This isn't an official website of the European Union

Rikthimi i operetës “Agimi” dhe nxitja e zhanrit të operës në Shqipëri

Në fëmijëri kishte mësuar të luante klarinetë dhe kështu nisi dashuria e tij për muzikën. Pas studimeve në Konservatorin e Parisit, në Francë, dhe në Konservatorin “Giuseppe Verdi” në Itali, kompozitori i ri Kristo Kono u kthye në Shqipëri duke hedhur hapat e parë për t'u bërë një nga kontribuuesit e parë të muzikës klasike dhe operës shqiptare. Fillimisht si mësues muzike e më pas si kompozitor, ai krijoi kore nëpër shkolla, punoi me korin e njohur “Lira”, shkroi romanca dhe këngë për këngëtarë të njohur të vendit të viteve ’30, si Jorgjia Truja dhe Tefta Tashko. Megjithatë, ngritja e kompozitorit erdhi pas Luftës së Dytë Botërore. Pasi kompozoi kantata, muzikë filmash, rapsodi korale, vepra instrumentale vokale apo suita për orkestër, në vitin 1954 iu kërkua të kompozonte diçka për të festuar 10 vite çlirim dhe kështu mori jetë opereta “Agimi”. Sfida ishte shumë e madhe, pasi ishte opereta e parë shqiptare e realizuar ndonjëherë, ndërkohë që vendit iu desh të priste edhe disa vite për të ndërtuar një teatër opere.

“Opereta e parë shqiptare u ngjit në skenë 70 vjet më parë dhe ky ishte një moment historik për muzikën tonë klasike dhe zhanrin e operës. Kono është një nga artistët themelues të Operës sonë. Në atë kohë, këtij produksioni iu bashkuan artistë të njohur, Kono ishte kompozitori, shkrimtari Kol Jakova shkroi libretin, ndërsa piktori Vangjush Mio projektoi skenografinë”, thotë Inva Mula, një soprano dhe regjisore e njohur shqiptare, e cila e rivuri në skenë operetën e harruar pas 7 dekadash, me mbështetjen e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Opereta

Premiera e saj ishte pjesë e MIK-së (11-14 korrik), një festival ndërkombëtar muzikor që Mula e organizon prej vitesh në Korçë, qyteti ku debutoi opereta “Agimi” në vitin 1954. Salla e teatrit “Andon Zako Çajupi” kishte një publik masiv, ndërsa dy të moshuar, të cilët kishin ndjekur versionin e parë të operetës 70 vjet më parë, ishin ulur mes spektatorëve për të parë versionin e ri. Në mes të akteve, të pranishmit u befasuan kur një pjesë nga regjistrimi origjinal i operetës mbushi sallën e koncerteve.

Historia e veprës është vendosur në një fshat në veri të Shqipërisë, ndoshta në Mirditë. Konflikti vjen pas një historie dashurie mes Hanës dhe Sokolit dhe xhelozisë së një burri tjetër në fshat, i cili po ashtu e dashuron Hanën. Libreti është përshtatur, për të hequr gjurmët e ideologjisë komuniste që ishte pashmangshmërisht pjesë e çdo vepre skenike në vitet 1950, por muzika është e njëjta.

Opereta

“Ishte një lloj aventure, së pari, sepse nuk është e lehtë për një festival të prodhojë një operetë të tërë, me tre akte dhe gjithë ata personazhe. Më pas, meqë nuk kemi arkiv, na u desh të mblidhnim copa letrash të dëmtuara, të vështira për t'u lexuar, si dhe të mblidhnim fragmente të partiturave për të rikrijuar operetën. Por ia dolëm dhe jemi krenarë të themi se festivali MIK arriti ta digjitalizojë atë dhe tani çdokush që dëshiron të studiojë operetën e parë shqiptare mund të ketë qasje në të”, shpjegon Mula, e cila është edhe vajza e dy këngëtarëve të njohur të operës.

Njësoj si në versionin origjinal, kjo rivënie në skenë ruajti dialektet gegë dhe toskë nga veriu dhe jugu i Shqipërisë, ashtu siç i kanë interpretuar fillimisht këngëtarët, duke bashkuar dy variantet e gjuhës shqipe. Ndërsa emocionet u ndien skenë pas skene, fundi i operetës mori duartrokitje të forta dhe përgëzime. Mula mendon se ka shumë shpresë në këtë vepër, një shpresë që vjen nga muzika dhe koralet e gëzueshme.

Opereta

“Ndonjëherë tingëllojnë naive dhe të sinqerta, sepse është një muzikë që vjen nga shpirti dhe ndërthur motive shqiptare me një përqasje klasike. Shpresa e ndier ka të bëjë edhe me artistët. Në vitin 1954, Kono e vuri në skenë me amatorë, ndërsa këtë vit ne e vumë në skenë me artistë të rinj 18-24 vjeç, dhe unë jam e lumtur që shoh brezin e ardhshëm të punojë me kaq pasion”, thekson ajo.

Një nga bashkëpunëtorët e saj në festival është Aleks Ikonomidhi, një kordinator arti që ka studiuar për drejtësi dhe histori arti, i cili mblodhi partiturat në arkivat e familjes së tij (daja dhe xhaxhai i tij kanë qenë pjesë e operetës në vitet ‘50) dhe në institucionet shqiptare. I ri, por i pasionuar pas muzikës dhe trashëgimisë, ai kërkoi në raftet e vjetra për të gjetur shënimet e Kristo Konos dhe për ta nderuar atë.

Ndërsa festivali i saj promovon natyrën shqiptare, peizazhet, trashëgiminë dhe muzikën ndërkombëtare, për Mulën, ringjallja e repertorit klasik shqiptar është e rëndësishme, së bashku me interpretimin e veprave më të shquara të operës nga kompozitorët e famshëm botërorë.