This isn't an official website of the European Union

Komisioni miraton Agjendat e Reformave të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, duke hapur rrugën për pagesa në kuadër të Instrumentit për Reforma dhe Rritje

Komisioni miratoi sot Agjendat e Reformave të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë pas opinionit pozitiv të shteteve anëtare të BE-së. Në Agjendat e tyre ambicioze të Reformave, pesë qeveritë e Ballkanit Perëndimor zotohen për reforma socio-ekonomike dhe themelore, të cilat do t’i ndërmarrin për të nxitur rritjen dhe konvergjencën me BE-në sipas Planit të Rritjes gjatë periudhës 2024 - 2027.

Ky hap ishte kyç për të mundësuar pagesat në kuadër të Instrumentit të BE-së për Reforma dhe Rritje prej 6 miliardë eurosh, të cilat do të bëhen pas përfundimit të hapave të miratuar të reformave,.

Presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen tha: “Më ka lënë mbresa puna e partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor në lidhje me Agjendat e tyre të Reformave. Kjo tregon se janë të përkushtuar ndaj suksesit të Planit të Rritjes. Ky është udhërrëfyesi ynë për t’i afruar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor me tonat. Dhe për t’u dhënë kompanive të tyre qasjen dhe mjetet për të konkurruar në tregun tonë të përbashkët. Të gjithë përfitojnë dhe është një hap i madh përpara drejt Bashkimit Evropian”.

Agjendat e Reformave fokusohen te reformat në fushat prioritare të sundimit të ligjit dhe çështjeve të tjera themelore, qeverisjes, tranzicionit digjital dhe të gjelbër, zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe mjedisit të biznesit. Veç kësaj, secili përfitues ka propozuar një listë të investimeve indikative që do të financohen në kuadër të Instrumentit, me rëndësi kritike për zhbllokimin e rritjes socio-ekonomike, dhe që do të miratohen në kontekstin e Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor.

Komisioni e ka vlerësuar secilën Agjendë të Reformave bazuar në kriteret e vendosura me Rregulloren e Instrumentit për Reforma dhe Rritje. Komisioni arriti në përfundimin se Agjendat e Reformave i përmbushin objektivat e Instrumentit, duke përfshirë përshpejtimin e mbylljes së hendekut socio-ekonomik midis përfituesit dhe Bashkimit Evropian, si dhe forcimin e mëtejshëm të çështjeve themelore të procesit të zgjerimit.

Pagesat do të bëhen dy herë në vit deri në vitin 2027, bazuar në kërkesat e dorëzuara nga partnerët në Ballkanin Perëndimor dhe verifikimi nga Komisioni i tre grupeve të kushteve:

  • Parakushtet për ruajtjen e mekanizmave demokratikë, sundimin e ligjit dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Një parakusht specifik vlen për Serbinë dhe Kosovën, të cilat duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, duke përfshirë zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut, gjë që do të vlerësohet  përmes rolit dhe kontributit të Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm.
  • Kushtet e përgjithshme  të stabilitetit makro-financiar dhe menaxhimit të shëndoshë të financave publike duhen plotësuar para disbursimit të fondeve.
  • Kushtet e pagesës, pra përmbushja e hapave sasiorë dhe cilësorë në të cilët ndahen reformat.

Komisioni është në pritje që Bosnjë dhe Hercegovina të dorëzojë zyrtarisht Agjendën e Reformave për të proceduar me vlerësimin e saj, si dhe vazhdon t’i mbështesë autoritetet për ta finalizuar atë, për të mirën e të gjithë qytetarëve.

 

Hapat vijues

Komisioni tani do të vazhdojë me nënshkrimin e marrëveshjeve të kredive dhe instrumentit me përfituesit, të cilat do të përfshijnë detyrime për përfituesit për të ndërmarrë masat e duhura për të parandaluar, zbuluar dhe korrigjuar mashtrimin, korrupsionin, konfliktet e interesave dhe parregullsitë që prekin interesat financiare të Bashkimit Evropian, për të shmangur financimin e dyfishtë dhe për të ndërmarrë veprime ligjore për të rikthyer fondet e përvetësuara jashtëligjshëm, mbledhjen e të dhënave të mjaftueshme për marrësit e fondeve në kuadër të Instrumentit dhe të drejtat që do t’i jepen Komisionit, Zyrës Evropiane kundër Mashtrimit (OLAF) dhe Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO), aty ku është e zbatueshme.

Paralelisht, përfituesit mund të kërkojnë lirimin e një parafinancimi deri në 7% të totalit të alokimit të tyre indikativ të parashikuar nga Instrumenti.

Disbursimi i parafinancimit do t’i nënshtrohet hyrjes në fuqi të marrëveshjeve të kredive dhe instrumentit, si dhe do t’i nënshtrohet respektimit të parakushteve, të cilat Komisioni do t’i monitorojë përpara secilës pagesë.

 

Informata shtesë

Më 8 nëntor 2023, Komisioni miratoi Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky plan ambicioz synon të përshpejtojë konvergjencën socio-ekonomike të rajonit me BE-në dhe të hapë rrugën drejt anëtarësimit në BE. Plani mbështetet nga rritja e asistencës financiare nëpërmjet Instrumentit të ri për Reforma dhe Rritje, i cili hyri në fuqi më 25 maj 2024. Instrumenti do të plotësojë asistencën aktuale financiare në kuadër të Instrumentit për Asistencën e Para-Anëtarësimit (IPA III).

Instrumenti ka vlerë financiare prej 6 miliardë eurosh, duke përfshirë 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi koncesionare me potencial të lartë. Të paktën gjysma e shumës totale (grante dhe kredi) do të shkojë për investime përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF).

Shuma e mbetur e kredive do t’u ofrohet thesareve të qeverive të Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar rritjen bazuar në reformat socio-ekonomike.

 

 

Për më shumë informata

 

 

Citime

Ursula von der Leyen, President of the European Commission  Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian

 Më ka lënë mbresa puna e partnerëve tanë në Ballkanin Perëndimor në lidhje me Agjendat e tyre të Reformave. Kjo tregon se janë të përkushtuar ndaj suksesit të Planit të Rritjes. Ky është udhërrëfyesi ynë për t’i afruar ekonomitë e Ballkanit Perëndimor me tonat. Dhe për t’u dhënë kompanive të tyre qasjen dhe mjetet për të konkurruar në tregun tonë të përbashkët. Të gjithë përfitojnë dhe është një hap i madh përpara drejt Bashkimit Evropian. 

 

Olivér Várhelyi, Commissioner for Neighbourhood and Enlargement   Olivér Várhelyi, Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim

Zbatimi i Agjendave  ambicioze të Reformave do të sjellë mbështetje shtesë prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor. Meqenëse hapat e nevojshëm të reformës dhe fushat e investimeve u përcaktuan në përputhje me Planin e Rritjes 2024-2027, ne do të forcojmë ekonominë e tregut në rajon dhe do të ofrojmë përfitime në kohë reale për qytetarët dhe bizneset. Me vendosjen e këtij mjeti, ne forcojmë Tregun e Përbashkët Rajonal dhe në të njëjtën kohë, e integrojmë gradualisht rajonin në tregun e përbashkët të BE-së.