This isn't an official website of the European Union

Rusi: Deklaratë nga Përfaqësuesi i Lartë në emër të Bashkimit Evropian mbi vdekjen e Alexei Navalny-t

Bashkimi Evropian është tejet i tronditur dhe i indinjuar nga vdekja e politikanit të opozitës ruse Alexei Navalny, për të cilën përgjegjësia përfundimtare mbetet e Presidentit Putin dhe e autoriteteve ruse. Sot, në Këshillin e Punëve të Jashtme ne i shprehëm ngushëllimet tona më të sinqerta bashkëshortes së të ndjerit, Yulia Navalnaya, fëmijëve të tyre, miqve si dhe të gjithëve atyre që punuan me të për të mirën e vendit të tyre.    

Rusia duhet të lejojë një hetim ndërkombëtar të pavarur dhe transparent të rrethanave të vdekjes së tij të papritur. BE-ja nuk do të kursejë asnjë përpjekje për të mbajtur përgjegjës lidershipin dhe autoritetet ruse, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë; si dhe të vendosë masa të mëtejshme për veprimet e tyre, përfshirë edhe nëpërmjet sanksioneve.

 Anembanë botës njerëzit janë mbledhur për të nderuar kujtimin e  Alexei Navalny-t. Në Rusi, autoritetet janë përpjekur ta pengojnë këtë gjë në disa qytete dhe qindra njerëz janë ndaluar. Këta duhet të lirohen menjëherë.

Z. Navalny me guximin e tij ishte rikthyer në Rusi pas një tentative për vrasje me anë të agjentit nervor “Novichok”, i cili është i ndaluar sipas Konventës së Armëve Kimike, në të cilën Federata Ruse është Shtet Palë. Ai po kryente disa dënime të motivuara politikisht në një koloni penale me regjim shumë të rreptë në Siberi, ku e kishin dërguar për ta izoluar nga pjesa tjetër e botës. Familjarët kishin qasje të kufizuar tek ai. Ndërkohë, avokatët janë bërë objekt i sulmeve dhe tre prej tyre kanë qenë në paraburgim që nga tetori 2023.

Bashkimi Evropian e ka dënuar me forcë dhe në mënyrë të përsëritur helmimin e tij si dhe të gjitha vendimet e motivuara politikisht kundër tij për veprimtaritë e tij të ligjshme politike dhe antikorrupsion, duke bërë thirrje për lirimin e tij të menjëhershëm dhe pa kushte. Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Rusisë, në mënyrë të përsëritur, që të garantojë sigurinë dhe shëndetin e tij, përfshirë duke kontaktuar autoritetet në Moskë, por më kot.

Gjatë gjithë jetës së tij, z. Navalny ka treguar kurajë të pabesueshme, përkushtim ndaj atdheut dhe bashkëkombësve dhe vendosmëri me punën e tij antikorrupsion anekënd Rusisë, një mesazh që tërhoqi shumë njerëz nga të gjitha anët e vendit. Për këtë arsye, Putini dhe regjimi i tij ia kishin frikën, gjithashtu edhe në kontekstin e luftës së paligjshme që Rusia vijon të zhvillojë kundër Ukrainës si dhe të zgjedhjeve presidenciale në Rusi që do të mbahen në muajin mars.

Vdekja e papritur dhe tronditëse e z. Navalny është një tjetër shenjë e represionit të përshpejtuar dhe sistematik në Rusi. Bashkimi Evropian përsërit thirrjen që i bën Rusisë për të liruar menjëherë dhe pa kushte të gjithë të burgosurit e tjerë politik, përfshirë Yuri Dmitriev, Vladimir Kara-Murza, Ilya Yashin, Alexei Gorinov, Lilia Chanysheva, Ksenia Fadeeva, Alexandra Skochilenko dhe Ivan Safronov.