This isn't an official website of the European Union

Silvi Naçi: Duhet të krijojmë hapësirë për narrativa të reja

Në fillim të viteve 1990, pas rënies së komunizmit në Shqipëri, babai i Silvi Naçit u dëmtua ndërsa punonte si emigrant në Greqi dhe u paralizua në moshën 39-vjeçare, ndërsa nëna e tyre bënte tri punë për ta shpërngulur familjen jashtë vendit.

“Kur kjo tragjedi goditi familjen time, njerëzit në Shqipëri e quanin babanë tim si gjysmënjeriu dhe e shikonin familjen tonë me shumë keqardhje. Si emigrante në Shtetet e Bashkuara, gjithë puna ime, qoftë ajo vizuale, organizative, shkrimi i teksteve apo projektet e bazuara në komunitet, përkrahin të drejtat, mbrojtjen dhe lirinë e gjithë njerëzve”, thotë Silvi Naçi, artiste dhe shkrimtare që punon mes Tiranës dhe Los Anxhelosit. Puna e Naçit shqyrton sesi trupi i margjinalizuar ndikohet nga një gjendje shtypëse dhe sesi proceset e dekolonizimit prekin dhe riformësojnë njerëzit, trupin, gjuhën dhe mundësitë e identitetit gjinor. Në vitin 2018, Naçi bashkëthemeloi “Radical Sense”, një grup feminist leximi dhe përkthimi në Tiranë që prodhoi dhe shpërndau dy vëllime të vetëfinancuara me tekste feministe dhe queer të përkthyera për herë të parë në shqip.

Përmes veprave të ndryshme artistike, ata eksplorojnë marrëdhëniet midis individëve dhe shoqërisë, parë në një kënd tjetër, duke theksuar rolin ose kuptimin e dyfishtë që mund të kenë të njëjtat objekte, në varësi të mënyrës se si i përdorim ato. “Pa titull (duart)” është një nga veprat e tyre më interesante, e përbërë nga një seri fotografish. “Disa nga temat që eksploroj në punën time kanë të bëjnë me gjininë, feminizmin, studimet queer, diktaturën, heshtjen, zhdukjen dhe femicidin, të cilat kanë qenë në rritje qëkur bëra këtë vepër. Në njërën prej kornizave, duart e mia mbajnë një degë ulliri pothuajse në një mënyrë sikur përfshijnë, ndalin një çast paqeje. Po mendoj për momente tensioni dhe dualiteti në mënyrën se si i përdorim duart – për t’u kujdesur apo për të shkatërruar”, thanë ata në një intervistë me Simon Kurtin me rastin e ekspozitës “Ngjarja e një fijeje” në Galerinë Kombëtare në Prishtinë.

Silvi Naci

Teksa shfaqim heronjtë e krenarisë, Naçi përmend nevojën për të krijuar hapësira për mirëkuptim duke dëgjuar njëri-tjetrin dhe duke bërë të mundur që gjithë njerëzit, pavarësisht nga shprehja gjinore dhe seksualiteti, të kenë një jetë të lirë dhe vetëpërmbushëse. “Kjo kërkon ndërtim të qëllimshëm të ndjeshmërisë, mirëkuptim të ndërsjellë dhe përkujdesje për gjithë njerëzit. Mendoj se është e rëndësishme të theksohet se unë hyj e dal nga Shqipëria, jetoj në hapësirën në mes, në hapësirën e përkthimit, në ndërgjegje të dyfishtë, kështu që këndvështrimi im ndryshon nga miqtë e mi që jetojnë në Shqipëri dhe rezistojnë e mbështesin jetën e tyre çdo ditë – ata janë heronjtë e mi”, thonë ata.

