This isn't an official website of the European Union

Letërsia evropiane në Tiranë, shkrimtarët zbulojnë mesazhet dhe emocionet që përcjellin librat

“Letërsia ka një fuqi magjike; ajo mund të flasë për gjëra pa folur drejtpërdrejt për to. Nëpërmjet tregimeve, mund të përshkruajmë ndjenja, situata, vështirësi ose probleme që nuk mund të përshkruhen lehtësisht me fjalë, por thjesht mund të ndihen. Letërsia ka kuptuar të gjithë spektrin e ekzistencës njerëzore”, thotë Christos Armando Gezos, një shkrimtar grek që vizitoi Shqipërinë për të marrë pjesë në Festivalin e Letërsisë Evropiane në Tiranë në dhjetor.

FELT 2024 5

Me synimin për të kremtuar letërsinë evropiane, festivali mblodhi autorë nga vende të ndryshme për takime letrare ku u paraqitën tema, stile, realitete dhe histori të ndryshme. Këto aktivitete nxorën në pah zërat e letërsisë bashkëkohore, të cilat shpesh ndeshen me shqetësime shoqërore.

“Temat të cilat më shqetësojnë janë ato të përjetshmet - vdekja, kuptimi i jetës, lufta e qenieve njerëzore për të formuar të ardhmen në mënyrat që ata dëshirojnë, si dhe liria, liria shpirtërore. Fuqia e vullnetit të njeriut dhe qëndrimi ndaj jetës. Ajo që dua të përcjell, kur shkruaj, është se jeta është e bukur dhe e dhimbshme dhe kjo nuk është kontradiktë. Është e bukur sepse është e dhimbshme, dhe për shkak se është e dhimbshme mund të vlerësosh çastet e vogla të bukurisë. Në këtë kuptim, do të thosha se jam një shkrimtar optimist, temat që shkruaj janë paksa të errëta në shikim të parë, por në të vërtetë janë një kremtim i jetës”, shpjegon Gezos. Takimi i tij pasoi me diskutime të gjalla dhe pyetje gjatë ditës së hapjes së festivalit, i cili u organizua nga Delegacioni i BE-së në Shqipëri në bashkëpunim me Institutin e Kulturës Italiane në Shqipëri.
Nga “Eposi i Gilgameshit”, tek “Iliada” dhe “Odisea”, veprat letrare kanë treguar jetën dhe mendimet e njerëzve nga e gjithë bota, në epoka, kultura dhe kombe të ndryshme. E trilluar apo e frymëzuar nga ngjarje të vërteta, letërsia – me kompleksitetin, dilemat dhe nënkuptimet e saj– ngre pyetje, jep përgjigje dhe nxit mendimin kritik. Ajo i udhëheq lexuesit në udhëtime psikologjike dhe historike, duke hedhur dritë mbi gjendjen njerëzore.

FELT 2024 4

Të vetëdijshëm për sfidat me të cilat përballen shoqëritë sot, disa autorë kanë mesazhe më të drejtpërdrejta ndaj përgjigjes se pse shkruajnë. Shkrimtarja irlandeze Katherine Prasifka shpjegon këtu motivimin: “Letërsia është shumë personale dhe të lejon ta vendosësh veten në vendin e një personi tjetër dhe të jetosh një përvojë që nuk e ke jetuar. Puna ime ka të bëjë me mediet sociale dhe mënyrën se si interneti e ka ndryshuar tërësisht mënyrën se si ndërveprojmë me veten dhe realitetin. Do të doja t'ua shpjegoja këtë njerëzve që nuk e kuptojnë”.

FELT 2024  6

Letërsia është më shumë se estetikë dhe strukturë që tregon një histori. Ndonjëherë, historia nënkupton një qëndrim publik, një besim, një vlerë ose paralajmërime. Mbrojtja e të drejtave themelore është një temë kryesore për shkrimtarin italian Paolo Giordano.

