This isn't an official website of the European Union

Kisha e Rubikut, të fotografosh 9 shekuj histori

Pranë rrënojave të një manastiri të vjetër, lart në kodrën e Rubikut, ngrihet një kishë e bukur me një nga afresket më mbresëlënëse të “Darkës së fundit” në Shqipëri. Në rreshtin e dytë të pikturës murale dallohen dymbëdhjetë apostuj dhe Jezusi, ndërkohë që dy linjat e tjera të dukshme, tregojnë Shën Mërinë, Shën Gjonin apo Shën Agustinin, një nga Etërit Latinë të Kishës dhe martirë si Shën Asti. “Ai është martiri i parë i kishës në Shqipërinë e shekullit të parë. U martirizua në shekullin e parë të krishterimit, në kohën e Shën Pjetrit, në Durrës, ku ishte peshkop”, shpjegon At Genc Çupi, teksa tregon gjithashtu se absida ruan një mbishkrim latin të vitit 1272. Kisha e njohur si “ Kisha e t'Shelbuemit”, paraqet ngjitjen e Jezu Krishtit në qiell ditën e 40-të pas ringjalljes së tij gjatë Pashkëve.

Faza e parë e ndërtimit të saj daton në vitin 1166, si një nga katër kuvendet benediktine në rajonin e Mirditës, i përmendur edhe në referenca historike. Gjatë shekujve, kisha ka kaluar në disa faza ndërtimi. Në ditët e sotme, elementi më i vjetër i mbetur është absida, e përbërë nga blloqe guri të parregullt të llojeve të ndryshme, të shtruar pothuajse horizontalisht, dhe të lidhur me llaç gëlqereje tradicional.

Rubik

At Genc Çupi përpiqet të përmbledhë historinë e 9 shekujve, duke i treguar një grupi fotografësh të rinj gjurmët dhe pasojat e periudhave të ndryshme historike, që nga Perandoria Osmane deri në regjimin komunist, mbi këtë monument fetar dhe kulturor në kodër.

Ata po vizitojnë kishën si pjesëmarrës në konkursin e fotografisë “Snap the Site”, një nismë e Shtëpisë së Evropës që synon të promovojë trashëgiminë kulturore shqiptare përmes artit të fotografisë. Konkursi ka ftuar entuziastët e fotografisë të marrin pjesë në tre sesione të ndryshme ditore, të udhëhequra nga mentori i fotografisë Armando Babani, në site të caktuara të trashëgimisë kulturore të restauruara nga programi “BE për kulturën”. Sesionet janë një mundësi për fotografët e rinj që të mësojnë artin e rrëfimit përmes fotografisë, duke kapur imazhe që përcjellin historinë dhe kulturën e pasur të këtyre objekteve.

Armando Babani u jep një këshillë: “Vazhdoni të punoni dhe mos u dorëzoni kurrë. Kjo është e rëndësishme dhe mbi të gjitha, duhet të ndieni kënaqësi nga ajo që bëni. Nëse kënaqeni, imazhet do të duken më mirë dhe do të vazhdoni të bëni më shumë foto”.

Mira Leka, një nga pjesëmarrëset, thotë se fotografimi i objekteve arkeologjike apo monumenteve të trashëgimisë kulturore është një sfidë. “Së pari, duhet të dish historinë e vendit. Më pas merresh me identifikimin e hollësive, elementeve jashtë dhe brenda kishës, dhe duke gjetur dritën apo këndin e duhur kap një moment të caktuar. Të tregosh një histori përmes një fotoje, ku ndërthuren e shkuara dhe e tashmja, nuk është e thjeshtë, por është një eksperiencë shumë e bukur dhe e veçantë”, shton ajo.

