Shqipëria: Partneritet i ri për Sigurinë dhe Mbrojtjen me BE-në për forcimin e aftësive dhe bashkëpunimit
Më 19 nëntor 2024, BE dhe Shqipëria miratuan Partneritetin për Sigurinë dhe Mbrojtjen .
Ky kuadër i ri politik krijon një platformë për dialog dhe bashkëpunim të zgjeruar për çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes, duke reflektuar vendosmërinë e të dyja palëve për të punuar së bashku për zgjidhjen e sfidave të përbashkëta të sigurisë në një mjedis global gjithnjë e më kompleks.
Lufta e vazhdueshme, e paprovokuar dhe e pajustifikuar e agresionit nga Rusia kundër Ukrainës thekson rëndësinë kritike të unitetit dhe bashkëpunimit të ngushtë brenda BE-së, si dhe me partnerët e saj më të afërt. Shqipëria është kandidate për t'u anëtarësuar në Bashkimin Evropian dhe ka qenë prej kohësh një partnere e vlefshme dhe e besuar për BE-në në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes. Si e tillë, ajo po kontribuon gjithashtu në mënyrë aktive në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të BE-së (CSDP).
Partneriteti i sapomiratuar për Sigurinë dhe Mbrojtjen bazohet në këtë themel të fortë, duke i hapur rrugë rritjes së bashkëpunimit në fusha kyçe, përfshirë menaxhimin e krizave, mbështetjen për Ukrainën, përballimin e kërcënimeve hibride, sigurinë kibernetike, ngritjen e aftësive dhe trajnimin, luftën kundër terrorizmit dhe aspektet e jashtme të menaxhimit të integruar të kufirit.
Nga ky partneritet i forcuar do të përfitojnë qytetarët si në BE ashtu edhe në Shqipëri, duke promovuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë.
Vendimi i korrikut 2024 i BE-së për t'i dhënë 13 milionë Euro mbështetje Forcave të Armatosura Shqiptare në kuadër të Fondit Evropian të Paqes, ka qenë një moment historik i rëndësishëm në bashkëpunimin tonë për sigurinë dhe mbrojtjen. Ai pasqyron vlerësimin e BE-së për përafrimin e plotë të Shqipërisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të Bashkimit Evropian, e cila është një shprehje shumë e qartë e zgjedhjes strategjike të Shqipërisë për një të ardhme brenda BE-së.
BE dhe Shqipëria qëndrojnë së bashku në vendosmërinë e tyre për të thelluar bashkëpunimin për zgjidhjen e çështjeve të ngutshme që lidhen me sigurinë dhe mbrojtjen, si dhe për eksplorimin e rrugëve të reja për veprim të përbashkët. Ky partneritet përfaqëson një hap të rëndësishëm përpara në angazhimin e tyre të përbashkët për një Evropë më të sigurt dhe më të qëndrueshme.