This isn't an official website of the European Union

Kur filmat ndihmojnë për të reflektuar mbi të drejtat e njeriut, demokracinë dhe mjedisin

Një ninullë e kënduar nga këngëtarja libaneze Fairuz për të ardhmen e ndritur të vajzës së saj, shoqëron një takim prekës mes Geizi Tsafrir-it dhe Nonie Darwish-it, në kufirin midis Rripit të Gazës dhe Izraelit.

Tsafrir, një operativ izraelit në moshë, i zbulon Darwish-it se ka qenë i përfshirë në një operacion të shënjestruar vrasjeje në vitet 1950, ku u vra babai i saj, koloneli egjiptian dhe kreu i inteligjencës ushtarake në Gaza, Mustafa Hafez. Në moshën tetëvjeçare, Nonie mbeti jetime.

Të ulur në karrige në afërsi të Kibbutz Nahal Oz-it, në kufirin izraelit që sheh nga Gaza, ku Darwish kishte jetuar në fëmijëri dhe ku u vra babai i saj, ata tokin duart. Tsafrir kërkon shpengim, Nonie kërkon paqe, dhe gjatë gjithë filmit Telling Nonie, të dy dëshmojnë se si arabët dhe hebrenjtë nuk arrijnë ta njohin dhimbjen e njëri-tjetrit dhe t'i japin fund ciklit të dhunës.

Pas dokumentarit të shfaqur në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Tiranë, regjisori, Paz Schwartz, bëri një thirrje të pasionuar për paqe.

IHRFF

“Më 5 tetor të vitit të kaluar mora çmim për këtë film në Haifa. Dy ditë më vonë, më 7 tetor, më zgjuan sirenat dhe lajmet e tmerrshme. Zona pranë Kibbutz Nahal Oz-i, ku u takuan Tsafrir-i dhe Darwish-i, dhe që sheh nga kufiri i Gazës me Izraelin, u bë skena e sulmit të Hamasit më 7 tetor. Kur e filmova këtë dokumentar, kisha shumë shpresa për paqe, ndërsa tani, vërtet që nuk e di”, tha Paz Schwartz.

IHRFF

Për 19 vjet, festivali ka shfaqur dokumentarë kushtuar paqes, të drejtave të njeriut dhe demokracisë.

Programi i sivjetshëm (16-21 shtator) prezantoi 41 filma dhe dokumentarë, të shfaqur në vende të ndryshme si Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”, Akademia e Sigurisë, Kuvendi i Shqipërisë, Shkolla e Magjistraturës, Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe Qendra për Hapje dhe Dialog. Qëllimi ishte të arrinte audienca të ndryshme dhe të promovonte diskutime për të drejtat e njeriut, dezinformimin dhe manipulimin, barazinë gjinore, shtypjen politike dhe të identitetit, lirinë dhe ndikimet ligjore e morale të luftës, përfshirë konfliktin në vazhdim në Ukrainë, në një përpjekje për ta sfiduar shoqërinë tonë që të reflektojë, të ngrejë pikëpyetje dhe të angazhohet në çështjet kritike të kohës sonë.

Mbështetur nga Bashkimi Evropian, tema e festivalit “Vepro gjelbër për tani dhe për të ardhmen”, nënvizoi fuqinë e artit në promovimin e vlerave universale.

Në fjalën e tij në hapjen e festivalit, Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato, theksoi se “Anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të thotë mbështetje e parimeve të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Këto parime janë thelbësore për partneritetin tonë. Tema e këtij viti “Vepro gjelbër për tani dhe për të ardhmen”, është një kujtesë e fuqishme e përgjegjësisë sonë të përbashkët për të mbrojtur planetin. Dhe arsyeja për këtë është e thjeshtë: thjesht nuk ka "planet B". Jam krenar që po e ndihmoj FNFDNj-në të bëhet një aktivitet gjatë gjithë vitit me debate dhe diskutime, duke arritur audiencë përtej Tiranës dhe duke frymëzuar veprime kolektive për mbrojtjen e të drejtave të njeriut”, theksoi Ambasadori Gonzato.

IHRFF

Drejtori Ekzekutiv i FNFDNj-së Kujtim Çashku theksoi rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të ndjenjës së përgjegjësisë në shoqëri për ta mbajtur të pastër zonën ku jetojmë dhe zonat ku udhëtojmë.

“Festivali ynë kërkon të veprojmë, por edhe të mendojmë. Ekonomia në zhvillim është vetëm njëra anë, tjetra është se si ndikon në planetin tonë dhe pse kemi kaq shumë katastrofa, ndërkohë që speciet në tokë po zhduken. Institucionet gjithandej janë të shqetësuara për luftërat dhe kjo është e drejtë, por kjo është gjithashtu një luftë me viktimat e veta, pasi ne po shkatërrojmë tokën për brezat e ardhshëm”, tha ai.

Më shumë për festivalin: International Human Rights Film Festival Albania (ihrffa.net)