Letër burrave, si edukimi dhe vlerat i japin formë sjelljes sonë ndaj grave
“Unë nuk i lë djemtë e mi të luajnë me kukulla. Burrat supozohet të jenë udhëheqës, mbrojtës, ofrues. Unë nuk i lë djemtë e mi të luajnë me kukulla, sepse nuk dua që ata të mësojnë se si është të kesh pronësi mbi trupin e një gruaje, të mendojnë se të gjitha gratë lindin me fije në shpinë që, nëse i tërhiqni mjaftueshëm, do të veprojnë ashtu siç dëshironi ju”.
Themeluesja e FemFest në Shqipëri, Iliriana Basha lexon poezinë “Barbie” nga DemetriManabat për të nisur diskutimin “Letër burrave” si pjesë e festivalit që organizon çdo vit për të rritur ndërgjegjësimin për dhunën ndaj grave.
EU in Albania
“Fëmijët duhet të luajnë me lodrat që u pëlqejnë pavarësisht gjinisë”, shpjegon Basha, “por metafora e poezisë është shumë e fuqishme për të rinjtë, të cilët duhet të kuptojnë se vajzat nuk janë kukulla me fije në shpinë që lëvizin ashtu siç dëshironi ju. E kam zgjedhur sepse mesazhi më duket shumë kuptimplotë dhe sepse është poezi e një djali të ri”.
Diskutimi është frymëzuar nga një burrë tjetër, Lis Bukuroca, i cili ka shkruar dy libra të titulluar "Letër burrave", ku u mëson djemve të rinj, burrave dhe burrave të moshuar se si t'u japin motrave, partnereve, grave dhe vajzave të tyre shumë dashuri dhe si t’u kërkojnë falje. Duke i rekomanduar çdo mashkulli që të lexojë letrat e tij, Bukuroca argumenton se nuk mund të ketë familje të lumtur nëse babai sillet si diktator.
EU in Albania
“Si fëmijë, pyesja veten se si është e mundur që një prind të jetë armik? Si ka mundësi që dashuria është moralisht e gabuar dhe dhuna është moralisht e drejtë? Kur vinte babai në shtëpi, ne fshiheshim poshtë tavolinave apo karrigeve, sepse po hynte despoti. E kupton që je burrë dhe baba i mirë, vetëm kur gruaja dhe fëmijët ndihen të lumtur që po kthehesh në shtëpi.
Ne kemi shumë arsye për t'u kërkuar falje grave në shoqërinë tonë. Ato e fitojnë lirinë e tyre vetëm kur plaken.
Është një liri që nuk u nevojitet më kur jetës i vjen fundi”, thotë Bukuroca.
Një diskutim i menduar ndjek idenë e librit. Një artist, një gazetar, një mjek, një shkrimtar dhe dy diplomatë, në një panel të përbërë vetëm nga burra, ndajnë përvojat e tyre personale dhe idetë e tyre se si mund t'i respektojmë dhe mbrojmë më së miri të drejtat e grave, duke i rrënjosur ato në kulturën e shoqërive tona.
EU in Albania
Ambasadori i BE-së Silvio Gonzato nënvizon përgjegjësinë kolektive të shtetit nëpërmjet sistemit të shkollimit si mjet për të përcjellë vlerat, jo vetëm nocionet. “Stereotipet nisin që në fillimet e jetës sonë dhe këtu duhet të fillojmë të ndërhyjmë, sepse ato luajnë një rol të madh në mënyrën se si zhvillohen fëmijët.
Arsimi është absolutisht thelbësor: nëse duam të ndryshojmë, duhet të fillojmë me të vërtetë me fëmijët. Vetëm nëse ndryshojmë mendësinë e të dyja palëve, djemve dhe vajzave, mund të sigurohemi që do ta bëjë edhe shoqëria",
thotë Gonzato.
Psikiatri Neli Demi e sheh fenomenin e dhunës kryesisht si abuzim me pushtetin që një individ ka ndaj një tjetri. “Në një shoqëri të ushqyer me një subkulturë që i lejon abuzuesit të kalojë pa u ndëshkuar, djemtë rriten me të drejtën për të qenë superiorë, ndërsa vajzat priren të mbeten inferiore. Ne duhet të bëjmë dallimin midis të qenit i mirarsimuar zyrtarisht përmes shkollimit dhe të qenit i rritur mirë për sa i përket përqafimit të duhur të vlerave si dashuria dhe kujdesi për tjetrin”, thotë Demi.
EU in Albania
“Shumë burra në ditët e sotme janë të bllokuar në kafazin e maskulinitetit toksik. Ata kanë nevojë për ndihmë për të hequr dorë nga agresiviteti dhe kontrolli ndaj grave. Në vend të kësaj, ata duhet të mësojnë ndjeshmërinë si çelësi për lumturinë dhe vetëpërmbushjen”,thotë Michele Ribotta, përfaqësuesi i OKB-së për Gratë në Shqipëri.
Gazetari dhe shkrimtari Enkel Demi thekson rëndësinë e të mësuarit të dashurisë – marrjen e dashurisë dhe dhënien e dashurisë – sa më herët në fëmijëri, si mënyra më e mirë për të luftuar dhunën me bazë gjinore dhe për të rritur djem dhe burra të kujdesshëm.
EU in Albania
Komunikimi publik për çështjet gjinore është kyç për këngëtarin Genc Salihu, i cili mendon për tri mënyra për ta realizuar atë: “Së pari, përmes angazhimit akademik dhe shkencave sociale në fushat që prekin çështjet gjinore. Më pas, përmes aktivizmit të drejtpërdrejtë, angazhimit institucional dhe veprimeve të shoqërisë civile si FemFest, dhe e treta, por shumë e rëndësishme, përmes shembullit personal të secilit.
Është thelbësore të reflektojmë mbi privilegjet që kemi si burra. Ne duhet të kërkojmë një emancipim kulturor të burrave, përpara se të kërkojmë emancipimin e gruas”,
pohoi ai.
Diskutimi e pa dhunën me bazë gjinore si një çështje që shkon përtej kufijve kombëtarë dhe që është e rëndësishme kudo në Evropë. Inkurajimi i njerëzve për të folur dhe ndihma ndaj grave për të thyer tavanet e qelqta, të cilat shpesh janë të vetimponuara, mund të arrihet vetëm kur burrat dhe gratë të punojnë së bashku si aleatë.
“Ajo që e bën një burrë burrëror, është guximi për ta shprehur dashurinë hapur… guximi për të luftuar për të”, thotë Bukuroca në një përpjekje për të ripërkufizuar burrat e fortë në shoqërinë e sotme.
FemFest u zhvillua në datat 4-8 mars 2024,me mbështetjen e Delegacionit të BE-së në Shqipëri, duke advokuar për të drejtat dhe fuqizimin e grave nëpërmjet një programi meaktivitete kulturore, përfshirë teatër, muzikë, ekspozita arti dhe diskutime.