Për më tepër, dhe duke pasur një këndvështrim më të gjerë, Naçi sheh se po bëhet shumë punë nga miqtë dhe bashkëpunëtorët e tyre për të rritur ndërgjegjësimin për LGBTQIA+, të drejtat dhe çështjet trans me shpresën për ndryshim. “Unë shoh gjithashtu rezistencë ndaj ndryshimit, ndërsa shoh të ndodhë dashuri radikale queer. Mendoj se ajo që është e rëndësishme është që duhet të bëjmë biseda të hapura dhe të mos heshtim – të ndërtojmë hapësira të sigurta të financuara nga shteti për rininë queer dhe të edukojmë të moshuarit që kanë mbetur ende të ngrirë në ideologjinë e Hoxhës. Në mënyrë që të përparojmë, duhet të krijojmë hapësirë që të shfaqen narrativa të reja në vend që të përsërisim modele të vjetra që nuk na shërbejnë. Nëse hapim zemrat dhe mendjet tona, mund të mësojmë, në fakt, mënyra të reja të të qenit së bashku që janë të bazuara në një themel dashurie, përkujdesjeje dhe çlirimi”, theksojnë ata.

Secili ka rrugëtimin e vet për të zbuluar, kuptuar dhe pranuar veten. Për Silvin Naçi, ai erdhi kur shkuan në terapinë e rekomanduar pas një operacioni invaziv për trajtimin e dhimbjes kronike. “Në terapi fillova të kuptoj përvojën time personale, duke qenë një emigrante e re queer që përpiqej të asimilohej në kulturën perëndimore. Nisi duke qenë kureshtare dhe e hapur për gjetjen e mënyrës sime të vetëpranimit dhe dashurisë, gjë që më lejoi gjithashtu ta shtrija përkujdesjen te komunitetet e mia dhe të krijoja hapësira të sigurta për të tjerët që të eksploronin përvojat e tyre përmes krijimit dhe organizimit të artit me baza në komunitet”, thotë Naçi.

Një nga veprat e tyre, e titulluar “{Mos} Prek Lulen time, 2019”, u krijua gjatë një rezidence arti në Karolinën e Veriut, verën kur Silvi Naçi doli hapur para familjes së tyre, të cilën ata e cilësojnë si një periudhë shumë të ëmbël, të cenueshme dhe të çmuar. Duke përshkruar “Qilimin”, një vepër tjetër artistike, Naçi thotë se: “I shoh veprat si ndërtimin e një arkivi futurist queer, ku kufijtë përmbysen dhe zhbëhen për të përfshirë narrativat e margjinalizuara”.

Për Naçin, të bërit art ka qenë gjithmonë një akt mbijetese dhe krijim i hapësirës që këndvështrime dhe narrativa të ndryshme të mund të lindin, të shërojnë dhe të përkujdesen, duke përfshirë narrativa të margjinalizuara që përmbajnë mençuri. “Këtu lulëzon e ardhmja queer dhe hap horizonte të reja mundësish. Arti më ka lejuar gjithashtu të imagjinoj një të ardhme ku historitë dhe praktikat e atyre që janë në skaje legjitimohen dhe bëhen të dukshme, si dhe ta përdor atë dukshmëri për të rritur ndërgjegjësimin për çështjet e drejtësisë sociale, identitetit, gjinisë dhe racës në komunitetin LGBTQIA+ , dhe në demonstrimin e fuqisë së bashkëpunimit dhe ndjeshmërisë”, theksojnë ata.

Silvi Naçi e kujton ende orën e tyre të parë të psikologjisë në një shkollë universitare, kur një nga shokët e klasës nisi të shprehej në klasë për çështje familjare si pjesë e diskutimit. Duke ardhur nga një familje shqiptare, ku nuk shprehesh në publik për çështjet e tua familjare, ata mbetën të shtangur dhe të zemëruar. “Si munden, mendova. Shumë shpejt kuptova se ato ishin taktika kontrolli, nënshtrimi, turpi dhe nxitje frike për të më mbajtur brenda një kulture frike dhe veçimi”, kujton Silvi Naçi pasi punoi me frikën si material për të përfytyruar të ardhme të reja të përkujdesjes.