon për forcimin e identitetit kulturor dhe territoreve, ndërsa lufton efektet e shpopullimit rural, sipas vlerësimit të UNESCO-s.

 

INFORMACION 

 

Sherbenik Albania

“Forcimi i kapaciteteve kombëtare për mbrojtjen e natyrës – përgatitja për rrjetin “Natyra 2000” është një projekt që synon të ndalojë humbjen e biodiversitetit në Shqipëri, nëpërmjet përmirësimit të menaxhimit të zonave të mbrojtura dhe hedhjes së themeleve për zbatimin e ardhshëm të rrjetit evropian “Natyra 2000”. Zonat e mbrojtura janë gurët e themelit për ruajtjen e natyrës dhe shpesh mënyra më e qëndrueshme për të ruajtur diversitetin e ekosistemeve. Objektivi i tij i përgjithshëm është përgatitja e një liste paraprake të vendndodhjeve të “Natyra 2000”, me qëllim paraqitjen e tyre në të ardhmen në Komisionin Evropian nga autoritetet kompetente shqiptare, duke kontribuar në procesin e përafrimit të kuadrit rregullator të vendit me acquis mjedisor të BE-së, zhvillimin dhe zbatimin e një programi gjithëpërfshirës për ngritjen e kapaciteteve për stafin e zonave të mbrojtura, si dhe ndërmarrjen e veprimeve specifike në lidhje me infrastrukturën, pajisjet, ruajtjen e habitateve dhe specieve prioritare, si dhe monitorimin e biodiversitetit.