This isn't an official website of the European Union

Nga ëndrrat tek vendet e punës, si po mbështet EU4Youth brezin e ri shqiptar

“Kur isha në shkollë të mesme, edhe në ëndrrat e mia më të bukura, nuk e mendoja se do të bëhesha videografe e pavarur, një punë që jo shumë vajza kanë guximin ta bëjnë”, thotë Migena Kodra, një vajzë rome 25-vjeçare. Në përpjekje për të gjetur rrugën e saj drejt së ardhmes, ajo nuk ishte e sigurt se çfarë donte apo si do t'i përmbushte pritshmëritë e veta, derisa një nga miqtë e saj i sugjeroi Planin e Zbatimit të Garancisë Rinore në Shqipëri.

Kodra vizitoi Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, ku pas këshillimit dhe orientimit u regjistrua në kursin e dizajnit grafik. “M’u duk më i përshtatshëm për pasionin tim për kreativitetin. Më pas më dhanë një grant, të cilin e përdora për të blerë kamera dhe për ta kthyer pasionin në profesion”, thotë ajo duke folur me entuziazëm për arritjen e veta.

Ajo është një nga 540 të rinjtë shqiptarë, të moshës nga 15-29 vjeç, të cilët kanë aplikuar për skemën Garancia Rinore si pjesë e projektit “BE për rininë”. Projekti synon të përmirësojë punësueshmërinë e të rinjve, trajnimin dhe arsimin e tyre.

“Garancia Rinore, e udhëhequr nga Agjencia Kombëtare për Punësimin dhe Aftësitë, është një nismë kyçe e BE-së për të reduktuar papunësinë e të rinjve, duke garantuar që të rinjtë nën 30 vjeç të marrin mundësi cilësore pune, arsimi apo trajnimi brenda katër muajve nga regjistrimi në zyrat e punësimit. Në Shqipëri ajo po pilotohet që nga tetori 2023 në Tiranë, Shkodër dhe Vlorë”, shpjegon Jona Dundo, menaxherja e projektit “BE për rininë”, duke theksuar rolin që ka ai në shtimin e të dhënave për të rinjtë që nuk janë të përfshirë në punësim, arsim apo trajnim (NEET), forcimin e shtrirjes duke identifikuar dhe angazhuar këta të rinj të vështirë për t'u arritur, nxitjen e zgjidhjeve novatore vendore për integrimin e tyre, si dhe zgjerimin e ofertës së programit me skema të reja praktike dhe trajnimi.

Zyrat e punësimit shërbejnë si ndalesa e parë në një proces që fillon me këshillim dhe udhëzim për t’i ndihmuar të rinjtë të kuptojnë mundësitë, kapacitetet dhe kufizimet e tyre. Në varësi të interesave dhe aftësive të tyre, ata mund të orientohen drejt kurseve profesionale, trajnimeve të mëtejshme, kualifikimeve apo arsimit universitar. Më pas ata orientohen drejt mundësive të punësimit ose u ofrohen grante për nismat e tyre, bazuar në një vlerësim individual rast pas rasti.

“Ne punojmë me të rinj nga komunitetet e pafavorizuara, përfshirë të rinjtë romë dhe egjiptianë, prindër të rinj me përgjegjësi familjare, të kthyer nga emigracioni, punëkërkues të dekurajuar që janë përpjekur të gjejnë alternativa të përshtatshme, si dhe me ata që e kanë përfunduar arsimin e tyre, por ndihen të shkëputur nga tregu i punës”, thotë Lorena Gjindoda, Koordinatore Vendore për Tiranën e projektit “BE për rininë”.

Gjatë vitit të parë të fazës pilot të programit, nga 540 të rinjtë që aplikuan, pothuajse gjysma kanë pasur një “rezultat pozitiv”, që do të thotë se ose kanë gjetur punë ose kanë ndjekur kurse të formimit profesional.

Për të zgjeruar shtrirjen e tij, programi ka organizuar edhe takime ndërgjegjësuese në zona dhe njësi administrative të ndryshme. “Ne kemi një sektor të dedikuar që lidh punonjësit me punëdhënësit, si dhe dy qendra publike të formimit profesional. Trajnimet, të mbuluara financiarisht nga skema e Garancisë Rinore, janë pjesë kyçe e suksesit tonë. Shumica e rezultateve tona pozitive ka ardhur përmes programit të nxitjes së punësimit”, thotë Mimoza Ulqinaku, shefe e zyrës pilote të Garancisë Rinore në Tiranë.

Programi synon koherencën dhe koordinimin e politikave – bazuar në partneritete të ndryshme – për të "garantuar" një ofertë cilësore brenda katër muajve, monitorim të vazhdueshëm dhe përdorim efektiv të burimeve financiare vendase dhe ndërkombëtare.

“Unë erdha këtu e pasigurt për zgjedhjet e mia dhe u largova me biznesin tim si videografe. Nëse dikush dëshiron të gjejë rrugën e vet, duhet të provojë Garancinë Rinore pranë Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive”, thotë Migena Kodra.

 

INFORMACION
“BE për rininë” është një projekt i financuar nga BE-ja, i cili rrit kapacitetet ndërinstitucionale për të zbatuar dhe qeverisur në mënyrë efektive Garancinë Rinore në Shqipëri. Ai forcon gjithashtu angazhimin dhe partneritetet vendore që mbështesin në mënyrë efektive integrimin dhe mbajtjen në tregun e punës të të rinjve të cenueshëm të papërfshirë në arsim, punësim apo trajnim, nëpërmjet programeve të monitoruara mirë dhe të përshtatura të Garancisë Rinore. Projekti punon për rritjen e kapaciteteve dhe efektivitetit të sistemeve të AFP-së për prodhimin e një fuqie punëtore të kualifikuar, e përgatitur për të kontribuar në ekonominë e gjelbër, me norma të reduktuara të braktisjes së shkollës nga ana e studentëve dhe rritje të angazhimit me sektorin privat. I vënë në zbatim nga UNDP dhe UNICEF, projekti pritet të ketë si synim 17.000 të rinj të regjistruar në Eos publike, të cilët do të përfitojnë nga shërbimet e përmirësuara të punësimit nëpërmjet instrumenteve miqësore me të rinjtë.