Koncerti i Ditës së Evropës: Artistët e rinj nga Ballkani Perëndimor dhe BE-ja bashkohen në Tiranë për një performancë të paharrueshme
Marta Dettlaf ka lindur në Gdansk të Polonisë, një qytet i pasur me kulturë, histori dhe i njohur më së shumti nga romani “Daullja prej llamarine”, e fituesit gjerman të çmimit Nobel, Günter Grass. Rritja në një qytet ku stilet e arkitekturës ndërthurin kulturat, etnitë, momentet historike dhe periudhat e ndryshme, përqafimi i muzikës dhe zbulimi i kulturave të reja ka qenë mënyra e saj e të jetuarit. Mes 100 artistëve nga e gjithë Evropa, ajo ishte violina e parë në koncertin e Orkestrës Rinore të Ballkanit Perëndimor në Ditën e Evropës në Shqipëri. Vetë orkestra është një platformë për muzikantët e rinj që punojnë përtej ndarjeve kombëtare, etnike, fetare dhe kulturore.
EU Delegation to Albania
“Ne lidhemi përmes muzikës dhe ndonëse nuk flasim gjuhët e njëri-tjetrit, mund të komunikojmë përmes muzikës. Më dukej e mrekullueshme ideja e lidhjes së të gjitha këtyre vendeve pa përjashtim. Ne vijmë nga realitete të ndryshme, por tani po ndërtojmë diçka së bashku, diçka më të madhe”, thotë Marta, ndërsa violina e saj luan pjesë të kompozitorëve shqiptarë.
“Muzika ishte e fuqishme. U përpoqa të imagjinoja vendet nga vinte gjatë interpretimit. Por, pavarësisht origjinës, ne të gjithë ndajmë të njëjtin pasion. Është dashuria që na bashkon”, vëren ajo.
Dettlaf ishte entuziaste të ishte pjesë e orkestrës që në fillim kur mori ftesën. Ndërsa Orkestra Rinore e Ballkanit Perëndimor kërkon të bashkojë rininë e rajonit, duke thyer barrierat dhe duke nxitur paqen afatgjatë, suksesi i saj varet nga artistët, kështu që, së pari, duhet të thyejë skepticizmin brenda saj.
“Në fillim isha skeptike, për shkak të historisë. Nuk kam pasur miq nga Kosova, Serbia apo Shqipëria. Por më pas takon artistë nga këto vende dhe kupton se jemi të njëjtët njerëz dhe kemi shumë gjëra të përbashkëta. Të gjithë ne i përkasim një brezi të ri dhe duhet të krijojmë një histori të re. Nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën, por mund të ndryshojmë të ardhmen”, thotë Teodora Uskokovic, një muzikante nga Mali i Zi që luan violonçel me orkestrën.
EU Delegation to Albania
Koncerti i Ditës së Evropës shënoi një hap të veçantë në rolin e kulturës për të krijuar ura. Artistë të rinj nga Shqipëria, Bosnja-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Polonia, Holanda dhe Spanja ishin në të njëjtën skenë, duke luajtur një program që kremtonte diversitetin e Evropës dhe Ballkanit. Në mesin e gjithë artistëve që luajnë muzikë, tenori serb Stevan Karanac këndoi arie nga opera të njohura, por u dha zë edhe këngëve shqiptare.
“Është gjithmonë shumë frymëzuese të marrësh pjesë në koncerte që kanë ndonjë qëllim apo mesazh të veçantë dhe për mua ishte një mundësi e shkëlqyer të performoja për herë të parë në Tiranë, duke kënduar në gjuhën shqipe. Thjesht do të them se ishte aq emocionuese për mua, saqë edhe qava gjatë kësaj pjese të fuqishme e mahnitëse, pasi kishte mesazhin kryesor të dashurisë dhe muzikës – kjo është një gjuhë universale emocionesh që të gjithë mund ta kuptojnë”, kujton Karanac, i cili rrëfen se i është dashur një fjalor për të kuptuar tekstin dhe gjithashtu ndihma e Maestro Desar Sulejmanit për këngën shqipe.
Ndërsa artistët nga rajoni dhe Evropa zbuluan Shqipërinë dhe muzikën e saj klasike, koncerti ishte gjithashtu një mënyrë për ta lidhur vendin me artistë të rinj që kanë origjinë shqiptare dhe jetojnë larg.
Mario Ruska luan klarinetë, prindërit e tij janë shqiptarë, ai ka lindur në Greqi dhe jeton në Holandë, ku studion në Konservatorin Mbretëror të Hagës. Ai luan në klarinetë siç luante babai i tij dhe është hera e parë që vjen në Tiranë si artist.
EU Delegation to Albania
“Ishte shumë bukur që të rinjtë u mblodhën dhe në një kohë kaq të shkurtër arritën të realizonin një koncert të tillë. Muzika mund të luajë një rol kyç në rritjen e bashkëpunimit dhe krijimtarisë brenda një ekipi. Me Orkestrën Rinore të Ballkanit Perëndimor nuk luajtëm vetëm muzikë, arritëm të bashkonim kultura dhe njerëz të ndryshëm dhe t'i ‘thyejmë’ kufijtë mes tyre”, thotë ai.
Muzika e emocionoi audiencën dhe krijoi një sinergji mes artistëve dhe spektatorëve. Provat artistike dhe përpjekjet mund të krijojnë një të ardhme më të mirë dhe me shumë punë, urat mund të jenë të qëndrueshme.
Nuk është e zakonshme të dëgjosh një orkestër duke luajtur pa dirigjentin e saj, por ORBP arriti ta magjepsë audiencën duke sfiduar veten. “Më pëlqeu momenti kur luajtëm së bashku pa dirigjent në fund. Na u desh të punonim së bashku për ‘Vallëzimin Hungarez’ dhe mendoj se shprehëm gëzimin e këtij projekti të mrekullueshëm”, thotë Marta Dettlaf duke treguar sesi bashkëpunimi mund t’i transformojë realitetet dhe mundësitë.
EU Delegation to Albania