Letërsia na ndihmon të ndihemi më pak të vetmuar
“Unë shkruaj sepse dua të kuptoj botën në të cilën jetoj. Shpresoj që lexuesit e mi të largohen nga vepra ime duke menduar më shumë për internetin dhe mënyrën se si i përdorin mediat sociale. Ndonjëherë mund të jetë e vështirë për të identifikuar një problem nëse nuk kemi një emër për të, dhe kjo e bën të vështirë të flasim dhe të kuptojmë se shumë njerëz luftojnë me çështje të ngjashme. Shpresoj që vepra ime t'i bëjë të ndihen më pak të vetmuar”.
Për autoren irlandeze Catherine Prasifka, e cila hapi Festivalin treditor të Letërsisë Evropiane në Tiranë, tema si rinia dhe mediet sociale e shtyjnë audiencën të mendojë për pyetje të rëndësishme që duhen bërë. Ndërsa jeta jonë e përditshme ka ndryshuar për shkak të rolit të telefonave inteligjentë - duke na lidhur me njerëz në mbarë botën, duke ndërprerë rutinat tona, por edhe duke krijuar një varësi ndaj dritës që shfaqet në ekran - ata e kanë ndryshuar rrënjësisht ndjesinë tonë për veten.
EU in Albania
Në dy librat e saj, "Asgjë nga këto nuk është serioze" dhe "Kështu e mbani mend", Prasifka i eksploron këto çështje, duke u përpjekur të trajtojë jo vetëm mendimet pro dhe kundër, por edhe të kuptuarit se ku ndodhemi para këtyre çështjeve publike. “Mendoj se mediet sociale na kanë dhënë mundësinë për ta parë veten nga jashtë dhe për të kritikuar dhe ndërtuar personalitetin tonë shoqëror. Ato kanë efekt mbi gjithçka, që nga marrëdhëniet tona deri te mënyra se si përfshihemi në politikë, gjithçka e karakterizuar nga një formë e personalizuar dhe e menjëhershme komunikimi”, shpjegon ajo.
EU in Albania
Në gjimnazin “Naim Frashëri” në Durrës, Prasifka, duke iu përshtatur një audience më të re, bisedoi me nxënësit për (jo)realitetin e medieve sociale, për ndarjen dhe kujdesin përmes postimeve, për konceptin e të qenit i vetmuar dhe vetëm, si dhe për tema specifike që lidhen me procesin e të shkruarit. Ajo trajtoi tema të tilla si bllokimi i shkrimtarit mes librave, suksesi, besimi te vlerat e dikujt, përmirësimi i aftësive të të shkruarit dhe zhvillimi i të lexuarit dhe stilit. Duke iu përgjigjur një vajze të re, ajo ndau gjithashtu qasjen e saj për balancimin e jetës personale me postimet publike, duke shmangur varësinë.
“Unë mendoj se arsimi është çelësi për të gjetur ekuilibrin. Duhet të dimë se çka shohim në internet nuk është gjithmonë reale, dhe gjithashtu të kemi kontroll mbi atë që shohim. Të qenit të kujdesshëm për atë që zgjedhim të shohim, me kë zgjedhim të angazhohemi dhe sa kohë kalojmë në mediat sociele, mund të ndihmojë për përmirësimin e marrëdhënies tonë me to. Është gjithashtu e rëndësishme të pranohet se mediet sociale janë bërë pjesë e rëndësishme e jetës dhe se 'fikja' nuk është gjithmonë e mundur. Kemi nevojë për zgjidhje të tjera për të menaxhuar përmbajtjen shqetësuese”, theksoi ajo.
Diskutimi i saj në “Shtëpinë e Evropës” çeli Festivalin e Letërsisë Evropiane, organizuar nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës në Shqipëri. Festivali synon të ofrojë një platformë për të nxitur dialogun, për të eksploruar peizazhe të ndryshme letrare dhe për të zhvilluar një kuptim më të mirë të botës së sotme përmes letërsisë në një seri bisedash që pasqyrojnë diversitetin e letërsisë dhe gjuhëve evropiane.
EU in Albania
Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato theksoi rolin e artit për nxitjen e mirëkuptimit të ndërsjellë.
“Gjithmonë kam besuar se kultura dhe artet janë mjete të fuqishme për të dhënë mesazhe të rëndësishme për sfidat në shoqëritë tona dhe për të na ndihmuar të kuptojmë perspektiva të ndryshme. Shpesh, ne i perceptojmë pikëpamjet e ndryshme si kërcënime, por ky proces na ndihmon të kuptojmë origjinën tonë dhe të bëhemi të hapur ndaj identiteteve të tjera. FELT, Festivali i Letërsisë Evropiane në Tiranë, është një kremtim i vlerave evropiane që sjell më pranë BE-në dhe Shqipërinë”, tha Ambasadori Gonzato.
Drejtori i Institutit Italian të Kulturës Alessandro Ruggera shtoi: “Në botën moderne nuk mund të pretendojmë se kulturat kombëtare janë të izoluara. Festivali krijon një mundësi për të shkëmbyer ide”.
Letërsia bashkëkohore është gjithnjë e më e vetëdijshme dhe kërkon të rrisë ndërgjegjësimin për sfidat tona, duke përfituar nga teknologjia ndërsa zbut dëmet e saj. Kur u pyet për rrezikun më të madh, Prasifka vuri në dukje se është e vështirë të përcaktohet vetëm një. “Dezinformimi, lajmet e rreme, përmbajtja e krijuar nga IA dhe ngacmimet mund të punojnë së bashku për të krijuar një mjedis të dëmshëm të medieve sociale. Kur nuk mund të dallojmë se çfarë është reale në internet, bëhet më e vështirë për ta luftuar ngacmimin dhe kur abuzimi është në shënjestër është e lehtë të të humbasë nga sytë se çfarë është një opinion i skajshëm kundrejt një opinioni të përgjithshëm”, theksoi ajo.
EU in Albania
Megjithatë, duke qenë se arti lidhet thellë me emocionet njerëzore, një nga mesazhet kryesore të Prasifkës është rreziku i "zëvendësimi nga mediet sociale i gjithë komunikimit dhe lidhjeve personale, pasi kjo do ta bënte realitetin edhe më të vështirë për t'u kuptuar".