Rubik

Ndërkohë që kisha merr gjithë vëmendjen, pak dihet për manastirin pranë saj. At Genc Çupi e di se ka qenë një ndërtesë 3-4 kate me disa dhoma për priftërinjtë. Ai përmend se për njëfarë kohe, gjatë fillimit të shekullit të 20-të, aty banonte At Gjergj Fishta. Shkrimtar i njohur shqiptar dhe gjithashtu arkitekt, vetë Fishta bëri disa ndryshime në fasadën e kishës, e cila ishte në përdorim deri në mesin e viteve '60, kur Shqipëria u shpall shtet ateist nga ish-diktatori Enver Hoxha. “Gjatë periudhës komuniste është shfrytëzuar si garnizon ushtarak. Përreth kishës kishte një zonë ushtarake, me qindra ushtarë, tunele dhe municione”, kujton At Genci. Megjithatë, është ndër të paktat objekte fetare që u arrit të shpëtohej nga shembjet që ndodhën në komunizëm, falë vlerave të saj.

Studimet tregojnë se kisha është veçanërisht domethënëse, pasi forma e saj arkitekturore tregon kontekstin gjeo-historik të Shqipërisë, forma planimetrike e kishës dhe harqet e mbyllura në absidë janë të një stili tipik romak, por stili i pikturës murale është qartësisht bizantin.

Pas vizitës, Ambasadori i BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato bën paralele mes historisë së kishës dhe asaj të vendit.

“Është një kishë shumë e bukur. Ajo që më pëlqen shumë, është se është romake jashtë dhe bizantine brenda dhe vërtet ndjen se Shqipëria ishte pika e takimit mes Perëndimit dhe Lindjes dhe ato bashkohen bukur, ka harmoni. Siç është paksa edhe Shqipëria. Shqipëria është bashkëjetesa harmonike e shumë gjërave. Dhe kjo vizitë është një mënyrë për të treguar me sytë e të rinjve shqiptarë se çfarë ka bërë ‘BE për kulturën’. Unë shpresoj që këto monumente do të mbeten gjallë, që komunitetet të cilave u përkasin do ta ndjejnë se i zotërojnë, do të kujdesen për to dhe do t'u japin jetë. Është një kulturë jo mjaftueshëm e njohur, për shkak të gjithë atyre viteve të izolimit gjatë regjimit komunist, dhe njerëzit në Evropë nuk e dinë realisht se çfarë përfaqëson Shqipëria”, thotë Ambasadori Gonzato .

Rubik

Studimi që u parapriu ndërhyrjeve të programit “BE për kulturën” në kishë tregon se pikturat murale të shekullit të 13-të në pjesën e brendshme të absidës u dëmtuan shumë gjatë komunizmit, kur kisha u shndërrua në një hapësirë magazinimi. Pikturat, të dukshme në një numër ngjyrash të zbehura, janë aktualisht në një gjendje shumë të brishtë riparimi me vetëm disa seksione të pikturave të mbijetuara. Si pjesë e programit “BE për kulturën” është hartuar një propozim i restaurimit të tyre që do të zbatohet këtë verë.

At Genc Çupi kujton se para riparimit të çatisë, shiu e kërcënonte seriozisht kishën dhe vlerat e objektit. Ai çka nisi si një kuvend benediktin bazuar në moton “Ora et labora” (lutu dhe puno) tani është një vend lutjeje, kulture dhe historie.

Rubik

 

INFORMACION PLOTËSUES

Programi “BE për kulturën” financohet nga Bashkimi Evropian (BE) dhe zbatohet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekteve (UNOPS) në partneritet të ngushtë me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit. Ai fokusohet në rinovimin dhe rigjallërimin e 23 siteve kryesore të trashëgimisë kulturore të dëmtuara nga tërmeti në vitin 2019 dhe përfaqëson një nga programet më të mëdha të trashëgimisë kulturore të financuar nga Bashkimi Evropian me një buxhet total prej 40 milionë Euro. Ai synon të rrisë potencialin turistik të Shqipërisë, duke kontribuar kështu drejtpërdrejt në rimëkëmbjen socio-ekonomike vendore dhe rajonale. Për këtë qëllim, fokus i veçantë i kushtohet teknologjive novatore, duke përfshirë rrëfimin digjital dhe krijimin e produkteve multimediale të dizajnuara për të qenë të aksesueshme për të gjithë. Në të njëjtën kohë, programi mbështet sipërmarrjen vendore, artizanatin dhe nismat kulturore që zhvillohen rreth zonave të përzgjedhura përmes dhënies së granteve, duke ofruar një nxitje të drejtpërdrejtë për ekonominë vendore.