Intervista e Ambasadorit të BE-së, Silvio Gonzato, me gazetarin e Top Channel, Muhamed Veliu
Muhamed Veliu: Zoti Ambasador, së pari, shumë faleminderit për këtë intervistë në Top Channel. Do të doja ta nisja duke ju pyetur, Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Tiranë, tha se nga Plani i Rritjes së BE-së Shqipëria do të marrë 920 milionë Euro. Ju lutem, mund të shpjegoni se si do t’i jepen Shqipërisë dhe si do të përdoren?
Ambasadori Silvio Gonzato: Më lejoni të bëj një hap prapa, sepse vizita e Presidentes von der Leyen nuk kishte të bënte vetëm me Planin e Reformës dhe të Rritjes, megjithëse ajo që thatë është e saktë. Vizita e saj, siç edhe ia thashë, ndodhi në një moment kur yjet janë linjëzuar për Shqipërinë. Ne sapo hapëm negociatat reale, negociatat për grupkapitullin e themeloreve, të cilat janë jashtëzakonisht të rëndësishme në procesin e anëtarësimit. Sapo kemi miratuar një Agjendë Reformash të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, e cila është kushti për fillimin e financimit përmes Instrumentit të Reformave dhe Rritjes dhe, për rrjedhojë, për të përfituar ato 900 milionët që përmendët. Dhe sigurisht, vizita u bë edhe në momentin kur përuruam vitin akademik të Kolegjit të Evropës. Është simbolike, por mendoj se është shumë e rëndësishme. Është një tjetër element i këtij “linjëzimi yjesh” që për momentin po ndodh këtu në Shqipëri. Unë do të doja të flisja së pari për negociatat e anëtarësimit, sepse në fund të fundit, Plani i Reformave dhe Rritjes ka për qëllim të përshpejtojë dhe mbështesë procesin e anëtarësimit. Dhe hapja e grupkapitullit të themeloreve do të thotë që Shqipëria tani duhet t’i marrë seriozisht reformat në fusha vendimtare, qoftë konsolidimi i reformës në drejtësi të vitit 2016, qoftë lufta kundër korrupsionit. Pastaj duhet të shohim me të vërtetë anën parandaluese, të shikojmë sektorët e brishtë dhe të shohim se si mund t'i trajtojmë ato situata që janë të favorshme për korrupsion. Të shohim kontrollet dhe balancat në vend dhe të sigurohemi që çdo institucion t’i kryejë detyrat e veta në mënyrë të pavarur dhe që pavarësia të respektohet. Pra, ky proces do të thotë se nuk mund të ketë më hezitime. Kur një ligj diskutohet në parlament, në Kuvendin e Shqipërisë, parametri, synimi, objektivi, matësi duhet të jenë standardet e BE-së, acquis e BE-së. Nuk mund t’i biem rrotull dhe të themi se na duhet më shumë kohë për t'u përshtatur ose për të arritur standarde të caktuara. Ky është objektivi. Sepse ky është vullneti i popullit shqiptar. Kjo është ajo që ata duan të shohin të ndodhë. Dhe BE-ja i është përgjigjur kësaj me një ofertë shumë konkrete. Oferta është që ne mund t'i hapim të gjithë kapitujt deri në fund të vitit 2025. Është ambicioze, por është e mundur. Por kjo do të thotë që të gjitha burimet, energjitë dhe vëmendja duhet të përqendrohen tek ai qëllim. Dhe duhet të ketë konsensus të qartë politik. Plani i Reformave dhe Rritjes ishte gjithashtu një përgjigje e Bashkimit Evropian ndaj kësaj thirrjeje për përshpejtimin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Dhe logjika e tij është se, nga njëra anë kërkon t’u mundësojë vendeve të rajonit të fillojnë të përfitojnë nga disa aspekte të tregut të përbashkët përpara anëtarësimit. Pra, është një mënyrë e mirë për t'u përgatitur për të përballuar më pas konkurrencën ndaj të cilës do të ekspozoheni pasi të bëheni pjesë e tregut të përbashkët. Por, gjithashtu, u ofron atyre mjetet financiare për të bërë ato reforma që sigurojnë se ekonomia mund ta durojë presionin. Dhe këtu vijnë 920 milionët. Por nuk është një çek bosh. Janë paratë që do të paguhen pasi Shqipëria të ketë plotësuar të gjitha kushtet e sakta. Këto janë publike. Agjenda e Reformës është konsultuar me njerëzit dhe tani do të publikohet në formën e saj përfundimtare. Këto janë angazhime shumë konkrete