This isn't an official website of the European Union

Përurimi i konvikteve me efiçencë energjetike: Gjermania, BE-ja dhe Shqipëria bashkohen për të përmirësuar jetesën e studentëve në Qytetin Studenti në Tiranë

Investimi përmirëson ndjeshëm kushtet e jetesës dhe të studimit të studentëve shqiptarë në Tiranë

Qyteti Studenti në Tiranë ka tashmë pesë konvikte të rinovuara që plotësojnë standardet e Bashkimit Evropian. Në një ceremoni të përbashkët, i Ngarkuari me Punë i Gjermanisë, z. Thilo Schroeter, Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, z. Silvio Gonzato, anëtari i Komitetit Drejtues të Bankës për Zhvillim KfW, z. Stephan Opitz dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës,. z. Erion Veliaj, morën pjesë në përurimin e përfundimit të punimeve për rinovimin e grupit të parë të godinave me efiçencë energjetike ku përfshihen 5 konvikte studentore.

Projekti “Rehabilitimi me efiçencë energjetike i konvikteve studentore të universiteteve publike në Shqipëri”, i financuar nga Gjermania dhe BE-ja, nëpërmjet KfW-së së bashku me Shqipërinë, përfshin rinovimin me efiçencë energjetike të 19 konvikteve studentore të kampusit të Qytetit Studenti I në Tiranë. Gjithsej, më shumë se 2.600 studentë shqiptarë do të përfitojnë nga masat, të cilat përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës dhe të studimit, duke i përafruar ato me standardet e larta të zbatuara në vendet e tjera evropiane.

Minimumi 70% e kapacitetit të konvikteve të rinovuara do të plotësohet nga studentë me të ardhura të ulëta, duke promovuar kështu infrastrukturën sociale për studentët e paprivilegjuar.

“Efekti i projektit është i dyfishtë: Rehabilitimi me efiçencë energjetike i konvikteve kontribuon për mbrojtjen e klimës, por përmirëson ndjeshëm edhe kushtet për studentët. Prandaj, konviktet ofrojnë një shembull të mirë të vendosjes së një kufiri të drejtpërdrejtë mes ndikimeve vendore dhe efekteve globale”, tha Thilo Schroeter, i Ngarkuari me Punë i Ambasadës Gjermane.

 “Në qendër të këtij projekti janë studentët, qytetarët e ardhshëm të BE-së në Shqipëri. Duke investuar në edukimin, mjedisin dhe mirëqenien e tyre, ne po investojmë për përparimin e Shqipërisë. Sot, rreth 650 studentë do të përfitojnë nga akomodimet moderne në përputhje me standardet e BE-së. Gjithashtu, duke përmirësuar efiçencën energjetike të këtyre ndërtesave, ne po e ndihmojmë Shqipërinë të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në përmbushjen e objektivave mjedisore të BE-së, si pjesë e rrugës së integrimit të saj në BE”, tha Ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato.

“Ky projekt i KfW-së shënon një hap të rëndësishëm drejt reduktimit të konsumit të energjisë në konvikte […] krahasuar me nivelet para rehabilitimit. KfW-ja, si një bankë e gjelbër, është shumë krenare për këtë”, tha Stephan Opitz, anëtar i Komitetit Drejtues të Bankës për Zhvillim KfW.

Përmirësimet në infrastrukturën e konvikteve do të ulin konsumin e energjisë mesatarisht me 40% krahasuar me nivelet aktuale. Ulja e pritshme e emetimeve është e barabartë me 3,031 tCOeq në vit, ndërsa sasia e energjisë së kursyer pritet të arrijë në 5,869 MWh në vit. Rinovimi i grupeve të ndërtesave të mbetura pritet të fillojë në vitin 2025.

Gjithsej, KfW ofron financim prej më shumë se 30 milionë euro në kredi dhe grante në emër të qeverisë gjermane dhe rreth 4.78 milionë euro si grant në emër të Bashkimit Evropian, përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Informacion

Në Shqipëri, KfW-ja realizon Bashkëpunimin Financiar Gjerman përmes projekteve dhe programeve të ndryshme. KfW ofron ndihma granti dhe kredi koncesionare për investime kyçe dhe shërbime konsulence që lidhen me projektet. Bashkëpunimi gjerman për zhvillim me Shqipërinë filloi në vitin 1988. Që atëherë, qeveria gjermane ka akorduar më shumë se një miliard euro për projekte dhe programe zhvillimi. Sektori i energjisë është një fushë prioritare në kuadër të Bashkëpunimit Financiar Gjerman me Shqipërinë, me një portofol aktiv prej mbi 457 milionë euro.

WBIF është një nismë e përbashkët e Komisionit Evropian, Bankës për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bankës Evropiane të Investimeve (EIB), donatorëve dypalësh dhe përfituesve nga Ballkani Perëndimor, e nisur në dhjetor 2009, me qëllim ofrimin e asistencës financiare dhe teknike për investime strategjike. Më pas, platformës iu bashkuan KfW-ja dhe Banka Botërore. Në dhjetor 2018, Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD) u bë organizatë pjesëmarrëse në WBIF.