This isn't an official website of the European Union

Pride Heroes - Kamela Islamaj: Dashuria është dashuri, pavarësisht se kush është i dashuruar

Kur Kamela Islamaj këndoi këngën “Më ngjyros”4 vite më parë, në një festival kombëtar në Shqipëri, ajo doli në skenë e gjitha e ngjyrosur dhe i dha zërin e vet disa vargjeve të fuqishme: “Më ngjyros. Brenda kufijve të figurës pa formë. Më jep jetë. Siç do ti”.

Pas një performance mahnitëse, ajo tha se ishte një këngë për dashurinë, në një kohë kur ka kaq shumë urrejtje dhe kemi harruar si të duam. “Kërkova të më pranonin me të gjitha ngjyrat e mia dhe pati disa insinuata se kënga ime ishte një dedikim për LGBTIQ+, por unë po flisja vetëm për dashurinë, dashurinë e çdo lloji, të çdo komuniteti, të çdo forme. Nuk bëj dallime mbi dashurinë mes komuniteteve apo gjinive, sepse dashuria është thjesht dashuri, pavarësisht se kush është i dashuruar. Dhe po, unë mbështes LGBTIQ+, kështu që kënga është edhe për ta”, kujton ajo.

Islamaj është një këngëtare e njohur në Shqipëri. Ajo ka qenë pjesë e festivaleve dhe skenës artistike, duke interpretuar muzikë blues, jazz, rock alternative, funky apo pop. Për gati dy dekada e ka ndërtuar me kujdes karrierën, duke ruajtur një ekuilibër mes artit, mesazheve dhe rolit të artistit në shoqëri. Në gjithë rrugëtimin e saj artistik, fillimisht duke mbështetur organizatat që punojnë me fëmijët me sindromën Down dhe më pas nisma të tjera apo komunitete si LGBTIQ+, ajo ka qenë aktive në kauza apo tubime për të drejtat e njeriut.

“Ndoshta nuk jam shumë e zonja për fjalime në publik, por mundohem të jem e pranishme, të këndoj një këngë, të jap një mesazh, dhe kjo do të thotë diçka. Mendoj se artistët kanë fuqinë për të fituar zemrat, mendjet dhe shpirtrat e njerëzve. Edhe nëse duket se nuk ka ndonjë ndikim të madh, përsëri është diçka. Dhe në fund, do ta di se bëra atë që munda, dhe më e rëndësishmja, bëra atë që doja. Është njësoj si me muzikën, unë jam artiste e lirë, shpirt i lirë dhe kam zë të lirë”, shpjegon ajo, duke theksuar se për të nuk është akt heroik, por ajo çka beson.

Kamela Pride Heroes

Kjo qasje ka udhëhequr opinionin e saj mbi të drejtat e njeriut pavarësisht grupeve, por kur bëhet fjalë për të drejtat e LGBTIQ+, Islamaj ka një shpjegim dhe bindje krejt më personale. “Kam miq që janë pjesë e komunitetit dhe e di sa e vështirë është të dalësh hapur dhe të tregosh se kush je. Ka një lloj diskriminimi që ndikohet nga shumë faktorë, mbyllja e gjatë komuniste e vendit, mentaliteti, feja, moskuptimi i të tjerëve dhe mosdashja për të kuptuar, por, në fund, mendoj se po të hapim sytë dhe mendjen, jeta do të ishte më e lehtë për të gjithë ne. Nuk kemi pse shqetësohemi nga një komunitet që kërkon të drejtat e veta, që lufton për jetën e vet. Ata kërkojnë të drejtat e tyre, duke mos prekur apo dëmtuar jetën tonë. Nuk mund t'i përjashtojmë njerëzit nga shoqëria për shkak të orientimit të tyre seksual”, thotë ajo.

Ka pasur raste që ajo është përballur me qëndrime diskriminuese ndaj komunitetit LGBTIQ+ në situata të ndryshme, madje edhe me artistë të rinj të cilëve u jepte mësime private për teknikat e të kënduarit. Si mentore e tyre, ajo u ka mësuar një gjë të rëndësishme, në të cilën beson fort. “Nëse dëshironi të bëheni artistë, duhet të jeni gjithëpërfshirës. Nuk mund të pretendoni të pranoheni nga të tjerët, nga audienca, nëse nuk pranoni veten dhe botën përreth”, vëren ajo.

Duke qenë se ka tema ende tabu, biseda për to do të hapë rrugë të reja drejt komunikimit, pranimit dhe respektit ndaj njerëzve të tjerë, realiteteve të tjera dhe gjithë shoqërisë.

Islamaj ka interpretuar zhanre të ndryshme muzikore, por jazz-i është i preferuari i saj. “Është muzika që më flet, aty gjen paqe shpirti im”, tregon ajo.

Pas muzikës Blues, Jazz-i lindi si muzika e ish-skllevërve afrikano-amerikanë, të cilët punonin në plantacione ose në ndërtimin e hekurudhave, por më pas u bë ritmi i gjithë botës. Shumë e konsiderojnë tani si një shembull demokracie ku ke liri individuale, por me përgjegjësi ndaj grupit.

“Në fillim Blues-i dhe më pas Jazz-i, erdhën si domosdoshmëri e këtyre njerëzve për të shprehur zërin e tyre dhe ende sot, muzika është një mënyrë për të mbrojtur të drejtat e njeriut”, thotë Kamela Islamaj, një zë i fortë që bën thirrje për të respektuar të drejtat e qenieve të tjera njerëzore spër të jetuar, dashuruar dhe për të qenë të lirë të vendosin për jetën e tyre.