të ndërmarra nga qeveria në katër fusha, konkretisht: kapitali njerëzor, mjedisi i biznesit, tranzicioni digjital dhe i gjelbër, si dhe sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë. Dhe kjo do të ketë edhe një ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve shqiptarë. Pra, do të ketë një pagesë të parë që do të jetë një lloj çeku fillestar për të nisur reformat. Më pas, dy herë në vit, do të ketë pagesa të cilat lidhen me plotësimin e kushteve specifike. Më lejoni të them edhe një gjë: që me fillimin e negociatave të vërteta tani, Shqipëria nuk do të duhet të tregojë më vetëm vendosmëri në ndjekjen e reformave, por do t'i nënshtrohet edhe një shqyrtimi shumë më të hollësishëm, më të kujdesshëm nga Brukseli. Dhe kur kam parasysh Brukselin, nuk kam parasysh vetëm BE-në. E kam fjalën edhe për shtetet anëtare të BE-së. Sepse ju e dini që, në fund të fundit, vendimi nëse një vend mund të anëtarësohet në BE apo jo është një vendim që merret nga të 27 vendet. Pra, për këtë, duhet të sigurojmë vërtet që performanca të jetë konsistente, që nuk ka kontradikta, që nuk ka zgjedhje që mund të kritikohen në dritën e asaj çka është acquis e BE-së.
Muhamed Veliu: Zoti Ambasador, si do të menaxhohen këto 920 milionë euro? Kush do ta menaxhojë këtë shumë parash, qeveria shqiptare apo përmes projekteve të BE-së?
Ambasadori Silvio Gonzato: Jo, është përmes qeverisë shqiptare. Më lejoni të them, se shuma totale e Planit të Reformave dhe të Rritjes është 6 miliardë euro, 2 miliardë janë grante dhe 4 miliardë janë kredi koncesionare. Pra, është një përzierje. Dhe gjysma e parave do të kalojë përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor. Pra, këto janë para për projekte të mëdha, projekte të mëdha infrastrukturore, por ndonjëherë edhe për investime në kapitalin njerëzor. Pra, gjithçka që ka të bëjë me arsimin, aftësitë, formimin profesional. Sepse nëse doni një ekonomi të begatë, nuk është vetëm çështje e infrastrukturës, është edhe çështje softueri, le të themi. Dhe softuer do të thotë, siç e dini, aftësitë që kanë njerëzit. Pra, kjo do të derdhet në buxhetin shqiptar. Dhe ne do ta monitorojmë zbatimin përmes një sërë treguesish dhe përmes përmbushjes së kushteve që janë në Agjendën e Reformave.
Muhamed Veliu: Zoti Ambasador, sapo përmendët ambicien për hapjen e të gjithë kapitujve deri në vitin 2025. Por cili është qëndrimi në Bruksel lidhur me faktin që Shqipëria të nisë hapjen e kapitujve të tjerë në muajt e ardhshëm?
Ambasadori Silvio Gonzato: Mendoj se shtetet anëtare janë të hapura. Por, ju e dini, ata duhet të jenë të bindur se Shqipëria është gati për këtë. Grupkapitulli tjetër që mund të hapet mund të jetë i gjashti, që ka të bëjë me marrëdhëniet e jashtme. Dhe këtu mendoj se të gjithë e dinë se sa e përafruar është Shqipëria me politikën e përbashkët të sigurisë së jashtme të BE-së. E kam parë vetë në Nju-Jork, kur kam qenë në Kombet e Bashkuara. Pashë sesi Shqipëria po vepronte si të ishte një shtet tjetër anëtar i Bashkimit Evropian në Këshillin e Sigurimit. Kështu që mendoj se, me gjasë, do të jetë një hap i lehtë përpara. Për pjesën tjetër, do të shohim. Shqipërisë do t'i duhet të dalë me një argument bindës se është gati të nisë negociatat për ata kapituj të veçantë. Ato do të gjykohen nga meritat e tyre, jo për ndonjë gjë tjetër.
Muhamed Veliu: Z. Ambasador, Komisioni i BE-së po bën një vlerësim të mirë, nëse mund ta themi këtë, për qeverinë shqiptare. Kapitulli i parë u hap nga Plani i Rritjes. Siç e përmendëm, Shqipëria do të marrë 920 milionë euro. Por opozita ka një lexim rrënjësisht të ndryshëm të realitetit shqiptar, duke e konsideruar SPAK-un një organizatë kriminale, që shërben në emër të kryeministrit Rama, me tre opozitarë, njëri në arrest shtëpie dhe dy në burg, duke kërkuar vazhdimisht mosbindje civile. Cili është vlerësimi juaj për këtë?