“Sa herë që ka një festival të letërsisë evropiane, apo edhe “diçka” evropiane, unë përpiqem të jem i pranishëm, sepse nëse ka një gjë që na duhet sot, është të ndërtojmë një lidhje dhe ndjesi më të fortë për atë çfarë është dhe çfarë do të thotë Evropë. Unë mendoj se mund ta vlerësoni vërtet atë çka do të thotë Evropë dhe privilegjin që ende është të jesh pjesë e saj, nëse e shikon nga kufijtë. Por nëse e shikon nga brenda, ndonjëherë humbet ndjesia e rëndësisë që ka ende kjo ide e Evropës dhe ideve evropiane”, thekson Giordano, librat e të cilit kanë të bëjnë me mjedisin, të drejtat e njeriut, çështjet gjinore, etj.

FELT 2024 2

Duke parë periudhën komuniste shqiptare, shkrimtarja polake Margo Rejmer, hasi si mesazh kryesor një përpjekje për t'iu përgjigjur pyetjes: si mund t'u mbijetojmë kushteve më të këqija të mundshme, cili është thelbi i natyrës njerëzore, çfarë na bën të dobët dhe çfarë na bën të fortë?

“Balta më e ëmbël se mjalta” është një libër për komunizmin shqiptar, por është edhe një libër për natyrën njerëzore, qëndrueshmërinë dhe hapësirat e lirisë brenda nesh. Si mundohemi të manovrojmë dhe të veprojmë me dashamirësi apo pa dashamirësi në rrethana shumë specifike, pasi kur e shikon nga larg, fakti që njerëzit ishin aq të izoluar në Shqipërinë komuniste dhe kishin qasje në informacione shumë të kufizuara është një lloj eksperimenti sociologjik”, analizon Rejmer, duke këshilluar se të gjithë ne duhet të mësojmë sërish dhe të rikrijojmë lidhjet tona me librat, pasi ata na lidhin me njerëz dhe perspektiva dhe na mësojnë ndjeshmërinë.

FELT 2024 1

Për autorin kroat Miro Gavran, mesazhi kryesor i letërsisë është të jetë e vërtetë, thelbësore dhe të përpiqet të përmirësojë afërsinë mes njerëzve. "Mesazhi im është se nuk ka asgjë më të bukur se marrëdhëniet njerëzore. Mendoni për një njeri që jeton në një ishull. Ai është krejt i vetëm. Ai nuk mund të jetë as i mirë as i keq. Ne kemi nevojë për një qenie tjetër njerëzore për t’u bërë të plotë. Romanet, dramat dhe komeditë na japin mundësinë të shprehemi dhe të bëhemi qenie njerëzore të plota. Jeta është një aventurë vitale, duke shkruar një libër, ne arrijmë ta mësojmë një njeri si të bëhet vetvetja”, shpjegon Gavran.   

FELT 2024 3

Letërsia mund të jetë edhe një vend i sigurt ku shkojmë duke kërkuar strehë, si për të rivizituar kujtimet tona të ëmbla. Duke folur për procesin e saj krijues, shkrimtarja franceze Dominique Barbéris, shpjegon se ajo beson se disa tema imponohen gjatë këtij procesi në vend që të zgjidhen. "Unë nuk përpiqem të përcjell asgjë. Librat e mi sillen rreth problemeve të grave, dashurisë dhe ndonjëherë fëmijërisë, që për mua është si matrica e gjërave dhe gjithashtu një vend, një moment në kohë që është një vend i qetë ku kthehem vazhdimisht". Nga ana tjetër, ajo përmend shqetësimin për një rënie alarmante të interesit për letërsinë. "Kam mundur ta vëzhgoj këtë në Francë. Po zëvendësohet me gjëra të tjera. Nuk e di cili filozof thotë se ne i festojmë shumë gjërat kur nisin të zhduken, shpresoj që kjo të mos jetë shenjë e kësaj. Por kjo nuk është arsye për të qenë pesimistë, ka gjithmonë njerëz për të cilët letërsia është qendrore, sepse është ndoshta vendi ku kthehen legjendat”, thotë ajo.