This isn't an official website of the European Union

Riciklimi i mbetjeve plastike si një akt dashurie

“Riciklimi është shumë më tepër sesa ndarja e mbetjeve. Ai është një akt dashurie për natyrën dhe një angazhim për të ardhmen tonë. Ne kemi mundësinë dhe përgjegjësinë që të kujdesemi për botën që na rrethon, duke marrë vendime që formojnë një të ardhme më të mirë. Bota ndryshon kur fillojmë të riciklojmë mendimet dhe qëndrimet tona po ashtu”, tha Griselda Gjepali, një nxënëse 14-vjeçare e shkollës “Qemal Mici” në Durrës, teksa mbante një fjalim emocionues në një aktivitet të organizuar me qëllim promovimin e aktivizmit për reduktimin e mbetjeve plastike  dhe mbrojtjen e  mjedisit. Gjepali përfaqësoi bashkëmoshatarët e saj në skenë, duke theksuar rëndësinë e proceseve të riciklimit për shoqërinë dhe mjedisin. 

Ajo është një nga 250 nxënësit  frymëzues  nga 12 shkolla nëntëvjeçare në Durrës që morën pjesë në një konkurs miqësor për mbledhjen e plastikës. Ambientalistë të rinj dhe mësuesit e tyre, së bashku me “Lëvizjen për pastrimin e lumenjve në Shqipëri” kanë mbledhur në mënyrë aktive mbetje plastike gjatë javëve të fundit duke treguar me përpjekjet e tyre se si gjestet e vogla ndryshojnë perceptimet dhe angazhojnë shoqërinë, përfshirë prindërit, në veprime proaktive për të mbrojtur natyrën. Në të njëjtën kohë, ambicia e tyre ka qenë ndërgjegjësimi dhe edukimi i komuniteteve të tyre për çështjet mjedisore dhe dëmet e mbetjeve plastike. Ndërsa nxënësit u nxitën të jepnin kontribute të prekshme në përpjekjet për riciklim, teksa mësojnë se si veprimet e tyre ndihmojnë për të mbrojtur mjedisin, për të festuar këto përpjekje, Shtëpia e Evropës organizoi një aktivitet në shkollën “14 Nëntori”  në Durrës, një objekt i rinovuar përmes programit “BE për shkollat”. 

Durres Clean up

“Jemi të lumtur të shohim kjo që nuk ka të bëjë më vetëm me ndërtesën, por me ju! Mesazhi ynë është shumë i thjeshtë: ne duam të nxisim pikërisht këto lloj projektesh, që të kuptoni që në moshë të hershme rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit. Plastikës i duhen 500 vjet për t'u dekompozuar dhe shpresoj se ju do të jeni brezi që do ta ndryshoni mënyrën se si përballemi me këtë”, tha gjatë aktivitetit Jean-Baptist Le Bras, zëvendësshef i Seksionit Politik në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Durres Clean up

Nxënësit u janë bashkuar gjithashtu edhe grupeve në WhatsApp  për të koordinuar veprimet e mëtejshme, duke krijuar një “rrjeti social plastik” të gjallë, si dhe për të demonstruar me shembuj të prekshëm se mbledhja e mbetjeve plastike shpërblehet. Gjithsej u mblodhën 2.080 kg plastikë në qytet, si dhe rreth shtëpive e shkollave të tyre. 1.655 kg, rreth 80% e plastikës së mbledhur, u ricikluan, për t'u shndërruar në mjete sportive dhe rekreative për mjediset edukative. 12 shkollat e përfshira në konkurs morën certifikata pjesëmarrjeje për veprimet e tyre në mbrojtje të mjedisit. Gjatë ceremonisë, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësues nga ambasadat gjermane, kroate dhe holandeze, u prezantuan instalime artistike të bëra me plastikë të ricikluar nga nxënësit e shkollave "Vinçenc Prendushi", "Bajram Curri", "Jusuf Puka", "Kushtrimi i Lirisë”, etj. Konkursi nderoi me çmimin e parë shkollën "Marie Kaçulini” për mbledhjen e 520 kg mbetje plastike, nga të cilat 430 kg të riciklueshme; çmimi i dytë shkoi për shkollën "Bilal Golemi" që mblodhi 380 kg mbetje plastike, nga të cilat 190 kg të riciklueshme, ndërsa çmimi i tretë shkoi për shkollën “Jusuf Puka” që mblodhi 200 kg, nga të cilat 190 të riciklueshme.

Durres Clean up

“Sot jemi të gjithë fitues, sepse të fitosh do të thotë ta kthesh plastikën në mjete shkollore”, u tha një nga mësuesit pjesëmarrësve, ndërsa nisma nxjerr në pah hapa të qëndrueshëm për kujdesin mjedisor, sidomos për brezat e ardhshëm, duke i nxitur nxënësit të japin kontribute të prekshme në përpjekjet për riciklim dhe të mësojnë se si veprimet e tyre ndihmojnë për mbrojtjen e mjedisit.

“Në fillim, na vinte turp të mblidhnim plastikën, tani mësuam ta përdorim në mënyrë të dobishme. Nëse fëmijëve u mësohet se plastika ka vlerë në treg dhe lidhet me ekonominë qarkulluese, mund ta ndryshojmë sjelljen. Të gjithë jemi të ndjeshëm ndaj fëmijëve, ndaj duke ndjekur shembullin e tyre, ndoshta edhe kompanitë dhe institucionet private do të bëjnë të njëjtën gjë, duke filluar nga shkollat ku arsimohemi”, thotë Laura Gjyli që mbështet prej vitesh reduktimin e mbetjeve plastike me nismën “River clean up”, duke mbledhur në gati 5 vjet, në brigjet më të ndotura, si derdhjet e lumenjve të Erzenit dhe Ishmit, 170 mijë kg mbetje plastike, nga të cilat 14 mijë kg të riciklueshme.

Durrësi, i cili ruan gjurmët e kulturave të shumta që ka njohur vendi, kohët e fundit po jep shembullin e mbrojtjes nga plastika.