Ambasadori Silvio Gonzato: Së pari, le të fillojmë me gjërat pozitive, sepse unë jam njeri pozitiv. Nuk ka dyshim, dhe kjo është mjaft e rrallë, nuk ka dyshim që ka mbështetje ndërpartiake për anëtarësimin në BE. Kjo nuk është prerogativë e Partisë Socialiste apo e Partisë Demokratike. Të gjithë mendojnë se ky është plani A, dhe të gjithë e dinë se nuk ka plan B. Dhe kjo e bën punën time, për shembull, jashtëzakonisht motivuese, të jem i sinqertë. Dhe kjo është arsyeja pse e dua atë. Keni vërtet të drejtë që thoni se ka lexime të ndryshme të situatës. Por kur Komisioni Evropian publikon vlerësimin e tij për gjendjen në Shqipëri, dhe raporti i ri vjetor do të dalë nesër, ai shikon të gjithë shoqërinë. Nuk është vetëm qeveria, është Shqipëria ajo që po vlerësojmë, le të themi, performanca e Shqipërisë dhe e gjithë institucioneve të saj. Ndaj do ta kundërshtoja interpretimin se po tregohemi të mirë me qeverinë dhe jo të mirë me opozitën. Ne po e vlerësojmë Shqipërinë si një sistem shtetëror. Jam në dijeni të qëndrimit të opozitës. Kam shprehur ndonjëherë mendime për disa ankesa të tyre, për shembull, në lidhje me Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, ajo që për mua është një vijë e kuqe është kur fillon të minohet apo të vihet në dyshim reforma në drejtësi e vitit 2016. Për ne, ajo reformë ishte kyçe për fillimin e procesit të negociatave me Shqipërinë dhe kjo nuk mund të vihet në dyshim. Ju e dini, unë kurrë nuk komentoj për çështje individuale gjyqësore. Nuk është puna ime, vërtet. Unë mendoj se drejtësia duhet të lejohet të ndjekë rrugën e saj. Kam besim te sistemi që u vendos në vitin 2016 dhe sigurisht që ishte revolucionar. E dini, e gjithë kjo, edhe vetingu i magjistratëve vazhdon ende. Shpresojmë se do të përfundojë shumë shpejt. Por ishte një revolucion për Shqipërinë. Duhet ta lejoni të konsolidohet. Duhet ta lejoni të sjellë fryte. Dhe nëse ka diçka që duhet të bëjmë tani, është ta forcojmë atë reformë, ta thellojmë atë. Jo të fillojmë të vëmë në dyshim parimet e saj. Arkitektura që u vendos, që garanton që sistemi gjyqësor është i pavarur nga parlamenti dhe qeveria, pra i pavarur nga sistemi politik, është absolutisht kyç për të ardhmen e Shqipërisë. Dhe, e dini, ajo që më ngushëllon është të shoh se, sipas sondazheve të bëra kohët e fundit, besimi i shqiptarëve në sistemin e drejtësisë po rritet. Dhe është absolutisht thelbësore. Nëse njerëzit nuk kanë besim tek institucionet, veçanërisht në sistemin gjyqësor, ata thjesht largohen. Sepse nuk mendoj se të rinjtë shqiptarë largohen thjesht se nuk gjejnë punë. Ekonomia po ecën relativisht mirë, ka vende pune. Por ata nuk mendojnë se sistemi, ashtu siç është, i lejon të zhvillohen, i lejon të arrijnë ambiciet e tyre, thjesht bazuar në meritat e tyre. Ata mendojnë se sistemi është, në fakt, një sistem i korruptuar. Pra, roli i gjyqësorit këtu është absolutisht thelbësor.
Muhamed Veliu: Pas disa muajsh bashkëpunim mes Partisë Socialiste dhe opozitës, sërish parlamenti ka hyrë në një kapitull të ri problemesh. Situata aktuale në Kuvendin e Shqipërisë, mendoni se ka pasoja në procesin e integrimit në BE?
Ambasadori Silvio Gonzato: Arsyeja pse i lejova vetes të komentoja për marrëdhëniet mes forcave politike në Shqipëri është pikërisht kjo. Sepse procesi i anëtarësimit, siç e them shumë shpesh, nuk është një proces teknokratik. Nuk është diçka që negociohet nga ekspertët në Bruksel. Është një ndryshim shoqëror. Kërkon realisht reforma thelbësore. Kjo është arsyeja pse e quajmë këtë grup kapitujsh “themeloret”, sepse ka të bëjë vërtet me themelet e shoqërisë. Dhe për mua, por jo vetëm për mua, për Brukselin, është e rëndësishme që kur diskutoni për këto reforma të gjitha pikëpamjet të përfaqësohen, të gjitha pikëpamjet të diskutohen në tryezë. Pra, mungesa e opozitës është vërtet problem. Dhe kjo është diçka që e kam diskutuar disa herë, edhe me disa përfaqësues të opozitës, duke u bërë thirrje që të angazhohen dhe të jenë pjesë e diskutimit, sepse duhet t'i kemi. I kam thënë edhe qeverisë se duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Ata duhet të sigurohen që ky proces të jetë në pronësi jo vetëm të qeverisë apo të shumicës, por të të gjithëve, të të gjitha forcave politike dhe të shoqërisë civile, biznesit dhe gjithë aktorëve të shoqërisë shqiptare.
Muhamed Veliu: Ambasador, me të drejtë thatë më herët se nuk komentoni për rastet individuale të sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Por si e shihni rezultatin e fundit të Prokurorisë së Posaçme, njëkohësisht sulmet e vazhdueshme ndaj kreut të këtij institucioni, zotit Altin Dumani?
Ambasadori Silvio Gonzato: Pra, ju e dini që unë nuk komentoj, atëherë pse më kërkoni të komentoj? Por jo, po bëj shaka. Nuk do të komentoj. E vetmja gjë që mund të them është se nëse ka një faktor që ka ndikuar në vlerësimin e situatës në sektorin e sundimit të ligjit nga Bashkimi Evropian, janë pikërisht rezultatet që po arrin SPAK-u. Dhe siç thashë, mendoj se duhet ta lejojmë SPAK-un të punojë. Absolutisht nuk duhet të tolerojmë sulme personale ndaj disa prej përfaqësuesve të këtyre institucioneve të pavarura të drejtësisë. Ne duhet t'i mbrojmë ata. Dhe ky është padyshim pozicioni im për këtë.
Muhamed Veliu: Më kanë thënë se gjatë një takimi me donatorët dhe kreun e SPAK-ut, zotin Altin Dumani, ju thatë, citoj: “SPAK-u po luan një rol kyç dhe vendimtar për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”. Ju lutem, mund ta shtjelloni pak më tej deklaratën tuaj në lidhje me këtë?
Ambasadori Silvio Gonzato: Po, është mjaft e qartë që një nga kërkesat që vjen nga BE-ja është që të ketë një historik solid përsa i përket rasteve të ndjekjes penale kundër rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë këtu në Shqipëri. Dhe fakti që SPAK-u ka nisur ta bëjë këtë është absolutisht një shenjë pozitive. Është një shenjë se reforma po funksionon dhe po jep frytet e saj.
Muhamed Veliu: Dhe pyetja ime e fundit. Z. Fatmir Xhafaj, Kryetar i Komisionit të Posaçëm për Qeverisje të Mirë dhe Antikorrupsion, në një konferencë për media tha se nuk e përjashton mundësinë e ndryshimeve kushtetuese nëse ekspertët e këtij komisioni do ta rekomandojnë këtë. Çfarë mendoni për këtë?
Ambasadori Silvio Gonzato: Ju e dini që ne vendosëm të marrim pjesë duke i ofruar ekspertizë Komisionit për ta udhëhequr dhe mbështetur në diskutimet e tij. Dhe një nga kushtet e qarta për këtë ofertë ishte që Komisioni të mos vinte në dyshim arkitekturën aktuale kushtetuese. Dhe kur flas për arkitekturën kushtetuese, kam parasysh situatën aktuale që e sheh sistemin e drejtësisë krejtësisht të pavarur nga legjislativi dhe ekzekutivi. Kjo është diçka që nuk është e negociueshme.
Muhamed Veliu: Zoti Ambasador, ju falënderoj shumë për përgjigjet tuaja në këtë intervistë.
Ambasadori Silvio Gonzato: Jeni i mirëpritur. Shumë faleminderit!
Muhamed Veliu: Edhe një herë, faleminderit!